Godet Shkëndija, firmos me sulmuesin Remzifaik Selmani

Remzifaik-Selmani-signs-Shkendija2-1024x682.png

Remzifaik Selmani është afrimi i parë i Shkëndijës së Tetovës në afatin kalimtar të verës. Kryesia bind sulmuesin të rikthehet në Tetovë, pas një sezoni të kaluar në Hungari me Ujpeshtin. Selmani, i cili firmosi kontratë trevjeçare, shihet si lojtar shumë premtues për të ardhmen. Edhe pse i ri në moshë, ai pas vetes ka katër sezone në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, ku është paraqitur me Renovën, ndërsa paralel ka luajtur për gjithë përfaqësueset e reja të Maqedonisë prej U-18 deri U-21, duke qenë në disa ndeshje mbajtës i shiritit të kapitenit.

“Të jesh pjesë e një ekipi kampion si Shkëndija vërtet është kënaqësi e madhe. Ndihem shumë i lumtur që m’u dha besimi të vij te kjo skuadër. Ekipi la pas një sezon vërtet të shkëlqyeshëm si kampion dhe fitues i Kupës dhe shpresoj që këto suksese t’i përsëritim edhe vitin e ardhshëm. Jam i entuziazmuar që vesh këtë fanellë. Çdo futbollist dëshiron të luajë në Europë, kampionët luajnë në Ligën e Kampionëve dhe mua këtë mundësi ma jep tani Shkëndija. Tifozëve u premtoj se do të jap maksimumin për fanellën kuqezi,” – u shpreh në momentin e prezantimit sulmuesi i ri kuqezi, Remzifaik Selmani. ​

Komentet
Loading...
Top