Italia debuton me fitore, gjunjëzohet Belgjika – VIDEO

0-117.jpg

Italia debuton me fitore në Euro 2016. Të kaltërit triumfuan 2-0 me Belgjikën, skuadrën që në letër cilësohej më e vështira e Grupit E për të besuarit e Antonio Contes. Një sukses i vuajtur, i arritur me këmbëngulje dhe eksperiencë përballë yjeve të Djajve, nga Hazard, te Lukaku e Mertens. Një ndeshje e vështirë, me belgët që dhanë sinjalet e para të rrezikshme me Nainggolan. Fillimisht mesfushori gjeti në rrugën e tij Buffon, ndërsa në tentativën e dytë shënjestra nuk ishte e duhura.

Për të krijuar momentin e parë të rrezikshëm, Italisë iu nevojitën 29 minuta, me Pelle që nuk inkuadroi si duhet, por në të 32-ën të kaltërit gjetën golin e avantazhit me Giaçherini-n. Sulmuesi i Bologna-s shfrytëzoi në mënyrë perfekte pasimin e gjatë të Bonuçi-t, duke thyer Courtois. Avantazhi i dha zemër italianëve, që provuan edhe me Candreva-n, ndërsa në të 37-ën ishin fare pranë golit të dytë me Pelle, me topin që përfundoi pak centimetra jashtë portës.

Pas këtij momenti, Italia nisi të vuante, ashtu si trajneri Antonio Conte, që pësoi një çarje të lehtë në hundë gjatë festimeve të golit, ndërsa pjesa e parë u mbyll me belgët në aksion, me Witsel që drithëroi Buffon. Pjesa e dytë vazhdoi me Belgjikën në sulm, me Lukakun që në të 54-tën mund të kishte ndëshkuar Buffon, por sulmuesi i Djajve të Kuq ishte i pafat. Edhe Italia ishte pranë golit me Pelle, me Courtois që mbajti të tijtë në lojë, ndërsa Hazard dhe yjet e tjerë të Belgjikës u dukën të pafuqishëm për të gjetur rrjetën. Pas tij, pa sukses provuan edhe Lukaku dhe Mertens, ndërsa Origi 7 minuta përpara fundit kishte mundësinë më të mirë për të barazuar, por sulmuesi nuk e kalibroi si duhet goditjen me kokë.

Duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara, Italia provoi ti godiste rivalët me Immobile, ndërsa belgët të hedhur dëshpërimisht në sulm nuk kishin forcën e duhur goditëse. Për të mbyllur çdo diskutim mendoi Graziano Pelle, që finalizoi në mënyrë të shkëlqyer një kundërsulm perfekt të Italisë, duke dërguar të kaltërit në delir. edhe pse me pak kualitet dhe pa yje të mëdhenj, Italia konfirmoi se do të jetë protagonistë në Euro 2016.

Komentet

Leave a Reply

Top