Loading...

GJURMËVE TË TRADITAVE SHQIPTARE. Dita e Verës në Malësinë e Tetovës

Gjurmëve-të-traditave-shqiptare-1-800x445.jpg

Dita e Verës është një traditë e lashtë pagane – mbarëshqiptare dhe festohet me një mori ritesh (me praktika të ndryshme) në trojet tona, po edhe në Malësinë e Sharrit, sidomos në katundet Bozovcë, Veshallë, Brodec, Vejcë, Shipkovicë, Lisec, Gajre, si dhe në Novosellë, Sellcë e Keçe, Orviç, Ollovjan… Në përgjithësi ritet përafërsisht janë të njëjta, por ka dallime të vogla

Nga Neshat MEHMEDI

Katundet në Malësinë e Sharrit ende mbajnë gjallë të kaluarën tonë që nga lashtësitë, me anë të festave të motmotit, e riteve të shumta, që nëpërmjet tyre tregojmë lashtësinë tonë në këto troje, tregojmë rrënjët tona të moçme Iliro-pellazge, tregojmë se jemi autoktonë në këto vendbanime. Pra nëpërmjet këtyre tregojmë se jemi popull me kulturë të moçme e shumë të pasur. Për këtë duhet të falënderojmë stërgjyshërit, gjyshërit, prindërit, rininë tonë që me mjaftë fanatizëm, sakrificë e dashuri të zjarrtë i ruajtën dhe na i sollën deri në ditët e sotme. Pa marrë parasysh luftën e paparë dhe të egër, e të pamëshirshme të armiqve të shumtë të popullit tonë, që kishin një qëllim të përbashkët, asimilimin, dëbimin dhe pastrimin etnik si dhe zhdukjen e popullit shqiptarë nga këto troje bashkë me gjuhën, përshëndetjet, historinë, kulturën, festat e motmotit, ritet, zakonet, veshmbathjet, pagëzimin e fëmijëve, toponimeve, riteve… Pra duke na e pastruar trurin dhe imponuar urrejtjen ndërvëllazërore, duke na imponuar histori të rrejshme, vëllezër të rrejshëm, heronj të rrejshëm, kulturë të rrejshme, tradita të rrejshme, gjuhë të rrejshme, përshëndetje të rrejshme, shkurtë për të na zhveshur e lënë pa asgjë nga e kaluara jonë e lavdishme. Një popull që s’ka kulturë, tradita, festa të motmotit, rite, … ai nuk i din rrënjët e veta dhe s’ka të ardhme – pra shuhet.

Dita e Verës është një traditë e lashtë pagane – mbarëshqiptare dhe festohet me një mori ritesh (me praktika të ndryshme) në trojet tona: në Shqipëri, në Strugë, … po edhe në Malësinë e Sharrit. Sidomos në katundet Bozovcë, Veshallë, Brodec, Vejcë, Shipkovicë, Lisec, Gajre, … Poashtu Dita e Verës festohet në Novosellë, Sellcë e Keçe, Orviç, Ollovjan… Në përgjithësi ritet përafërsisht janë të njëjta, por ka dallime të vogëla në mënyrat e shfaqjes së tyre, sipas asaj thënies së popullit, “katund e adet”.

Dita e Verës as në këto katunde nuk e ka atë gjallëri të dikurshme, në përjashtim të katundit Novosellë të Tetovës, që kjo festë festohet me një gjallëri më të madhe nga të dy gjinitë, meshkujt dhe femrat. Në zbehjen e kësaj feste sot ndikon migrimi dhe emigrimi i popullatës nga katundet drejtë qytetit të Tetovës, dhe shteteve perëndimore, si në Itali, Gjermani, Zvicër … Poashtu ndikojnë negativisht në zbehjen e këtyre festave edhe rënia drastike e natalitetit si dhe martesat e vonshme – mungesa e fëmijëve. Prof. dr. Vebi Bexhetit e trajton shumë mirë lashtësinë e kësaj dite: “Ashtu si shumë festa tjera me rrënjë nga periudha të hershme pagane, edhe dita e verës, vit për viti vjen duke u zbehur, si rezultat i shumë faktorëve që karakterizonin periudha të caktuara historike, pa përjashtuar edhe rrethanat e ndryshme religjioze të besimeve monoteiste që festave pagane tentonin t’u veshin edhe ngjyrime fetare, apo ndonjëfarë mënyre t’i luftonin ato”(Revista “Skupi”, vëllimi 16, Dita e verës në Strugë ( Tribunë shkencore 14.03.2016) faq. 41)

