Itali, shqiptarët shpërndanin drogën me kode nazistësh – VIDEO

070.jpg

16 persona u arrestuan ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim, si pjesë e një bande kriminale ndërkombëtare e përbërë nga shtetas me origjinë shqiptare që vepronin në Itali.

Banda tregtonte drogë dhe më pas i investonte paratë në sektorin turistik dhe hotelerisë në Shqipëri. Operacioni ishte pjesë e një hetimi të përbashkët italo-shqiptar.

“Hetimet kanë filluar në vitin 2010 nga Gjykata e Venecias e cila në përfundim të hetimeve ka lëshuar 21 urdhra arresti për personat përgjegjës të këtij grupi kriminal. Vendimi është ekzekutuar në të njëjtën kohë si në territorin shqiptar ashtu dhe në territorin italian, në bashkëpunim të ngushtë midis Autoriteteve Gjyqësore dhe Policisë së të dy vendeve, me koordinimin e policisë të Drejtorisë Qendrore të Antidrogës, të Shërbimit Qëndror për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme si edhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza – Reparti i 2-të”, deklaroi Artur Beu, Koordinator në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kokat e kësaj bande mendohet të jenë dy vëllezërit Emiljan dhe Altin Hajri nga Shijaku, të cilët kontrollojnë prona të patundshme në bregdet. Këta të dy, së bashku me Fortuz Hajrin, Astrit Muçën dhe Shahin Carën vijojnë të jenë ende në kërkim.

Sipas të dhënave policore, droga, origjina e së cilës nuk dihet ende, transportohej me vetura dhe kamionë në qytetet Veneto, Trentino Alto Adige, ku grupi kriminal kishte bazat logjistike për përpunimin dhe përzierjen e më pas ajo shpërndahej në Veneto, Trentino , Lombardi dhe Toskana.

Organizata kriminale ishte në gjendje të fuste në tregun italian deri në një ton heroinë në vit. Mënyra e ndërtimit të trafikut i përngjan një skeme mafioze:

– një grup shpërndarjeje dhe dorëzimi në Trento

– një grup i dytë i mbështetjes logjistike po në Trento për të mbledhur paratë dhe për t’i dërguar në Shqipëri, me rrugë tokësore dhe ajrore

– një grup i ngarkuar për pritjen, përpunimin dhe shpërndarjen e ngarkesave në Verona.

– një strukturë kriminale që ndodhej në Padova, e cila lidhte grupet me njëra-tjetrin.

Nga hetimet rezulton se struktura ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që atëherë kur një grup mund të kapej, organizata mund ta vazhdonte normalisht trafikun e drogës.

Hetimet treguan se, grupi kriminal përdorte për komunikimin në distancë një kod alfanumerik, periodikisht i rinovuar dhe ndaj operacioni është koduar me emrin “Enigma”, që u referohet kodeve që përdoreshin nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore./T-Ch

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top