Gjermani-Francë: Me përgjegjësi për Europën

0-108.jpg

Në Paris presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier vlerësoi nismën për politikën europiane të presidentit francez Emmanuel Macron. Të dy presidentët përurojnë në Alzasë një memorial për Luftën e Parë Botërore.

Takimi Steinmeier – Macro fokusohet tek e shkuara për të ardhmen: Hartmannsweilerkopf në Alzasë ka qenë në Luftën e Parë Botërore skena e luftimeve të tmerrshme gjermano-franceze. Sot ajo do të kthehet në një memorial të luftës në shenjën e pajtimit gjermano-francez.

Ish-kundërshtarët e luftës botërore, Gjermania dhe Franca, janë të vetëdijshëm për detyrën e tyre, “për ta drejtuar Europën në një të ardhme më shpresëdhënëse dhe më të mirë”, tha presidenti Frank-Walter Steinmeier para gazetarëve në pallatin Élysée. Para kësaj konference shtypi ishte zhvilluar takimi me homologun francez Emmanuel Macron. Ky i fundit shtoi, se “Ne ndajmë mendimin, që është i nevojshëm dhe urgjent një rithemelim i Bashkimit Europian.” Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar, për të vënë në lëvizje nismën gjermano-franceze.

Histori e përbashkët

Pas bisedës në Paris të dy politikanët u nisën për në Alzasë në Lindje të Francës. Atje ata duan të ndërtojnë në Hartmannsweilerkopf muzeun e parë gjermano-francez për Luftën e Parë Botërore. Në një mal, që në frëngjisht quhet Vieil Armand oose në gjuhën rajonale Hartmannswillerkopf, ushtarët gjermanë e francezë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918)kanë zhvilluar luftime të ashpra. Për shkak të 30.000 viktimave mali quhet edhe “ngrënësi i njerëzve”. Sipas të dhënave franceze, në muzen e ri të përbashkët synohet që të kujtohet lufta në shenjën e pajtimit të armiqve të betuar të dikurshëm Gjermanisë dhe Francës. Afrimi i Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore konsiderohet si shtylla themelore e Bashkimit Europian.

Ta çojmë përpara Europën

Macron deklaroi, se ai do të shqyrtojë detajet me kancelaren Angela Merkel, sapo të jetë krijuar koalicioni qeveritar. Bëhet fjalë për një “projekt të ri europian”, në të cilin Gjermania dhe Franca kanë rolin e një “motori”.

Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani Macron në një fjalim parimor shpalosi idenë e tij për zhvillimin e mëtejshëm të BE-së. Disa kërkesa megjithatë si p.sh. buxheti për Eurozonën janë të diskutueshme në Gjermani.

Komentet
Top