Loading...

Imer Selmani deklasoi idenë për kandidat konsensual

Robert-Nesimi-1a-bg_resize.jpg

Robert Nesimi

Në teori koncepti për kryetar shteti konsensual është ide e mirë. Sipas të gjitha normave dhe traditave demokratike, si dhe sipas Kushtetutës, ligjeve dhe rregullave tjera të shtetit, kryetari duhet të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi, feje, gjinie, ideologjie politike apo çfarëdo karakteristike tjetër. Është e vërtetë që në realitet ky nivel përfaqësimi politik tek ne nuk është arritur kurrë, nëdrsa kulmin e animit të skajshëm politik gjatë kryerjes së detyrës e arriti kryetari në ikje Gjorge Ivanov. Megjithatë kjo nuk do të thotë se tani të dorëzohemi dhe se nuk duhet të kemi për qëllim zgjedhjen e një kryetari të këtillë.

Pasi kryetari i shtetit duhet t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët njëlloj, sipas konceptit të kryetarit konsensual është e dëshirueshme që ai të zgjidhet me shumicë votash nga të gjitha nëngrupet e qytetarëve. Pra atë duhet t’a përkrahin shumica e të gjitha nacionaliteteve, feve, gjinive etj. Temë dominante e diskursit politik tek ne, në kuptimin e organizmit politik të nëngrupeve të këtilla, kanë qenë dhe mbesin identitetet etnike. Prandaj koncepti i kryetarit konsensual, të paktën sipas BDI e cila e para e lansoi këtë ide, thjeshtohet në kërkesën që kryetari të zgjidhet nga një shumicë maqedonasish dhe shqiptarësh.

Pikërisht këtu koncepti i kryetarit konsensual ballafaqohet me realitetin. Konkretisht është mëse e qartë se nuk mund të flitet për kryetar konsensual në sistem ku kryetarin e zgjedhin qytetarët në zgjedhje të drejtëpërdrejta. Së pari, në kësi sistemi është e pamundshme të konstatohet nëse dikush vërtetë ka fituar shumicën e votave të maqedonasve, shqiptarëve, turqve etj. Por edhe sikur kjo të ishte e mundshme, është tejet e vështirë që një kandidat të arrijë të fitojë shumicën e votave nga secili nëngrup. Është pothuajse e sigurtë që përherë do të gjendet ndonjë grupacion i cili do të votojë ndryshe nga tjerët dhe do të marrë të drejtën të thotë se kryetari i zgjedhur nuk është konsensual, nuk i përfaqëson ata dhe nuk do të jetë kryetar i të gjithëve njëlloj.

Zgjidhja e BDI-së për këtë dilemë është të suspendojë zgjedhjet presidenciale. Sipas tyre presidentin konsensual duhet t’a zgjedhin partitë më të mëdha të shqiptarëve dhe maqedonasve, të definuar sipas numrit të deputetëve në Parlament. Me fjalë të tjera reper për zgjedhjet presidenciale duhet të jenë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Dhe kjo pa përfillur fare vullnetin e qytetarëve për preferencat e tyre për kryetar të shtetit.

Këtë koncept qesharak për zgjedhje të kryetarit më së miri e demaskoi kandidati Imer Selmani në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009. Është e rradhës të përkujtohemi se si dukej situata politike gjatë atyre zgjedhjeve, si ilustrim më i mirë pse koncepti i kryetarit konsensual nuk është i zbatueshëm, madje është i padëshiruar në praktikë.

Në vitin 2009 zgjedhjet presidenciale u mbajtën më pak se një vit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2008. Në ato zgjedhje VMRO dhe BDI shënuan fitore të thella në kampin maqedonas, gjegjësisht shqiptar. Ato pastaj formuan koalicion dhe qeveri që gëzonte mbështetjen e mbi 80 deputetëve, pra kishin shumicë dy të tretash. Sipas secilit parametër ata pra shënuan fitore absolute dhe përkrahja e popullit shqiptar dhe maqedonas pa mëdyshje ishte në anën e tyre.

Sipas logjikës së tanishme të BDI-së për kryetar konsensual, rezultatet e atëhershme diktonin që kryetar shteti të bëhej ndonjë figurë për të cilën do dakordoheshin VMRO dhe BDI. Por atëherë për këtë koncept nuk flitej fare, prandaj secila parti garoi me kandidatin e saj. Gjithsej garuan shtatë kandidatë nga shtatë parti. Ditën e njëjtë u mbajtën edhe zgjedhje lokale.

Në rrethin e parë më së shumti vota fitoi Gjorge Ivanov i VMRO, që vërtetoi edhe një herë dominimin total të saj në bllokun maqedonas të partive. Por çudia ndodhi tek blloku shqiptar. Edhe pse BDI i pat fituar zgjedhjet parlamentare 2008 dhe zgjedhjet lokale që u mbajtën të njëjtën ditë, kandidati Imer Selmani shkeli kandidatin e BDI-së Agron Buxhaku. Ai fitoi rreth 150.000 vota dhe në fakt ishte shumë afër hyrjes në rrethin e dytë. Kandidati i BDI-së Buxhaku morri vetëm 70.000 vota. Pra në ato zgjedhje Imer Selmani deklasoi BDI-në dhe me këtë edhe konceptin e kryetarit konsensual. Ai tregoi se zgjedhjet parlamentare asnjëherë nuk mund të jenë matës për presidencialet dhe se vendimin përfundimtar megjithatë e sjellin qytetarët. Pa marrë parasysyh se për kënd kanë votuar në zgjedhje parlamentare, ata duan t’a ruajnë të drejtën e votës edhe për zgjedhje presidenciale. Në vitin 2009 me votën e dhënë për Imer Selmanin, ata treguan se dijnë të bëjnë dallim mes zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, gjegjësisht mes Qeverisë dhe Presidencës. Dhe ky është sinjali më i mirë se zgjedhja e kryetarit nuk mund të jetë çështje e marrëveshjeve mes partive politike, por se duhet të jetë rezultat i vullnetit të shprehur të qytetarëve. Kryetari nuk mund të jetë piun i qeverisë, por vërtetë kryetar i të gjithë qytetarëve.

Ndryshe nga viti 2009, ideja e kryetarit konsensual është edhe më e pazbatueshme në kushtet e sotme. Në fund të fundit SDSM nuk fitoi shumicë votash në zgjedhjet e fundit parlamentare. BDI kaloi edhe më keq, sepse morri vetëm 35% të votave të shqiptarëve. Kështu as SDSM nuk ka të drejtë të flasë në emër të shumicës së maqedonasve, lere më BDI në emër të shqiptarëve.

Prandaj çfarëdo marrëveshje për kandidat të përbashkët mes partnerëve të koalicionit duhet të trajtohet si marrëveshje e thjeshtë politike mes disa partive politike për garim të përbashkët në zgjedhje. Në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet fjalë për kryetar konsensual të gjithë qytetarëve, sepse këto parti nuk përfaqësojnë shumicë të asnjë grupi etnik apo qytetar. Edhe po të kishin shumicë të tilla, fjalën e fundit megjithatë e kanë qytetarët, që përsëri mund të vendosin për ndonjë kandidat të tretë, siç vendosën për Imer Selmanin në vitin 2009.

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media