Ja ç’ka bërë qeveria Haradinaj për ekonominë në 100 ditët e para

Raporti_100_dite_Qeveria_Haradinaj.jpg

Qeveria e Kosovës, ditë më parë ka prezantuar në detaje punën që është bërë në të gjitha dikasteret për 100 ditët e para të saj.  Nga ky raport, tesheshi.com ka marrë vetëm punën që është bërë në aspektin ekonomik.

Në raport thuhet se në 100 ditët e para, qeveria e Kosovës  ka marrë  shumë vendime që drejtpërdrejt  ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të qytetarit të Kosovës.

Gjatë 100 ditëve të para të qeverisë, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Kjo kontratë është nënshkruar me Kompaninë Amerikane “Contour Global” e cila kontratë siguron investimin më të madh në Kosovën e pasluftës në vlerë prej 1.3 miliardë euro. Projekti pas implementimit do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin e Kosovës. Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40% dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MË dhe do të jetë funksional nga viti 2023.

Si e arritur tjetër është cekur se në fillim të mandatit qeveria e Kosovës ka nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjen Threshold që mundëson investimin e 49 milionë dollarëve në ekonominë kosovare.

Në raport thuhet se janë ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e plotë të MSA-së, duke përshpejtuar përmbushjen e ERA-së (Agjenda e Reformave Evropiane) me synimin për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit 2020.

Gjithashtu theksohet se Kosova është radhitur në mesin e 10 vendeve më reformatore në botë, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, për Doing Business.

Gjatë 100 ditëve është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (MIE) (Marrëveshja Financiare e ratifikuar parasheh zbatimin e programit ku do të financohen projektet në vlerë prej 45.5 milionë euro dhe do të përkrahet sektori i konkurrueshmërisë dhe inovacionit, arsimi, punësimi dhe politikat sociale, si dhe të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve).

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, (Krijimi i bazës ligjore për investimin e mjeteve të privatizimit në tregun e letrave me vlerë dhe krijimin e bazës ligjore për bartjen e mjeteve të privatizimit në Buxhetin e Republikës së Kosovës).

Theksohet se janë krijuar lehtësira për prodhuesit vendorë të qumështit – nga 1 janari 2018 hiqet dogana dhe akciza për makineritë dhe pajisjet e tjera për këtë sektor.

Është aprovuar strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2017-2026 (MZHE) e cila i është dërguar Kuvendit për aprovim.

Lirime të shumta nga akciza

Në raportin 100-ditor thuhet se është marrë edhe vendimi me të cilin aprovohet kërkesa e Ministrisë së Financave për të liruar nga tatimi i akcizës të gjithë prodhuesit që importojnë vetë apo përmes kontraktuesit, të cilët janë të autorizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës për shtyrje të TVSH-së për lëndë të parë, për të gjitha burimet e energjisë të cilat përdoren  për qëllime të prodhimit (MF).

Gjithashtu theksohet se është marrë vendimi me të cilin aprovohet kërkesa e Ministrisë së Financave për lirim nga tatimi doganor i të gjithë prodhuesve që importojnë vetë apo përmes kontraktuesit, të cilët janë të Autorizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës për shtyrje të TVSH-së për: Lëndën e parë që përdoret në proces të prodhimit; Gjysmë produktet të cilat përdoren në proces të prodhimit; Të gjitha linjat e makinerive prodhuese të cilat  përdoren në hapësira prodhuese për prodhim; si dhe Pajisjet e teknologjisë së informacionit (MF).

Qeveria gjithashtu ka aprovuar vendimin për lirim nga tatimi i akcizës për lëndën ndihmëse, e cila merr pjesë në procesin e prodhimit.

Në raport tregohet se janë aprovuar dy marrëveshjeve financiare ndërkombëtare për kredi në shumë prej 35,100,000.00 euro (Projekti për bujqësi dhe zhvillim rural dhe Projekti për Konkurrueshmëri dhe Gatishmëri për Eksport) të negociuara me Bankën Botërore.

Janë aprovuar dy Konventa ndërkombëtare për Doganën, për thjeshtëzim të procedurave dhe përshkrim të mallit. Është  nënshkruar me Qeverinë e Luksemburgut Marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë.

Në 100 ditët e qeverisë Haradinaj thuhet se është ndërmjetësuar në punësimin e 2248 personave, prej tyre  në punësimin e rregullt të 1134 personave,  janë trajtuar 1114 persona (në vetëpunësim, punë publike, trajnim në punë dhe subvencionim të pagave), janë përfshirë në trajnime 1,176 punëkërkues, ndërsa  janë  certifikuar rreth  725 punëkërkues.

Sa i përket praktikës në punë, MPMS-ja së bashku me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe UNDP-së kanë nënshkruar 200 kontrata për praktikë për të sapo diplomuarit në universitete të ndryshme të Kosovës.

Ja sa panaire janë organizuar

Në raportin 100 ditësh thuhet se me qëllim të rritjes së eksportit, rritjes së numrit të turisteve të vendit, kapaciteteve prodhuese, rritjen e konkurrencës, zëvendësimin e importeve me prodhime vendore,  rritje të punësimit janë organizuar tri (3) panaire ndërkombëtare jashtë vendit, dy (2) panaire kombëtare brenda vendit dhe dy (2) konferenca sektoriale.

Gjithashtu si e arritur është cekur se janë kontaktuar 110 kompani të huaja dhe janë vizituar për së afërmi 20 kompani të huaja, të cilat janë njoftuar për shërbimet përkrahëse që ofron KIESA.

Janë realizuar 40 vizita tek bizneset dhe njëherit janë finalizuar rezultatet për ndërmarrjet më konkurrente të vitit në tri kategoritë e vogël dhe të mesme për shtatë regjionet e Kosovës.

Ka përfunduar anketimi i tetëqind (800) Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme lidhur me nevojat e tyre për trajnime dhe është hartuar raporti i analizës së trajnimeve.

Veprimet tjera që janë ndërmarrë:

Është nënshkruar kontrata me Shoqatën për Teknologji të Informacionit për dhënien në shfrytëzim të hapësirës së Inkubatorit të Biznesit në Bernicë.

Janë bashkëfinancuar katër zona ekonomike në vlerë prej një milion euro (Zona ekonomike në Shtime, ka përfituar 60,000 euro, Zona ekonomike në Budrike-Viti, ka përfituar 250,000 euro, Zona ekonomike në Shirokë-Suharekë, ka përfituar 345,000 euro dhe Zona Ekonomike në Qylagë – Lipjan,  ka përfituar 345,000 euro).

Është nënshkruar Marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (COSME) (2014-2020)”.

Është vendosur tarifa prej katër (4) centë për kg për miellin i cili importohet nga Serbia.

Është funksionalizuar TASK FORCA e të bërit biznes, e cila do të koordinojë reformat e përmirësimit të ambientit të të bërit biznes. /tesheshi

Komentet
Loading...
Top