Për ditën e verës, ndër të parët autorë shqiptarë shkruan Faik Konica: “Ç’është Dita e Verës? / Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës, dhe vazhdon Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të racës s’onë. Nuk i bëjën dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë”.

Kjo festë edhe pse është pagane s’është kundër askujt dhe nuk e dëmton asnjë njeri e as popullin dhe as religjionet, thjesht është pasuri e madhe kulturore e kombëtare. Dita e verës është festë e gëzimit, e gjallërimit, solidarizimit dhe pjellores. Është e gëzimit sepse më së shumti i gëzohen fëmijët, … (blegtorët, lavërtarët, kopshtarët …) presin me padurim të vendojnë penjtë, të dalin nëpër katund e të kërkojnë (lypin mish, vezë, para…), ndërsa nënat tona bujare e dorëdhëna, presin me shumë gëzim të gjithë grupmoshat që të trokasin e të thërrasin në dyert e shtëpive të tyre, e këta nëna bujare e zemër bardha i lumturojnë fëmijët me lloj – lloj dhurata të bukura e shumë domethënëse për vetë jetën dhe përtrirjen. Simbolika e gjithë kësaj feste është veza. Pra veza është simbol i përtrirjes dhe pjellores, ku gjithçka ringjallet në natyrë, ku dimrit i themi lamtumirë me rite e këngë të bukura.

Po ku ka më mire se të gjallojnë udhët e katundit pikërisht nga këta vogëlushë e nga kjo rini që simbolizojnë këngën e bilbilave e vetë bilbilat, që i japin jetë natyrës dhe vetë katundit, çdo pragu shtëpie me atë zërin e bukur të tyre në kor: “A do na daritniiiiiiiii?”

Ky është solidariteti më i madh që e gjejmë ende në meset tona familjare e të çdo shtëpie, kjo flet shumë për vlerat tona kombëtare e humanizmin e ruajtur, e përcjellur me mjaft fanatizëm ndër shekuj deri në ditët e sotme.

VENDOSJA E PENJËVE DHE RITI

Sipas etnolgut Prof. Dr. Izaim Murtezani, verorja te shqiptarët e Maqedonisë Veriore njihej me emërtime të ndryshme; “Martinkë (nga emri i muajit Mars) në fshatrat toske të Strugës, silmikeshë në disa fshatra të Gostivarit, skilmiresh në disa fshatra të Dervenit të Shkupit, linik në Kalishtë të Gostivarit, verojkë në fshatrat e Prespës, peçat në fshatin Patishkë të Shkupit e kështu me radhë”. (Revista “Skupi”, vëllimi 16, Dita e verës në Strugë (Tribunë shkencore 14.03.2016) faq. 11)

Sot në katundin Novosellë ka gjallëri më të madhe në krahasim me katundet tjera, kjo festë fillon shtatë ditë përpara Ditës së Verës, me vendosjen e penjve të bardhë dhe të kuq në të dy duart te fëmijët, kurse në qafë në Novosellë nuk vendojnë penj. Të rriturit penjtë i vendojnë vetëm në njërën dorë, pra në dorën e djathtë pa dallim moshe e gjinie.

Penjtë i përgatitin vajzat e reja dhe vajzat e fejuara – nuset që janë nën nishane (nër nishane) – pra që janë të fejuara, penjtë i dredhin në shtizë, boshtë ose furkë përpjetë të bardhin me të kuqin bashkë dhe jua dërgojnë të afërmve të të fejuarit, kurse kunatave, zollvave penj me të qëndisur e me ngjyra; të bardhë, të kuqe dhe të gjelbër. Penjtë zakonisht të Novosellës; Sellcës së Keqe, Orviçit dhe Ollovjanit i kanë vëndu ditën e shtunë, të Bozovcës ditën e enjte, të Veshallës ditën e hënë, … dhe në të njëjtën ditë që i kanë vendosur, në të njëjtën ditë i kanë hequr.

