Irani ka përbërësit e duhur për një revolucion

Fareed-Zakaria1.jpg

FAREED ZAKARIA

Komenti më i iluminuar, mbi atë që po ndodh tani në Iran, është shkruar 162 vjet më parë. Në librin e tij mbi Revolucionin Francez, Alexis de Tocqueville shkruante: “Revolucionet nuk vijnë gjithmonë nga një rënie graduale, nga një gjendje e keqe, tek një gjendje më e keqe. Kombet që kanë vuajtur me durim dhe pothuajse në mënyrë të pandërgjegjshme shtypjen më të madhe, shpesh shpërthejnë në rebelim kundër zgjedhës, në momentin që ajo fillon të bëhet pak më e lehtë. Regjimi i shkatërruar nga një revolucion, është pothuajse gjithmonë një përmirësim, krahasuar me paraardhësin e tij, dhe përvoja na mëson se momenti më kritik për qeveritë e këqija, është ai kur bëjnë hapat e para drejt reformimit”.

Pse këto protesta po ndodhin në Iran dhe jo në, le të themi, Korenë e Veriut? Kjo është pyetja të cilës Tocqueville i jep përgjigje për ne.

Marrëdhënia thellësisht antagoniste midis Uashingtonit dhe Teheranit, e bën të lehtë të harrohet se Irani sot është më i hapur se shumë vende të tjera në Lindjen e Mesme. Krahasoni gjendjen e grave dhe pakicave në Arabinë Saudite dhe Iran, dhe do të gjeni se vërtetë nuk ka të krahasuar. Dhe në vitet e fundit, Irani ka ndërmarrë hapa drejt një hapjeje edhe më të madhe, megjithëse shpeshherë janë sprapsur, pasi linjat e ashpra fitojnë mbi reformatorët, në atë që është ende një regjim represiv.

Gjatë dy dekadave të fundit, vendi ka zgjedhur vazhdimisht presidentë të cilët kundërshtohen nga establishmenti i vijës së ashpër. Në vitin 1997, ai zgjodhi Mohammed Khatamin, i cili tani është nën arrest shtëpie virtual. Pastaj erdhi Mahmud Ahmadinejad, retorika dhe mënyra radikale e të cilit, maskuan faktin se ai ishte një i huaj në mullaho-kracinë, e cila kishte drejtuar Iranin që nga viti 1979. Ahmadinejadi ishte një politikan i zgjuar i rrugës, pa asnjë kredencial teologjik dhe kështu u konsiderua një kërcënim për klerikët që donin të mbanin pushtetin. Sot, vendi ka një tjetër president reformist, Hassan Rouhani, i cili është zgjedhur dy herë, herën e dytë me shumicë të madhe. Establishmenti i vijës së ashpër në Iran ka kërkuar të minojë axhendën reformatore të Rouhanit. Në fakt, disa vëzhgues seriozë spekulojnë se protestat janë projektuar nga personazhet ekstremë, të cilët do t’i përdorin për të justifikuar një goditje dhe një fund total për reformën.

Lëvizja e Gjelbër e 2009 në Iran është një ilustrim i tezës së Tocqueville. Ndodhi vetëm sepse vendi mbajti zgjedhje, të shoqëruara me debate, kandidatë me pikëvështrime të kundërta dhe votim të fshehtë. Procesi zgjoi shpresat e shumë iranianëve, të cilët më pas u zhgënjyen thellë kur, në fund, zgjedhjet u mendua se ishin manipuluar dhe kandidati me mendësi reformatore ishte mundur. Në Egjipt sot, askush nuk pret zgjedhje reale kështu që kur Gjenerali Abdel Fatah al-Sisi fiton 97 përqind të votave, askush nuk proteston.

“Abuzimet për të cilat u akuzua qeveria franceze nuk ishin të reja, por drita nën të cilën u panë, ishte e re”, shkruante Tocqueville. “Ka patur më shumë probleme në departamentin financiar më herët, por që atëherë kishin ndodhur ndryshime, në qeveri dhe në shoqëri, të cilat bënin që tani të ndiheshin më fort”. Në po të njëjtën mënyrë, ekonomia iraniane ka qenë gjithmonë një rrëmujë jofunksionuese – një përzierje toksike e autarkisë, socializmit shtetëror dhe korrupsionit. Por në vitet e fundit, shpresat e njerëzve janë shtuar prej premtimeve të reformatorëve, pritshmërive që sanksionet do të hiqeshin dhe njohurive për jetën jashtë Iranit. Në fakt, protestat u nxitën prej një serie reformash ekonomike.

Libri i Ian Bremmerit “The J Curve”, i vitit 2006, argumentonte se disa vende janë të qëndrueshëm për shkak se janë të mbyllur – Korea e Veriut dhe Bjellorusia për shembull – ndërkohë që të tjera janë të qëndrueshëm, sepse janë të hapur, si SHBA dhe Japonia. Të parët ngrejnë mburojë ndaj erërave të globalizimit; të dytët janë fleksibël dhe elastikë mjaftueshëm, për t’iu përshtatur këtyre forcave. Periudha më e vështirë është kur një vend kalon nga të qënit i mbyllur, në të qënit i hapur. Nëse regjimi është i mençur dhe strategjik, mund të jetë në gjendje të reformohet dhe të përballojë këtë tranzicion të vështirë. Por ka dy rrugë të tjera, që kanë më shumë gjasa të ndiqen – kaosi prodhon një rikthim tek shtypja ose kolaps të shtetit.

Irani i ka të gjithë ingredientët për një revolucion. Më shumë se gjysma e popullsisë është nën 30 vjeç, shumë të rinj janë të arsimuar por të papunë, pothuajse 50 milion iranianë kanë smartphone me të cilët mund të mësojnë për botën, dhe reformatorët kanë rritur vazhdimisht shpresat, por nuk i kanë mbajtur asnjëherë premtimet. Por regjimi ka gjithashtu instrumentat e pushtetit, ideologjisë, shtypjes, të cilat të gjitha është gati t’i përdorë për të ruajtur kontrollin. Për Iranin duket se do të ketë një periudhë paqëndrueshmëria – në një Lindje të Mesme, edhe kështu shumë të paqëndrueshme. / Burimi: The Washington Post – Bota.al

Komentet
Top