Loading...

Gjermanët e kërkonin kokainën në Amerikën Latine, e zbuluan në Shqipëri

0300.jpg

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të drogës që ngriti laboratorin e përpunimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, po hetohet njëkohësisht edhe në Gjermani. Prokuroria e Hanoverit deklaroi dje se sinjalizimi për trafikun e kokainës në Shqipëri ishte dhënë që në muajin mars të vitit 2014. Në atë kohë kishin nisur hetimet për një grup të trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë.

“Që nga marsi i vitit 2014 Inspektorati Qendror për Krimet në Gëtingen nën drejtimin e Prokurorisë së Hanoverit, Zyrës Qendrore për Çështje Penale në Fushën e Narkotikëve, po kryen hetime në ngarkim të një rrjeti ndërkombëtar trafiku lëndësh narkotike, i cili dyshohej që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë”, thuhej në deklaratën për shtyp të lëshuar dje nga Prokuroria e Hanoverit. Hetuesit gjermanë thanë se ishin dy persona shqiptarë në Gjermani, të cilët ngjallën dyshime të parët që hetimet të përqendrohen në Shqipëri. Kështu në vjeshtën e vitit 2014, u kërkua ndihma e organeve hetuese shqiptare për të vijuar pu nën me qëllim zbulimin e këtij rrjeti.

“Fillimisht hetimet nisën në ngarkim të një burri shqiptar 46-vjeçar, i cili banonte përkohësisht në Hameln, si edhe një gruaje 47- vjeçare nga Bodenverderi, e dyshuar si bashkëpunëtore e tij”. Sipas mediave gjermane që i referohen deklaratës së prokurorisë së Hanoverit, bëhet fjalë pikërisht për Ilir Hysenin 46 vjeç dhe të dashurën e tij Pranvera Ebeling (Aga). “Në vjeshtën e vitit 2014 u shtuan dyshimet që baza e kokainës ndodhej në Shqipëri. Autoriteteve të atjeshme iu dërgua një kërkesë për mbështetje, duke iu përcjellë edhe informacionet e nevojshme” deklaroi Prokuroria e Hanoverit. Autoritetet gjermane mbajtën nën vëzhgim 47-vjeçarin e identifikuar si Ilir Hyseni dhe bashkëpunëtoren e dyshuar të tij Pranvera Ebeling.

Informacionet mbi Hysenin, i arrestuar tashmë në Shqipëri, iu përcollën hetuesve shqiptarë të cilët vijuan me mbajtjen nën vëzhgim të tij. Hyseni u përgjua dhe vëzhgua nga policia nga mesi i muajit dhjetor deri më 14 janar, kur dhe u arrestua së bashku me 10 persona të tjerë. Këta të fundit u zbuluan në sajë të përgjimeve të Hysenit dhe u arrestuan paralelisht, shumica pranë laboratorit të përpunimit të kokainës në ish-magazinat e rezervave të shtetit në fshatin Xibrakë të Elbasan, buzë rrugës kombëtare Elbasan- Librazhd. Për këtë operacion u njoftuan autoritetet gjermane të cilat sollën në Shqipëri një prokuror të tyren për të qenë pranë hetimeve. Në deklaratën e saj prokuroria gjermane dha detaje mbi operacionin e zhvilluar në Shqipëri më datë 14 janar 2015, kur u zbulua laboratori i kokainës që sipas Hanoverit ndodhej në një vend të ruajtur me masa të larta sigurie në afërsi të Elbasanit.

“Hetimet në Shqipëri çuan në zbulimin e një laboratori të madh kokaine në një kompleks ndërtesash të veçuara dhe të ruajtura me masa shumë të larta sigurie, në afërsi të qytetit të Elbasanit. Në datën 14 janar 2015 njësitë speciale të Policisë së Shtetit Shqiptar kryen kontrolle ndër të tjera edhe në këtë objekt. Gjatë kontrolleve të kryera u arrit të sekuestroheshin në një automjet rreth 20 kg kokainë e pastër. Më tej, autoritetet shqiptare sekuestruan edhe disa armë, midis të cilave një armë automatike, para në kartëmonedha të ndryshme me një vlerë totale prej mbi 400 mijë eurosh si edhe disa automjete dhe sasi të mëdha kimikatesh. Nga hetimet paraprake dyshohet që kokaina është përzier në Amerikën e Jugut me substanca të parrezikshme dhe pas mbërritjes përftohej sërish në Shqipëri” deklaroi Prokuroria e Hanoverit e cila dyshon se laboratori i kokainës ka funksionuar prej disa muajsh. Autoritetet gjermane u thanë dje medieve se hetimet po vijojnë ende për të zbuluar se sa drogë mund të jetë prodhuar gjithsej në laborator. “Në Shqipëri u arrestuan 11 persona.

Ndër të arrestuarit janë edhe dy kolumbianë, si edhe 46- vjeçari me qëndrim Hameln. Me sa është bërë e ditur, pjesa më e madhe e të akuzuarve në Shqipëri ka marrë masën e sigurisë “arrest me burg”. Hetimet e autoriteteve shqiptare i mbështetën atje edhe një prokuror i Prokurorisë së Hanoverit, oficerë krimesh të Inspektoratit të Gëtingenit dhe Policisë Kriminale Federale si edhe ekspertë të Zyrës Kriminale të Landit Nidersaksen. Të mërkurën në Hameln dhe Bodenverder u kontrolluan banesat e 46-vjeçarit dhe 47-vjeçares së dyshuar si bashkëpunëtore e tij” përfundoi Prokuroria e Hanoverit.

Kokaina, katër persona ende në kërkim

Katër persona të dyshuar si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës e cila përpunohej në një laborator në Xibrakë të Elbasanit janë ende në kërkim. Hetuesit nuk kanë mundur ende të identifikojnë emrat e plotë të dy prej të dyshuarve. Ata kanë folur në telefon me Ilir Hysenin para se ky të nisej nga Gjermani në drejtim të Shqipërisë. Njëri prej tyre thirrje me emrin “Jeton” dhe tjetri “Bujar”. Grupi hetimor po vijoj hetimet për të identifikuar plotësisht këta dy emra dhe për sqarimin e rolit dhe implikimit të tyre të mundshëm në këtë rrjet të trafikut të drogës.

Ndërkohë që vijon të mbetet në kërkim policor Genci Xhixha i cili dyshohet se është i implikuar në këtë rrjet. Xhixha prej vitesh jeton edhe në Kuba ndërsa dyshohet se kishte siguruar lidhjen e të arrestuarve me trafikantë kolumbianë. Nga ana tjetër Prokuroria për Krime të Rënda, po vazhdon hetimet intensive për të zbuluar identitetin e personit të identifikuar nga dy kolumbianët si “Karlosi”. Sipas hetuesve po kryhen verifikimet në pikat e kalimit kufitar, për të gjetur se kush është personi që i ka shoqëruar kolumbianët e akuzuar si ekspertë të procesit të përpunimit të kokainës në laborator, në pikat e kalimit kufitare kur ata kanë hyrë në Shqipëri. Janë ngritur dyshime se “Karlosi” e njihte mirë territorin shqiptare dhe mendohet se ka sjell edhe herë tjera shtetas kolumbian në Shqipëri.

Komentet

Leave a Reply

Top