Secila ngjyrë ka kuptimin në vete; Penjtë e bardhë dhe të kuqë i vendojnë, sepse ngjyra e bardhë simbolizon jetën e pastër dhe pa probleme shëndetësore dhe harmoninë paqësore që duhet të mbretëroj gjatë tërë vitit në familje dhe në mes të anëtarëve. Pra të mos u ndodhë as një sëmundje, apo ndonjë e ligë, si për vete ashtu dhe për anëtarët e familjes të ngushtë dhe asaj më të gjerë. Ndërsa e kuqja simbolizon shëndetin e mirë apo të fortë dhe të gjithë duan që të duken në pamje të kuq si molla e të fortë si thana. Ngjyra e gjelbërt simbolizon ardhjen e pranverës dhe ikjen e dimrit, sepse natyra fillon të mbushet me gjelbrim, drithërat në arat e lëruara e të mbjellura mugullojnë, malet gjelbërojnë, drunjtë frutor lulëzojnë, … pra gjallëron jeta e re në natyrë, ose më mirë me thënë natyra po pjellë gjithçka, llojet e ndryshme të bimëve, të luleve, … gjallesat u lejohet të dalin në natyrë dhe temperaturat e ulta e humbin fuqinë, …

Jo rastësisht Dita e Verës sipas Prof. Dr. Hamit Xhaferit, “Është konsideruar si dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Dikur Dita e Verës është kremtuar në këtë trevë (Uskanë – Korçovë) kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, 14 mars”(Revista “Skupi”, vëllimi 16, Dita e verës në Strugë (Tribunë shkencore 14.03.2016) faq. 53)

Nëse penjtë u këputen nga dora fëmijëve apo të rriturve është llogaritur si shenjë e keqe, pra ai person gjatë vitit mund të ketë shëndet të ligë, problem të tjera në marrëdhëniet familjare e në shoqëri…, nëna e vajzës apo djalit ose vetë personi i ka marrë penjtë dhe i ka vëndu në një dru të njomë, qoftë trëndafil, jorgovan apo pemë, duke menduar se të gjitha të ligat i tërheq pema, sepse vetë këta drunjë kanë komplet veti shëruese – mjekuese.

 

ADETET …

Ardhjen e Ditës së Verës më me gëzim e presin fëmijët, të rinjtë pa dallim gjinie, nënat … Djemtë të cilët kanë qenë në gurbet, dy a tre ditë përpara kanë ardhur në katund për këtë festë, ndërsa fëmijët e grupmoshave të ndryshme të dy gjinive, dalin në grupe dhe kërkojnë (lypin) nëpër katund, gjinia mashkullore veçmas, vajzat veçmas. Kërkojnë rregullisht të shtunën dhe të dielën e javës së pare, kryesisht të vegjlit, pavarësisht se cila datë i bie. Me vete marrin nga një shportë( në mungesë të shportës marrin nga një kusi) dhe përfundi i fusin miell që vezët që do i marrin si dhuratë mos t’u thyhen. Shkojnë derë më derë të çdo shtëpie duke thënë: “A do na daritniiiiiiiii?”

Kështu e përsëritin derisa e zonja e shtëpisë të del me një kokërr veze, apo para në dorë për t’i dhënë dhuratën. Të shtunën e javës së parë të Ditës së Verës më 04 Mars 2018 ndodhesha në Novosellë, më shoqëroi veprimtari dhe i palodhuri, mësuesi Rizvan Islami. Nëpër rrugët e katundit takova disa grupe të ndryshme duke kërkuar (lypur) nëpër katund, kryesisht fëmijë të vegjël, femrat veç, djemtë veç, pra nxënës të shkollës. Secili grup kishte nga një fëmijë që mbante kovën në dorë dhe një tjetër që mbante kuletën – portofolin në dorë. Në fund të kovës kishin vendosur miell me qëllim që vezët mos u thyhen.

