Hapa mbrapa për KSHZ-në

0-62.jpg

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), njëra ndër institucionet e pavarura më të përfolura për politizimin saj, së fundmi përsëri bie pre e apetiteve politik të dy partive më të mëdha në vend – LSDM-së në pushtet dhe VMRO-së në opozitë, shkruan gazeta KOHA.

Gjatë takimit të fundit, kokë më kokë midis liderëve të këtyre partive , Zoan Zaev dhe Hristijan Micksovki, mes temave tjera është rënë dakord që KSHZ të kthehet në përfaqësim politik me ç’rast hiqen ekspertët, ide kjo që pritet të formalizohet në ndryshime ligjore. Se do të kthehet përfaqësimi vjetër në KSHZ, do të thotë siç ka qenë më herët me shtatë anëtarë – katër nga pushteti dhe tre opozita, e konfirmon edhe zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

“Tash për tash do të kemi kthim të përbërjes së vjetër, siç u dakorduan kryeministri Zaev me kryetarin VMRO-së me shtatë anëtarë – tre nga opozita dhe katër nga partitë në pushtet, por nëse është e përkohshme kjo zgjidhej apo e përhershme, mbetet të shihet si do të vendosin më tej partitë politike parlamentare”, tha për gazetën KOHA, Boshnjaovki. Ai tha se nuk është në dijeni që më herët në Grupet e punës për kthimin e opozitës në Parlament mes LSDM-se dhe VMRO-së, është folur që përbërja e KSHZ-së të jetë nga gjykatësit edhe atë nga Gjykata Supreme dhe ajo administrative.

MARRËVESHJE PA SHQIPTARËT

Lidhur me këtë nuk janë dakord as ekspertët dhe as partitë opozitare shqiptare, ndërsa nga BDI nuk ka ende ndonjë qëndrim konkret. Eksperti Robert Nesimi, që njihet në opinion për analiza të qëndrueshme zgjedhore, thotë për gazetën KOHA se dy partitë më të mëdha në vend, në vend se të bëjnë hapa përpara, siç shprehet ai për një reformë të gjerë zgjedhore, ata bëjnë hapa prapa duke mos hequr dorë nga përfaqësimi partiak. “Për mua, është tepër zhgënjyese që dy partitë e mëdha – VMRO dhe LSDM të vendosin pa një debat të gjerë në publik dhe pa u pyetur partitë tjera politike. Këta, në vend se të bëjnë hapa përpara pas gjithë atyre përfoljeve dhe kritikave rreh politizimit të KSHZ-së, bëjnë të kundërtën – kthehen në pikën zero ku kanë qenë duke mos hequr dorë nga përfaqësimi partiak”, thotë Nesimi. Në lidhje me heqjen e ekspertëve, për Nesimin nuk është negative, ngaqë sipas tij, ekspertët kishin dëshmuar se ishin të varur nga politika. “Negative për mua nuk është heqja e mundshme e ekspertëve meqë edhe ashtu, ata ishin të varur nga politika, pra nuk ishin ekspertë të pavarur dhe që u dëshmuan për ndonjë gjë”, thotë Nesimi. Sipas tij, zot të besohet se përfaqësimi politik nënkupton të mos zgjidhen ushtarë partiak, si dhe përfaqësimi të mos bazohet në mandate, por në vota përfshirë edhe ato të zgjedhjeve lokale. “Nëse shkohet deri në fund me këtë ide, kisha propozuar që së pari të kihet kujdes se kush po delegohet nga partitë, të mos ndodhë të kemi përsëri ushtarë partiak, pavarësisht profesionit, por persona nga jashtë që do të ishin të pranueshëm për një parti politike. E dyta, përbërja të bazohet jo tek mandatet që ka shumica, por tek votat popullore si ato të zgjedhjeve parlamentare, ashtu dhe atyre lokale, sepse edhe këto të dyta janë barometër për rritjen ose uljen e një partie politike në elektorat”, thotë Nesimi.

