Gënjeshtrat politike dhe politika e gënjeshtrave

0-72.jpg

Nga Agron Bajrami

Gënjeshtra, si armë për marrjen e pushtetit, është e vjetër sa ideja e zgjedhjeve, e madje edhe sa vetë politika. Që nga kohët antike, prej Republikës së Romës, e deri në ditët e sotme dhe demokracia përfaqësuese, pushteti është fituar, marrë e humbur, sa nga forca e muskujve, aq edhe nga aftësia për të manipuluar me masat. Në demokracinë moderne, madje, janë sajuar edhe rregulla që qeverisin kohën e zgjedhjeve, fushatat elektorale dhe sjelljen e kandidatëve, duke krijuar një lloj periudhe gjatë së cilës të gjithë, në heshtje, e pranojnë gënjeshtrën si mjet legjitim politik.

Kështu, derisa ka Kode për sjelljen e profesionistëve në shumë fusha të cilat në mënyrë eksplicite ndalojnë mashtrimin, gënjeshtrën dhe manipulimin, në politikë një gjë e tillë është jo vetëm e lejuar, por shpeshherë edhe e konsideruar si aftësi e dëshiruar. Kështu, derisa gjykojmë mjekun, tregtarin apo gazetarin, për gënjeshtra e mashtrime, politikanin-gënjeshtar, i cili ka sukses në mashtrimin për vota, e konsiderojmë si të suksesshëm e të aftë!

Në këtë botë të papërkryer, pra, politikanët na shfaqen si kastë e privilegjuar, e cila nuk u nënshtrohet të njëjtave norma shoqërore si qytetarët e tjerë. Rrjedhimisht, shoqëritë edhe nuk kanë ndërtuar ndonjë mekanizëm që ndëshkon fituesin e zgjedhjeve nëse ai nuk i përmbush premtimet zgjedhore.

Përveç, natyrisht, votës në zgjedhjet e ardhshme.

Sigurisht, këtu shtrohet pyetja: Cilës votë?

Votës, e cila është viktimë e rregullt e harresës?!

Sepse, madje edhe në demokracitë më të zhvilluara, aty ku shoqëria është shumë rigoroze dhe ushtron presion për llogaridhënie dhe nivel shumë më të lartë të sinqeritetit te politikanët, mbamendja elektorale është shumë herë më e shkurtër sesa mandati qeverisës. Dhe kjo rezulton më së shpeshti me votues që nuk i mbajnë në mend premtimet e vjetra, sepse vazhdimisht janë të goditur nga të rejat.

Kështu, gënjeshtra në politikë, fatkeqësisht, paguhet!

* * *

Sigurisht, e përshkruar më lart nuk është vetëm situata në Kosovë. Pothuaj në çdo vend ku ka zgjedhje të lira e demokratike (dhe aso që janë më pak të lira e më pak demokratike, por zgjedhje sidoqoftë), gënjeshtrat dhe manipulimet e votuesit janë normë tashmë e pranuar e sjelljes politike. Diku më pak e diku më shumë, por dhënia e premtimeve të parealizueshme konsiderohet aftësi superiore politike nëse kjo sjell fitore në zgjedhje.

Ky pra, është realiteti global në të cilin politikani konsiderohet se ka të drejtë të gënjejë për të fituar vota (dhe, rrjedhimisht, edhe pushtetin).

Natyrisht, për aq sa votuesit i besojnë atij.

Shikuar me këtë kut matës, premtimet zgjedhore të politikanëve kosovarë – si ato të Thaçit për liberalizimin e vizave dhe bërjen e Kosovës Zvicër, apo këto që i bënë pothuaj të gjithë të tjerët për punësimin e qindra e mijëra kosovarëve – më shumë tregojnë për nivelin e lartë të harresës së votuesit, sesa për kapacitetet e munguara qeverisëse të politikanëve lokalë. Por këtu me kaq nuk mbaron puna e gënjeshtrës në politikë.

Përkundrazi.

Nëse gënjeshtrat elektorale, që rëndom janë premtime për punë të cilat edhe vetë ai që premton e di se kurrë nuk do bëhen, janë fenomen i përhapur në gjithë botën dhe gjatë gjithë historisë, ka një lloj tjetër i gënjeshtrave në politikë, që në vendet e përparuara nuk tolerohen, e që në Kosovë janë bërë përditshmëri, shpeshherë madje duke u ngatërruar dhe barazuar me gënjeshtrat e rëndomta zgjedhore.

Është kjo politika e gënjeshtrës e cila synon arsyetimin e një veprimi të dëmshëm, të padrejtë, jodemokratik, shpeshherë joligjor, dhe jo rrallë edhe kriminal.

Nuk bëhet fjalë pra, për ato gënjeshtra të cilat politikanët i përdorin për të krijuar avantazh zgjedhor duke lënë përshtypjen se do të bëjnë diçka të cilën në realitet nuk do ta bëjnë, por bëhet fjalë për gënjeshtrat që përdoren për të fshehur diçka që vërtetë e kanë bërë.

Bëhet fjalë për politikën e gënjeshtrave. Për qeverisjen me gënjeshtra. Për gënjeshtrat sistematike që përdoren si mburojë për keqpërdorimin e votës së lirë, shtetit demokratik dhe shoqërisë së hapur.

Ata marrin ryshfet për të dhënë një tender dhe thonë se gjithçka ka qenë sipas ligjit. Punësojnë njerëz pa konkurse e pa kritere, në baza partiake e familjare, dhe thonë se ndihmojnë luftimin e papunësisë. Përdorin pozitën politike për të krijuar pasuri, duke e varfëruar shtetin në procese të dyshimta të privatizimit dhe përmes shantazheve e presioneve të dhunshme, ndërsa thonë se ndërtojnë shtet demokratik ku sundojnë ligji dhe tregu i lirë e konkurrenca luajale.

Ata sulmojnë natën dhe i dënojnë sulmet ditën. Kërcënojnë kur ua zbulon gënjeshtrën. Shantazhojnë e përbaltin kur nuk u përulesh. I bëjnë presion gjithë popullit, derisa nuk gjunjëzohet dhe e pranon politikën e gënjeshtrës – sikur që ndodh tash e sa vite!

Ky lloj i gënjeshtarëve në politikë është ai që nuk tolerohet në demokraci.

Është lloji që e shkatërron shtetin. Që për një copë përfitimi të vetin jep gjithçka që nuk është e tij. Që nuk ka asgjë të shenjtë, përveç pushtetit për vete dhe nuk heziton të sajojë edhe gënjeshtrat më të mëdha, për përfitimet edhe më të vogla, gjithnjë duke u mbështetur në maksimën e vjetër të Hitlerit: “Bëje gënjeshtrën të madhe, bëje të thjeshtë, përsërite vazhdimisht, dhe dikur ata do ta besojnë”.

* * *

Dallimi mes gënjeshtrës elektorale dhe politikës së gënjeshtrës është i madh.

Ai që premton dhe nuk realizon, është i paaftë. Ai do dënohet me zhvillimin e demokracisë, e cila në Kosovë ende është në zanafillën e saj.

Por ky që gënjen për të fshehur veprimet e dëmshme që ka bërë, ky nuk është politikan fare. Është keqbërës që duhet ndjekur për dëmin që i bën shtetit dhe së ardhmes. Ky ndëshkohet vetëm nga shteti ligjor. Të cilin nuk e kemi ende.

Dhe për këtë duhet luftuar më së shumti populli në këtë Kosovë të lodhur nga gënjeshtrat.

Komentet
Top