Të shtunën dhe të dielën e javës së dytë të ditës së verës që mund të bie 10, 11. Marsi, dalin dhe lypin kryesisht të rriturit nëpër katund, kuptohet djemtë veçmas dhe vajzat veçmas. Grupit të djemve i prin një djalë i veshur me gëzof të kthyer mbrapshtë, në mes vendon kumbona, fytyrën ia lyejnë me ngjyrën e zezë, pra me “gjacë”( gacë). Ky person sipas vendasve në Novosellë e ka emrin “Arap”. “Arapi” e ka edhe “bashkëshorten” që i prin grupit, me vete kanë edhe tre gomerë, njërit nga këta gomerët i ka hipur “Arapi”, që ia tërheq një djalë i ri, të dytit i ka hipur plaka, po ashtu ia tërheq një djalë, ndërsa të tretit gomar i vendojnë dy pale dujçi, mbi samar i vën sanxhakun të përforcuar mirë me torkuzë – litar e mbi sanxhak e vendojnë një kosh më të madh se shporta, edhe këtë e përforcojnë me litarë për sanxhaku dhe samari, ndërsa në fund i shtrojnë kashtë të tërshërës apo të elbit, ndërsa që të mos thyhen vezët pas secilës renditje,kanë shtruar kashtë, edhe këtë e tërheq një djalë. Këta të rriturit kanë shkuar pas Arapit dhe plakës së tij shtëpi më shtëpi duke trokitur derë më derë e duke thënë njëri nga grupi: A do na daritniiiiii?

Këtë e kanë përsëritur disa herë, derisa e zonja e shtëpisë t’ju dhurojë diçka përgatitur enkas për këtë ditë, varësisht nga pasuria familjare që kanë patur, por s’mbetet familje pa dhuruar diçka; vezë, miell, sheqer, misër, groshë, mish, qepë, patate, tlyn, pastërma…

ÇFARË ËSHTË SIMBOLIKA E SANXHAKUT DHE E KOSHIT?

Arat e mbjellura me grurë, elb, thekër, tërshërë… në kohën e korrjes të japin rendimente shumë të larta e cilësore, por edhe kokrrën ta bëjnë si veza të madhe, ashtu si mbushet kollaj koshi me vezë, ashtu të mbushen kollaj hambarët dhe koshat me drithë. Gjithashtu edhe sanxhaku gjatë tërë vitit kalendarik kur mos mbetet as një ditë pa pjekë bukë, mantije, flija, ëmbëlsira, …

Kështu ky grup i të rriturve ka shkuar shtëpi në shtëpi prej mëngjesit deri në ora dhjetë paradite. Pastaj bashkërisht shkojnë dhe e shkarkojnë të gjithë materialin ushqimor të grumbulluar në atë shtëpi ku e kanë caktuar vet grupi, sepse vullnetarisht ka thënë Betimi “këtë vit do e përgatisim ushqimin te shpoja jeme (shtëpia ime)”. Grupi kthehet përsëri me vazhduar lypjen nga ato shtëpi të mbetura, kurse në shtëpinë ku i kanë lënë produktet ushqimore açojtë vendojnë kazanin me groshë për ta zierë dhe përgatitjen e hallvës. Pasi të përgatitet ushqim nga açojtë – gjellëbërësit, aty afër mbrëmjes të gjithë katundarët e Novosellës do të hanë ushqim. Të gjithë pjesëmarrësit nga shtëpitë e tyre secili me vete marrin nga një lugë dhe copë buke.

Pasi përfundon lypja në tërë katundin dhe ngrënia e ushqimit produktet e tepruara i kanë shitur aty personit që ka qenë më i pasur për t’i mbuluar harxhimet që i kanë shfrytëzuar në ushqim (I ka blerë produktet ushqimore vetëm e vetëm që t’u ndihmojë edhe pse nuk I janë nevojitur).

