Ja cilat janë vendet ku shëndeti juaj vlen shumë pak

0314.jpg

“Harta e shëndetit 2014” – Kush sëmuret gjatë pushimeve, duhet të bëjë kujdes, pasi thuajse një në çdo dy vende të botës kujdesi shëndetësor paraqitet me shumë mangësi. Studimi i aktualizuar i organizatës “International SOS” na tregon se sa i lartë mund të jetë ky rrezik për secilin vend apo rajon në botë, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kush sëmuret gjatë pushimeve, duhet të bëjë kujdes, sepse shpesh ndodh që të mbartë me vete shanse jo të mira për shërim: pasi thuajse një në çdo dy vende të botës kujdesi shëndetësor paraqitet me shumë mangësi. Një e ashtuquajtur “Harta e shëndetit”, ose siç njihet në terminologjinë ndërkombëtare, “The Health Map”, tregon se sa i lartë mund të jetë ky rrezik për secilin vend apo rajon në botë.

Nuk ka rëndësi nëse do të shkosh në Indi apo Namibi, Kili apo Bora Bora: kulturat e huaja, klima tropikale apo dhe niveli i lartë i aventurave që të presin, të tërheqin të lëvizësh drejt destinacioneve të largëta, pa e vrarë shumë mendjen.

Kështu, ndërkohë po bëhet thuajse një trend i mirëfilltë që këto destinacione të mos i shijojnë më vetëm të pasurit, por edhe familjet me shumë fëmijë nga mbarë vendet e Europës Perëndimore e më gjerë, por sidomos biznesmenët.

Sa më ekzotik të jetë destinacioni turistik, aq më të mëdha janë dhe të papriturat. Kjo prek sigurisht edhe sektorin shëndetësor dhe të gjitha çështjet që lidhen me rreziqet shëndetësore, sikurse janë sëmundjet apo përkujdesi shëndetësor në vendin që ndodhemi.

Pasi një gjë është e qartë: kush sëmuret seriozisht gjatë rrugës për pushime dhe nuk mund të pretendojë për ndonjë ndihmë apo asistencë mjekësore adekuate, për të udhëtimi në fjalë ka marrë fund tashmë pa filluar ende. Në fund kërcënohet të kthehet në një “mall” të vështirë për t’u transportuar në vendlindje.

Pesë rreziqe: nga më i ulëti te më i larti

Kështu, organizata “International SOS”, lideri mbarëbotëror që trajton çështjet e përkujdesit, këshillimit dhe sigurisë shëndetësore në udhëtime, ka ndërtuar pesë shkallë rreziku, ku marrin pjesë të gjitha vendet e botës të ndara në këto nivele: “i ulët”, “mesatar”, “i mesëm i lartë”, “i lartë” dhe “shumë i lartë”. Vlerësimi mjekësor i vendeve bazohet kësisoj në kritere si kërcënimet nëpërmjet sëmundjeve infektive ose që vijnë nga rastet e aksidenteve, por edhe në kualitetin në aksesin te sistemet e përkujdesjes mjekësore lokale.

Udhëtarët që lëvizin jashtë vendit më shumë dhe përtej destinacioneve “normale” turistike, do të bënin kështu mirë që të informoheshin mjaftueshëm e të merrnin masa të përshtatshme për të ruajtur shëndetin e tyre.

Por sigurisht se ekspertët e “International SOS”, këshillojnë që t’i hedhin një sy edhe “Hartës së shëndetit”, e cila aktualizohet çdo vit prej tyre, për ta vlerësuar rrezikun më konkretisht, duke u bazuar në sistemin shëndetësor të çdo vendi.

Rreziku haset në çdo dy vende

Në thuajse 80 vende të botës, e kështu njëkohësisht thuajse në gjysmën e të gjitha shteteve të botës, udhëtarët i ekspozohen një rreziku mjekësor të lartë. Rreth 38 vende janë të shënuara me ngjyrën e kuqe të errët në “Health Map 2014”, çfarë do të thotë se në këto vende mbizotëron një rrezik ekstremisht i lartë.

Janë pikërisht vende të tilla si: Koreja e Veriut, Afganistani, Iraku, Siria, Somalia apo dhe Sierra Leone, të cilat perceptohen realisht edhe si vende jotipike e jo të preferuara turistike, por edhe Butani, Uganda dhe Mongolia, që janë vende që tërheqin gjithnjë e më shumë turistë.

Në 40 vende të tjera, e ndër ta renditen edhe vende shumë të preferuara për turistët, si Kenia, Nepali dhe Bolivia, “International SOS” i klasifikon megjithatë si vende me rrezik të lartë.

Europa e sigurt, Shqipëria nivel mesatar

Me pak raste përjashtimesh si në Bjellorusi, Moldavi apo Ukrainë, sipas studimit të organizatës në fjalë, pjesa e mbetur e kontinentit europian paraqet një sistem shëndetësor apo përkujdesje mjekësore në nivele të mira dhe shumë të mira. Pushuesit dhe biznesmenët në këto vende i pret një rrezik i ulët mjekësor. Për sa i përket Shqipërisë, ajo futet te vendet me rrezik “të mesëm” ose dhe “të mesëm të lartë”.

Në një kontrast të thellë me Europën, ndodhen vendet e Afrikës. Në këtë kontinent duhet bërë realisht edhe kujdesi më i madh: të gjitha shtetet e këtij kontinenti, duke mos përjashtuar as Marokun e vendet e Magrebit, si Tunizia dhe Saharaja Perëndimore, renditen në zonën me rrezikshmëri “të lartë”, deri në atë me rrezikshmëri “shumë të lartë” shëndetësore.

Vizitorët apo turistët para ndërmarrjes së udhëtimit të tyre në ato vende, duhet të informohen domosdoshmërish shumë mirë mbi situatën mjekësore aktuale atje për çdo rast veçmas.

Diferenca mes dy Amerikave

Në kontinentin Amerikan, ka një ndryshim shumë të madh mes Veriut të klasifikuar “shumë të sigurt” dhe Jugut që mbart mjaft rreziqe. Kështu, standardet mjekësore në thuajse të gjitha vendet e Amerikës Qendrore dhe asaj të Jugut, janë shumë më të këqija sesa në Kanada e SHBA.

Por vetëm një vend nga kontinenti Amerikan megjithatë mund të renditej si vendi me shkallën më të lartë të rrezikut nga kujdesi shëndetësor, sipas “International SOS”, e ai është Haiti.

Në Azi ndryshon qyteti me fshatin

Në Azi, rreziku në këtë rast është sigurisht në total “i mesëm” ose “i mesëm i lartë”, por gjithsesi mes tyre ka shumë diferenca, qoftë edhe mes lokaliteteve e provincave brenda të njëjtit vend. Ndërsa turistët në spitalet e shumë kryeqyteteve – dhe qyteteve të mëdha mund t’ia dalin më së miri, objektet spitalore e shëndetësore në lokalitete zakonisht posedojnë nivele shumë të dobëta përkujdesjeje. Japonia, brenda kontinentit, vlerësohet si vendi me përkujdesjen më të mirë mjekësore dhe rreziku atje vlerësohet si “i ulët”.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top