Hije amerikane dhe gjermane në takimin e Kretës: afrimi Turqi-Serbi, a po sjell afrimin greko-shqiptar?

kocbus.jpg

Shkruan: Mentor Nazarko

Pasi kanë përfunduar me njëfarë suksesi të pjesshëm takimet në Kretë, është i detyrueshëm një lexim më i thelluar i bisedimeve më të përqendruara në historikun e marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Sprova për t’i bërë një zhbirilim takimeve në Kretë cytet edhe më nga fakti se deklaratat zyrtare që u lëshuan nga diplomacia shqiptare dhe ajo greke nuk është se dritësuan gjithçka palët ranë në ujdi.

Kjo është e kuptueshme deri diku, ngase të dyja palët nuk vunë pikën mbi ‘i’ apo nuk negociuan marrëveshje të krehura më parë. Më shumë sesa përfundim, takimet e Kretës ravijëzuan piketat e bisedimeve të ardhshme, që figurshëm mund të shihen si diktim i parimeve të epërme për punën metikuloze të komisioneve përkatëse.

Në këtë frymë ishin ujditë për marrëveshjen e detit, traktatin e ri të miqësisë (bashkë me ligjin e luftës), të drejtat e pakicës greke dhe çështje të tjera që vijnë si ‘pajë’ nga historia apo aktualiteti.

Në takimin e radhës, që me gjasë do të mbahet në Tiranë, të dyja vendet kanë vendosur me sajdi të përimtojnë të gjitha problemet që mundojnë frymëmarrjen normale të marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Në këtë qasje duket se ka mbizotëruar propozimi i Institutit Grek për Politikë të Jashtme, ELIAMEP, që pati sugjeruar qysh në vitin 1999 që Greqia të shqitej nga rreshtimi i saj tradicional ortodoks me Serbinë dhe të konceptualizonte një marrëdhënie të re me shqiptarët.

Së këndejmi, ish-ambasadori grek në Tiranë, Aleksandros Mallias, pati propozuar zgjuarsisht një prospekt më tërësor të bisedimeve shqiptaro-greke, ku faktori shqiptar pranohej si i njësishëm në Ballkan, dhe kjo kishte logjikën e vet mu për faktin që rritej hapësira negociuese dhe gjasat për paqësim largvajtës të të dy popujve.

Kjo linjë mendimi fitoi truall edhe në kohën e pararendësit të ministrit të Jashtëm, Nikos Kocias, por tevona kriza drobitëse në Greqi pamundësoi sendëzimin e saj.

Një rrethanë që mund të shihet si momenti më i mirë për arritjen e këtij realiteti është edhe fakti që qeveria e sotme greke (me pinjoll të ish-partizanëve militantë grekë), me një traditë simpatizuese ndaj popullit shqiptar, është më seriozja për të trazuar këtë mision të vështirë, por të domosdoshëm.

Udhëheqësi i të majtës greke Cipras, përpos si një individ i formësuar mes literatures marksiste, ka pasur një miqësi personale me Shqipërinë.

Tek ai nuk mund të ndeshen qëndrime negative kundër Shqipërisë, pavarësisht se gjatë mandatit të parë, por edhe tani, Qeveria e Ramës nuk ngurroi të shigjetonte kritika e deklarata të forta kundrejt Greqisë.

Më fjalë të tjera, merret me mend që prej Greqisë do të përbrendësohej një qasje konstruktiviste.

Greqia zgjodhi edhe një moment të shënueshëm në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, veçmas tani kur po pritet ethshëm drita e gjelbër për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, dhe deklaratat e Kocias se do të bisedojë në BE edhe për të ardhmen evropiane të vendit tonë lënë vend për shqetësim.

Sado që ka zëra që alarmojnë se vetoja greke mund të vërtitet si shpatë Damokleu në këtë proces, ka arsye të mendohet që Gjermania vigjilente të mos i lejojë Greqisë këto ojna diplomatike. Dhe më shumë sesa një mejtim konspirativ, Gjermania si shteti që kollitet në BE është një një situatë sipranie ndaj Greqisë që është ronitur në kontekstin rajonal.

Paçka se forca negociale e Greqisë ende është e madhe, ajo nuk i ikën dot imperativit që të përvijojë një politikë prudente të ndërtimit të marrëdhënieve të shëndosha me fqinjët e saj: shqiptarë, maqedonas e turq.