Të njëjtat rite dhe adete i kanë praktikuar edhe banorët e Sellcës Keçe, Orviçit dhe të Ollovjanit, sikurse në katundin Novosellë. Është mirë për me theksuar se kur u kanë munguar gomerët Orviçit dhe Ollovjanit, i kanë marrë nga Novosella për këtë ditë. Deri në vitet 1993 në Novosellë dhe më herët në katundet tjera kanë gjallëruar rrugët dhe katundet, ndërsa tani vetëm në Novosellë gjallëron kjo festë.

Po të njëjtën ditë dalin dhe lypin edhe caucat (vajzat) e Novosellës nëpër katund në disa grupe sipas mohallëve – lagjeve: Desit e mohallës poshtme me Desit e mohallës Epër shkojnë bashkë, mohalla e Marmetit me mohallën e Çaprit shkojnë bashkë, mohalla e Marshit, mohalla e Shtekët dhe Këtën Reke shkojnë secila në grup në vete. Vajzat beqare sipas mohallëve shkojnë nëpër krejt katundin duke lypur derë më derë, ndërsa ato vajzatë që janë të fejuara dalin dhe lipin vetëm në mohallën e vet bashkë me vajzat tjera derisa ta përfundojnë mohallën. Rrugëve këndojnë këngë të bukura të fejesës, martesës, beqarisë të përcjellura me dajre – def. Në secilën derë trokasin dhe njëra nga vajzat thotë: “A do na daritniiiiiiiii!”

Këtë e kanë përsëritur disa herë, derisa e zonja e shtëpisë t’u dhurojë ndonjë send përgatitur enkas për këtë ditë, si dhuratë ju kanë dhuruar varësisht nga pasuria familjare që kanë patur, por s’ka mbetur familje pa dhuruar diçka; vezë, miell, sheqer, misër, groshë, mish, qepë, patate, tlyn, pastërma, … Ka patur raste të shpeshta ku zonjat e shtëpisë para se me u dhënë dhuratën ju kanë thënë vajzave ma këndoni djalin; që e ka patur beqar, të fejuar, në gurbet, …

Vajzat për me ia bërë qejfin zonjës së shtëpisë kanë kënduar këngë të ngjashme si këto;

e kimi ni mollë e ni dardhë e ni ftue

o e kimi gjalin tonë pa fejue

ene pa fejue nuk e lana

ene nasen ma të majrë do ja xhajna

ani do ja xhajna nji sherete

ene çajo nana do ja zgjedhe vet

nana gjalit o po bajke be

pasha gjalin o pasha malin

o ma ka marr lulja o bashin e gjalit

(këndoi: B.A.)

 

ni mollë e ni dardhë e ni ftue

e kimi gjalin tonë pa martue

ene pa martue nuk e lejna

nase pi Tetove do i zana

ene do tja zana ni qibare

do ja zgjedhe motra e madhe

ene do ja zana ni sherete

do ja zgjedhe nanae vete

(këndoi: A.A.)

 

oj lulie pllami I bardhë

a t’ka thane nana udhë e mbarë

udhë e mbarë nana mka thane

lot për façe mi kanë dal

vaj – vaj udha e mbarë nana mka thane

lot për façe mi kanë zan

o nanë – o nanë ku ije taj

pse më prune në këtë shpaj

(këndoi: Xh. I.)

Pasi i këndojnë djalin, zonja e shtëpisë ua jep dhuratën që e ka ndarë enkas për to. Grupi i vajzave vazhdon derë më derë deri në shtëpinë e fundit duke kërkuar e kënduar.  Me produktet e grumbulluara përgatitin ushqim në shtëpinë e njërës nga shoqet. Kurse ditëve të tjera vetëm këndojnë nëpër rrugët e katundit deri më 14 mars.

