Loading...

Forcat e Armatosura shqiptare festojnë 105 – vjetorin e krijimit ( VIDEO )

040.jpg

105-vjetorin e krijimit të tyre, Forcat e Armatosura të Shqipërisë zgjodhën ta festojnë pranë komunitetit, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Në aktivitetin ku çdo forcë apo strukturë e Forcave të Armatosura kishte ekspozuar mjetet dhe pajisjet e saj, veç qytetarëve të shumtë, morën pjesë presidenti i Republikës z. Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, zëvendësministër i Mbrojtjes z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade, Bardhyl Kollçaku, ambasadorë të vendeve aleate, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, ish ushtarakë e mjaft të ftuar.
Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka përcolli në emër të qeverisë shqiptare urimet më të sinqerta për burrat dhe gratë në uniformë, duke vlerësuar angazhimin dhe sakrificën e tyre, që nga krijimi i Forcave të Armatosura 105 vjet më parë, te pjesëmarrja në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, te misionet ndërkombëtare paqeruajtëse në kuadër të anëtarësimit në NATO, e deri te angazhimi gjatë emergjencave civile, ku roli i FA-ve shqiptare është thelbësor. “Në emër të Qeverisë Shqiptare dhe në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, jam e nderuar t’u përcjell urimet më të sinqerta burrave dhe grave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me rastin e 105-Vjetorit të Krijimit. Bashkë me ditëlindjen e shtetit shqiptar, duke filluar nga data 4 Dhjetor 1912, shteti ynë ka patur si pjesë identitare të tij edhe Forcat e Armatosura. Ushtria Shqiptare u krijua në kohën e pavarësisë, fitoi fizionomi në kohën e mbretërisë, sikurse u konsolidua si ushtri e të gjithë popullit në zjarrin e luftës nacional-çlirimtare kundër pushtuesit nazi-fashist. Pas lufte e në vijim, ajo tanimë ka krijuar përvojën e saj si ushtri gjithë-armëshe, me këmbësori, forca të motorizuara, tokësore, ajrore, detare, trupa komando, komunitet inteligjence, mbrojtje civile, e profilizuar sipas standardeve më të larta të kohës. Kjo nuk ka ndodhur në një ditë, por është thadruar si kontribut i shumë brezave ndër vite. Sot, Forcat e Armatosura Shqiptare janë të angazhuara fuqimisht për shtrirjen e tyre lokale, rajonale dhe globale në mbështetje të sigurisë dhe paqes. Pjesë e strukturave të NATO-s, forcat tona japin kontributin e tyre në luftën kundër terrorizmit dhe për vendosjen e paqes në të gjitha frontet e globit, kur kjo u kërkohet, në tokë, ajër dhe det. Në kohë lufte dhe paqeje, pavarësisht zig-zageve të politikës, ju keni treguar kurajë, nder dhe përkushtim maksimal ndaj detyrës. Sot që flasim, Forcat tona të Armatosura vazhdojnë ditë-natë t’u gjenden pranë mijëra familjeve shqiptare që përjetojnë përmbytjet e këtyre ditëve dhe pasojat e tyre, kudo që kjo u kërkohet, në fshat dhe në qytet.”- u shpreh ministrja Xhaçka.
Presidenti i Republikës z. Meta shprehu konsideratat për ushtarakët shqiptarë gjatë 105 viteve dhe e vlerësoi si të pazëvendësueshëm rolin e Forcave të Armatosura shqiptare gjatë përmbytjeve të fundit. “Forcat tona të Armatosura treguan edhe një herë, gjatë situatës së fundit të përmbytjeve në vend, se roli i tyre pranë dhe në shërbim të komuniteteve e qytetarëve, duke garantuar jetën e tyre dhe pronën privatë e publike, është jo vetëm i pazëvendësueshëm por që kërkon respekt, konsideratë, mirënjohje të veçantë dhe kujdes në rritje.”- u shpreh presidenti Meta, i cili nuk la pa përmendur edhe ushtarakët shqiptarë pjesëmarrës në misionet jashtë vendit. ”Një mirënjohje të veçantë dëshiroj t’ju përcjell ushtarakëve tanë që aktualisht kontribuojnë krah për krah vendeve aleate, në misionet ndërkombëtare në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosove, Bosnje Hercegovinë e kudo”.
Më pas, pjesëmarrësit në aktivitet panë nga afër mjetet, pajisjet, armatimet dhe takuan ushtarakët pjesëmarrëse në misionet ndërkombëtare në Afganistan, Letoni, detin Egje etj.

Komentet
Top