E parë nga ky kënd, Greqia do të jetë e detyruar që edhe për hir të investimeve të saj në tregjet rajonale, pas mpirjes që solli kriza rrokakrejtëse, të shkarkojë barrën e problemeve me fqinjët dhe të hapërojë me një frymë të re konstruktiviste. Dhe në shërbim të kësaj do të jetë sfida e muajve në vijim për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit të Maqedonisë si dhe vizita e paralajmëruar e presidentit turk në Greqi.

Por edhe Shqipëria duhet të njohë pikat e saj të forta dhe të mos lërë vend për kompekse: është fakt i pamohueshëm që tani shteti shqiptar është anëtar i NATO-s, gjeostrategjikisht e gjeopolitikisht me lidhje të nduarnduarta me Perëndimin, afër një milion shqiptarë, legalisht ose ilegalisht, punojnë e jetojnë në Greqi me depozita prej afro 4 miliardë eurosh në bankat greke, si dhe ata janë një nga kolonadat më të forta që mbajnë në këmbë sistemin shëndetësor grek.

Duke marrë shkas nga një bisedë telefonike të bërë muaj më parë mes zotit Rama dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Tilerson, është e lejuar të besohet që edhe amerikanët janë përfshirë në relaksimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Nuk duhet harruar që Tilerson është një ish-manaxher i një kompanie globale nafte, dhe me gjasë ai ka shprehur interesim për burimet e naftës që besohet të jenë në thellësitë e Jonit.

Pyetja aq e shpeshtë në opinion nëse fituam apo humbën në Kretë, duhet të marrë përgjigjen se një fillim i mbarë është gjysma e punës. Takimet filluan dhe mbaruan me një serenitet të përzemërt diplomatik: prej shoqërimit të Bushatit në Tiranë me avionin e Kociasit e deri te heqja e valles me muzikë tradicionale greke.

Sado që nuk duket se ka pasur një marrëveshje të natyrës së prerë për detin, palët janë marrë vesh që të ketë vijim të bisedimeve për caktimin e sinorëve detarë nëpërmjet grupeve negociatore (që do të kenë në përbërjen e tyre ekspertë, hartografë, ushtarakë e diplomatë të ndryshëm).

Është evidente se nga ato që u biseduan në Kretë del që Shqipëria ka pasur humbje në marrëveshjen e vjetër, që konfirmohet edhe nga gazeta ndërkombëtare dhe supozimet për nje vendburim gazi në afërsi të ishujve Othoni dhe Erikuza.

Ndërsa duhet të presim edhe zhvillimet gjatë muajit dhjetor, përcaktimi i parimeve e lehtëson punën e negociatorëve të specializuar.

Në lidhje me Ligjin e Luftës, sikundër bëjnë me dije burime të mirinformuara, ai do të jetë i përfshirë brenda Traktatit të ri të miqësisë mes dy vendeve.

Në këtë kuptim, duket paksa e vështirë zgjidhja e çështjes së pronave shqiptare në Greqi, pavarësisht se ato janë lehtësisht të kuantifikueshme në terma financiarë. Në ndërkohë palët duket se kanë hedhur hapa më të suksesshëm për çështje më pak të rëndësishme, si tekstet mësimore të historisë që eventualisht përmbajnë dromca animoziteti, vulat apostile, pakica greke e të tjera si këto.

Sado që çështja çame nuk është mbarështruar në tryezë, pasi Athina ngulmon në mosqenësinë e saj si problem, është e mundshme që të ketë njëfarë zgjidhje që i shërben rastit të maqedonasve të veriut të Greqisë, të cilëve u lejohet lëvizja në Maqedoninë e Egjeut.

Sidoqoftë, qeveria greke dhe mediat e afërta me të janë treguar të përmbajtura që të mos bëjnë triumfalistin, veçmas në kohën kur partia ‘Neo Demokratia’ po del mjaft mirë në sondazhe.

Duke ikur çfarëdo leximi rozë të bisedimeve në Kretë, duhen thënë edhe disa konsiderata shtesë. Në Greqi mund të ketë një momentum që favorizon afrimin me shqiptarët, e shkaktuar kjo nga tromaksja greke prej afrimit të Serbisë me Turqinë, që në prapakthim sjell rikonfigurime të fuqisë në rajon.

Dhe mbetet për t’u parë nëse Greqia do të përfillë propozimin e bërë edhe nga kreu i Bashkimit Demokratik në Maqedoni, Ali Ahmeti, që të njihet pavarësia e Kosovës.

Të gjithë këta variabla mbetën të hapur…

Komentet
Top