Ditën e Verës vajzat e katundit grumbullohen bashkë, një vajzës ia vendojnë “dullakin”(duvakun) e kuq të nuseve dhe e hipin në gomarë dhe shkojnë nëpër muhallët e katundit për ta përcjellë ditën e verës me lloj – lloj këngësh të përcjella me dajre(def)… Ky rit vazhdon njëjtë sikur në dasmat origjinale, po këtu e veçanta është se pjesëmarrës janë vetëm gjinia femërore, kryesisht “cauca” beqare dhe të fejuara – që janë “ndër nishan”. Njëra nga vajzat bëhet nuse dhe ia vënë duvakun e kuq në kokë. Kur bënë me dalë nga shtëpia nis e qan me zë sa më të lartë, ashtu ngjashëm sikur dimri në ditët e fundit që egërsohet më shumë, … vajzat e pranishme të gjithë i merr “n’grajkë”(n’gryk) duke qarë sipas zakonit. Pas përfundimit të marrjes “n’grajkë” e ndihmojnë të hipë në gomar. Gomarin e tërheq një vajzë dhe dy të tjera e mbajnë për krahu nusen, ndërsa të tjerat e luajnë rolin e përcjellseve. Këngët i këndojnë caucat ashtu sikur të bëhet dasëm e vërtet me lloj – lloj këngësh të bukura, pikërisht të dasmave, e unë do t’i përmendë disa këngë që i japin madhështinë kësaj feste të bukur këta malësorë e malësore të katundit Novosellë;

kush të përcoll nase njer te mullajni

çaj volla deri musteçe majni

kush të përcoll nase njer te veni keç

çaj vollaj deri barkin si qimet

(këndoi: Z.I., Novosellë)

 

ulurojn’ ballonet o për mbaj shpaj

mori nase lule kur dot zdripim taj

për midis të lëmës luën ago baba

bajna dhandër gjalin ton, me të dal para

për midis të lëmës luën hankonen’ja

bajna dhandër gjalin ton, tët pres ted era

(këndoi; Z.I ., Novosellë)

 

da bajmë dhandër gjalin tonë

n’kraje të shkallës

a dot gjaje dhandëraja more gjali babës

da bajmë dhandër gjalin tonë

n’kraje të lames

a dot gjaje dhandëraja more gjali nanës

da bajmë dhandër gjalin tonë

me nji tar me lule

a do begjenisish taj mori nase lule

(këndoi; Z.I Novosellë)

 

aman oj mahalla e kallajnxhinve

a do bani bukë petkaxhive

a do boni ju be dera

a tu bajan vet

do va çoje gjali shokët e vet

ene shokët e gjalit kur do najsin

krejtë me pishtolla do krajsin

mohallën e nases do e bastajsin

(këndoi: Z.I., Novosellë)

 

do ta zam kulaçin me maje

more volla der a ke naje

do ta zam kulaçin me di(dy) vet

ene do ta ham me treçin vet

çagje posht te dilte fjaka

u përlashin qaka e qaka

çagje posht te dilte tajmi

u përlajshin maca e majni

(këndoi; Z.I., Novosellë)

 

taj u bane nase tu ka

gjalin da bajna dhëndër me sevda

taj do bahesh nase tuj vajta

gjalin da bajna dhëndër tu kënda

mori nasja jonë trëndafili bardhë

në këtë famile majrë se na ke ardhë

majrë se na ke ardh oj lule mori

t’na bajsh çaj e kafe, e tna bajsh sagji

majrë se na ke ardh oj lule saj zezë

t’na bajsh çaj e kafe, se do na vajnë mbesat mori

maj rë se na ke ardh mori lulja e bardhë

t’na bajsh çaj e kafe, se do na vajnë hallat mori

(këndoi: Z.I., Novosellë)

 

Është me rëndësi shumë të madhe të përmendet si për etnologët, si për historianët, … se banorët e katundit Orviç dhe Ollovjanë edhe pse flasin në gjuhën sllave, këngët edhe sot i këndojnë shqip, ashtu si i kanë kënduar stërgjyshët, gjyshet, nënat, motrat, … gjatë dasmave, festave të motmotit, … Këta banorë ritet, adetet, zakonet, traditat, veshmbathjen i kanë të përbashkëta me tonat, kjo është me shumë interes, sepse kjo të çon tek rrënjët, te origjina e vërtet e tyre shqiptare… Këto janë këngët që i ka kënduar një orviçase e martuar në katundin Novosellë;

gjali jonë i ëmbël si oriz me tëmbël

epja dorën babës se na bëhesh dhëndër

dorën ja kam dhën përhajrë ma ka ba

e gjozofsh nasen o biri babës mu mka thane

(këndoi: Sh. A)