OPOZITA SHQIPTARE KUNDËR

Nga partitë politike gjithashtu janë kritik ndaj qasjes së VMRO-së dhe LSDM-së, ndërsa kërkohet një debat gjithëpërfshirëse për kompletimin e KSHZ-së. “Aleanca për Shqiptarët përkrah çdo nismë dhe iniciative për dialog të brendshëm politik mes forcave politike për të gjetur mundësi dhe qëndrime të përbashkëta progresive për integrimin e vendit në BE dhe NATO. Ndërsa sa i përket asaj që u bisedua në media, se dy liderët Zaev dhe Mickovski kanë biseduar për formatin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, pa qenë prezent përfaqësues të forcave politike shqiptare, për ASH-në çdo epilog do të ishte i papranueshëm pa mbështetjen e subjekteve politike shqiptare”, thotë Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët. Sipas tij, kur bisedohet për KSHZ-në, duhet një format më i gjerë liderësh politik. Për ASH-në duhet dhënë mundësia e ekspertëve të pavarur që ta reformojë KSHZ-në dhe ta pastrojnë Listën zgjedhore. “Çështje të kësaj natyre ku bën pjesë edhe KSHZ, duhet biseduar në një format më të gjerë liderësh të partive politike, në kuadër të një konsensusi më të gjerë politik. Vlerësojmë se KSHZ duhet të jetë një organ i pavarur politikisht, duke ju dhënë ekspertëve mundësinë për ta reformuar atë institucion nga ndikimi politik, për ta pastruar Listën zgjedhore, dhe për ta bërë të besueshëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha Bexheti.

Abdush Imeri, zëdhënës i Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasami, thotë se mendësia e ekskluzivitetit te partitë maqedonase po vazhdon ende. Ai pret një debat gjithëpërfshirës për të nxjerr modelin që i duhet KSHZ-së. “Edhe një nga tentimet që partitë maqedonase të vendosin për çështjet që i tangojnë gjithë qytetarët , mendësia e ekzluzivitetit po vazhdon. Presim debat gjithëpërfshirës për të treguar vlerësimet tona rreth modelit se si duhet të duket KSHZ, dhe nuk mund të pranojmë zgjidhje, të cilët na ofrojnë partitë maqedonase siç kanë vepruar edhe në të kaluarën, duke i sjell partitë shqiptare dhe tjera jo maqedonase para aktit të kryer”, thotë Imeri.

Ai kërkon që katër partitë më të mëdha parlamentare të bisedojnë sipas traditës për të sjellë modelin që reflekton realitetin politik në shtet. “Kërkojmë që të vazhdoj tradita e deritanishme që katër partitë më të mëdha nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të ulen dhe të sjellin modelin më të mirë që do ta reflektoj realitetin politik dhe shoqëror të shtetit. Presim debat gjithëpërfshirës për të treguar vlerësimet tona rreth modelit se si duhet të duket KSHZ, dhe nuk mund të pranojmë zgjidhje të cilët na ofrojnë partitë maqedonase siç kanë vepruar edhe në të kaluarën, duke i sjell partitë shqiptare dhe tjera jo maqedonase para aktit të kryer”, thotë Imeri nga Lëvizja BESA.

Ndryshe, Zaevi dhe Mickoski kanë biseduar edhe për legjislaturën zgjedhore me ç’rast është dakorduar që të harmonizohet deri në shtator. Siç ka thënë Zaev, në këto korniza është dakorduar që KSHZ të jetë organ administrativ, ndërsa partitë politike gjashtë muaj para zgjedhjeve do të marrin pjesë në KSHZ. Qëllimi është, siç theksoi kryeministri, të vendoset një zgjidhje e përhershme, e cila nuk do të shkaktojë ndikim negativ ndaj proceseve politike. “Deri atëherë, u dakorduam që pasi Maqedonia duhet të ketë KSHZ, pasi për momentin nuk ka, ta kthejmë vendimin e vjetër ligjor ku kryetarin e propozon opozita, ndërsa shumicën në KSHZ e ka shumica parlamentare”, sqaroi Zaevi. Por, për KSHZ-në është folur edhe në Grupet e punës mes LSDM-së dhe VMRO-së që përbërja e saj të jetë me short nga Gjykatësit e Gjykatës Supreme dhe ajo Administrative dhe të hiqet përfaqësimi nga partitë politike. Por duket që kërkesa ka ardhur prej VMRO-së dhe është pranuar nga ana e kryeministrit Zaev./koha

Komentet
Loading...
Top