Mesfushori kosovar Adnan Januzaj edicionin e ardhshëm mund të paraqitet në kampionatin e Turqisë. Januzaj 20-vjeçar mund të huazohet nga skuadra e Manchester United te ajo e Turqisë, Fenerbahçe, ka njoftuar “turkish-football.com”.
“Krerët e Fenerbahçes janë duke tentuar që të bindin Manchester Unitedin që t’ia lëshojnë në huazim lojtarin e talentuar, Adnan Januzaj.
Ai do të kishte mundësi të luante më shumë në Fenerbahçe”, shkruan ky sajt. Për Januzajn interesim kanë shprehur edhe shumë skuadra tjera evropiane. Por, menaxheri i Januzajt ditë më parë ka thënë se lojtari do të qëndrojë në Manchester United për t’u bërë legjendë e këtij klubi.
Reprezentuesi i Belgjikës, Adnan Janzuaj, me Manchester Unitedin ka kontratë deri në qershor të vitit 2018. Te United ai u transferua në vitin 2011 nga të rinjtë e Anderlechtit të Belgjikës.
Këtë edicion Januzaj nuk pati shumë hapësirë nën drejtimin e trajnerit, Louis van Gaal. Ai luajti vetëm 18 ndeshje, kryesisht si rezervist.