 

Kravata e kuçe me pajka të zeza

O Agon Aga urime martesën

Urime martesën e u trashigofshi

Sbashku me Egzonën jetën e kalofshi

(këndoi: Sh. A.)

 

Po mo bon havaja fak a fak

Mori fak e fak

Ndalu moj hava ene pak

Mori ene pak

se dasmën e Agon ages e kimi merak

Mori e bëjmë për merak

(këndoi; Sh. A.)

 

Pasi vajzat përfundojnë shëtitjen nëpër katund, nga grupi ndahen pesë vajza dhe dalin para tyre sikurse të jenë përgjofshit (pritësit) ose krushqit e djalit dhe I përshëndetin përcjellësit të gjithë një nga një dhe marrin nuse nga përcjellsit. Këtu përfundon dasma dhe vajzat shpërndahen nëpër shtëpit e tyre. Pra nusja është njëri nga ritet që simbolizon ditën e verës.

Katundi Novosellë ka këto kroje; Kroni Madh, Kroni Marshie dhe Kroni Torbës dhe gratë – zonjat e shtëpisë kanë shfrytëzuar këto kroje për të mbushur ujë. Në këtë ditë secila grua është munduar të shkojë sa më herët te këto kroje për të mbushur ujë, në gjygim të bakrit dhe brenda futin lule nëse ka, në mungesë të tyre futin kullosë dhe presin degë shelgjesh. Me ujë spërkatin lamën (oborrin), dyert, enët, fëmijët, kafshët, … Uji është kusht elementar për jetën e të gjithë gjallesave, pra uji ka aftësinë pas humbjes së vetëdijes, me anë të lagies me ujë të kthjellojë apo freskojë trupin dhe mendjen. I lagin me ujë që gjatë tërë vitit të ketë ujë të bollshëm e të ketë edhe reshje të shiut. Ndërsa shelçet (shelgjet), i vëndojnë nëpër derë, sepse shelgu është një ndër bimët drurore që zen më shpejt në tokë dhe rritet shpejtë, ashtu si shelgjet që zënë kollaj në tokë, ashtu nuset e reja të mbeten kollaj shtatëzëna dhe të posalindurit e tyre të rriten kollaj (lehtë) e pa vështërësi jetësore, ashtu si shelnja që zen kollaj ashtu fara në arat e lëruara të zëne (mugullojnë), kollaj dhe të lashtat (drithërat) të rriten shpejtë, ashtu si izbet (oda të errëta për ruajtjen e bulmetit), me shekat e bulmetit të mbushen kollaj si shelçja që rritet kollaj e shpejtë …

Në këtë ditë nënat, apo nuset e reja vënë kusitë për të zier kokrra kollomoçi “me fojë”, bëjnë gurabija dhe gatuajnë fli, ashtu si renditen shtresat e flisë në tepsi, ashtu të renditen punët me rradhë në shtëpi e në fushë gjatë tërë vitit. Ashtu si e duan këtë ëmbëlsirë, ashtu të duan diellin dhe rrezet e tij, ashtu si janë të forta kokrat e misrit ashtu të bëhen të fortë edhe fëmijët e tyre.

Para mbrëmjes i presin penjtë nga duart jo si në katundet tjera të malësisë, por vetëm skajin e perit dhe e shkatllojnë dhe kështu veprojnë me të gjithë anëtarët tjerë të familjes. Penjtë e hequr i lagin me ujë dhe i vendojnë ashtu të shkatëlluar në trëndafil, në jorgovan apo në ndonjë dru peme frutore. Pra secila familje penjtë e hequr i vendojnë në kopshtet e tyre.

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media