Loading...

Hahn: Para anëtarësimit në BE, Serbia duhet t’i zgjidh problemet me fqinjët

thumbs_b_c_fac867198af3878264e8e57d5b0f19ad.jpg

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, deklaroi se Serbia para anëtarësimit të plotë në BE duhet t’i zgjidhë problemet aktuale me fqinjët, raporton Anadolu Agency (AA).

Hahn në kuadër të vizitës së tij në kryeqytetin e Serbisë në Beograd u prit nga presidenti i vendit Aleksandar Vuçiç.

Pas takimit në presidencë, në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin serb, Hahn tha se Serbinë po e presin reforma të vështira, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe sundimin e ligjit.

Hahn foli edhe për procesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, ku përgëzoi Vuçiçin për guximin e treguar për nisjen e procesit në fjalë.

Duke rikujtuar se qëllimi i kësaj vizite ka të bëjë me Strategjinë e Ballkanit Perëndimor të Komisionit të BE-së të prezantuar dje, Hahn tha se viti 2025, i përmendur për anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE, “është më shumë një perspektivë se sa një datë e saktë”.

Hahn tha se Serbia duhet t’i zgjidhë problemet me fqinjët duke filluar nga Kosova dhe theksoi se BE-ja do të ndihmojë për këtë çështje.

Vuçiç: Pengesa më e madhe e Serbisë në këtë rrugë është çështja e Kosovës

Ndërkaq presidenti Vuçiç duke falenderuar ata të cilët kanë kontribuar në krijimin e strategjisë për Ballkanin Perëndimor, tha se, “Viti 2025, i përmendur në strategji, edhe pse nuk është në cilësinë e garancës, është dëshmi se kemi ndërmarrë hapa të rëndësishme dhe se kemi bërë punë të mira me BE-në”.

Vuçiç theksoi se BE-ja ka vlera tërheqëse dhe mundësi më të mira ekonomike. Ai shtoi se “BE-ja është një projekt i paqes i krijuar me sukses pas Luftës së Dytë Botërore”.

Më tej, presidenti Vuçiç theksoi se Serbia dhe Mali i Zi janë shtetet më të afërta rajonale për anëtarisim në BE dhe shtoi se në këtë proces Serbinë e presin detyra të vështira.

Duke folur për pengesat në rrugën e anëtarësimit në BE, Vuçiç tha se pengesa më e madhe e Serbisë në këtë rrugë është çështja e Kosovës.

Ai shtoi se një pengesë tjetër në këtë rrugë është çështja e kufive me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kroacinë.

“Të gjitha këto nuk janë pengesa të lehta për t’i tejkaluar. Përpara nesh ndodhen Himalajet”, tha Vuçiç.

Komentet
Top