”Grupi i Kosovarëve”, grupi më i rrezikshëm mafioz në Shqipëri…

grupi.jpg

Një studim serioz dhe voluminoz që ka si autorë Fabian Zhillën dhe Besford Lamallarin (sot zv.ministër i Brendshëm), shpërfaq një pasqyrë të krimit të organizuar në Shqipëri.

“Evolimi i Strukturave të organizuara kriminale në Shqipëri”, titullohet libri që paraqet për herë të parë në një material publik të gjitha bandat më të rrezikshme mafioze në vend, të ndara në territorin e Republikës.

Kush janë ata? Kush fshihet pas tyre dhe cilët biznese gjenerojnë paratë e 40 familjeve shqiptare? Në këtë studim, figuron edhe një grup i njohur si “Grupi i Kosovarëve” . Ky grup thuhet se vepron në Fier, shkruan AktivPress.

Organizatat kriminale që veprojnë në këtë qytet mendohen të jenë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme në të gjithë historinë e tranzicionit politik në këtë shtet.

Edhe pse në vitin 2005, pati një ndërhyrje shumë të suksesshme të goditjes së organizatave kriminale në të gjithë vendin, të ashtuquajturat “grupet e Fierit” nuk u prekën thuajse fare.

Mendohet se grupet kriminale në Fier, në ndryshim nga qytetet e tjera, bazohen jo vetëm në lidhje gjaku dhe shoqërore, por mbi të gjitha në lidhje komunitare (çam, kosovarë).

Kjo ka sjellë një farë ndarje territori të këtyre organizatave kriminale, të cilat kontrollin e tyre e kanë aty ku është vendosur edhe komuniteti i tyre. Sipas ekspertëve, janë të paktën katër organizata me influencë në këtë qytet të ndara sipas lagjeve.

Tri grupet e tjera në Fier i përbëjnë çamët, labërit dhe fierakët.

Mendohet se disa nga arsyet kryesore që i bëjnë këto organizata rezistente dhe të fuqishme janë lidhja komunitare, e cila ju shërben si mbrojtje, pozicioni strategjik i qytetit të Fierit, lidhjet e forta me politikën dhe përfshirja në trafikun e narkotikëve dhe prostitucionit që në fillimet e demokracisë si dhe investimi i parave të pista në biznese të ligjshme.

Siç nënvizon edhe një nga prokurorët e intervistuar, “nëse deri në vitin 2000 krimi i organizuar në Fier përdorte format bazike të pastrimit të parave, pra kalimin e pronave në emër të familjarëve, ata sot po investojnë direkt në biznese të regjistruara dhe të deklaruara”.

Mendohet se në qytetin e Fierit të jenë hapur laboratorët e parë të heroinës dhe kanabisit në vend. Nga ana tjetër aludohet që organizatat kriminale të këtij qyteti të kenë pasur shumë ndikim edhe në organizatat që vepronin në qytetin e Vlorës. Dyshohet se truri i rrjeteve kriminale të cilat veprojnë në jug të jetë në qytetin e Fierit.

Grupet e Fierit thuhet se kanë një bashkëpunim të mirë me grupet e Beratit, Lushjës dhe Vlorës. Sot përflitet që ka të paktën dy organizata shumë të fuqishme në këtë qytet që arrijnë të kenë ndikime edhe në emërime në administratën publike dhe Policinë e Shtetit. Madje aludohet se një ndër drejtuesit e kësaj organizate ka pasur konflikte të hapura me një ndër deputetët më të njohur në jug në lidhje me kontrollin e Albpetrolit./ Orainfo

Komentet
Top