Ja emrat e tetovarëve që ngritën flamurin Kuq e Zi në vitin 1968

Mehmet-Gega-në-mesin-e-ushtarëve-të-Ushtrisë-Çlirimtare-të-Kosovës-qershor-1999.jpg

Kjo Histori e lavdatës do të shkruhet nga vet organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj. Kryeorganizatori i këtyre demonstratave do të jetë studenti nga Beogradi, Faik Mustafa i cili, më vonë do të dënohet me 5 vjet heqje lirie. Ndërkaq ikona e politikëbërjes në nënqiellin e Fushë-Pollogut, Memetriza Murtezan-Gega do të dënohet me 7 vjet burg. Do të akuzohet për arsye se gjithmonë ka qenë kundërshtar i shpërnguljeve të shqiptarëve drejt Anadollit, njeriu që në vijimësi do kërkojë të drejta më të avancuara për shqiptarët, si në aspekt politik, në aspekt kulturor, social, arsimor, ekonomik dhe aspekte tjera. Në gjykimin e tij të organizuar në vitin 1969 në Shkup “…do të dëshmojnë 103 persona dhe vetëm 3 do shkojnë në favor të aktakuzës” Në këtë gjykim Gega do të dënohet me 7 vjet burg të rëndë. Ky gjykim do të jetë i dyti për Memetriza Gegën, sepse një i tillë u organizua dy dekada më parë kur edhe do dënohet me më shumë se 7 vjet. Pos dy të parëve, me të njëjtën akuzë do të dënohen edhe: Beqir Berisha me një vit heqje lirie dhe njëkohësisht do të përjashtohet nga gjimnazi i Tetovës.

Ramadan Sinani, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe do akuzohet për faktin se ka qenë një ndër organizatorët e demonstratave. Edhe ky do largohet nga vendi i punës. Ismail Memeti, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Agleze do të dënohet me një muaj heqje lirie dhe do të përjashtohet nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë. Më vonë do të dënohen edhe: Hysnixhevat Kalishta, Abdylselam Selami, Abdylmenaf Rustemi (i dënuar bashkë me babain e tij edhe në Shqipëri) Abdulla Kalishta, Abdulla Jusufi, Dr. Mahmut Bajraktari, Dr. Harun Jakupi, Salajdin Hyseini dhe shumë tetovarë të tjerë.

Në Shkup do të dënohet Sejdi Kryeziu 5 vjet, në Strugë Irfan Vllashi, Tosun Roçi, Syria Qura. Në Kërçovë Sali Ramadani, në Gostivar Imer Imeri dhe të tjerë.

Në këto demonstrata do marrin pjesë edhe nxënës nga Tetova, të cilët do të burgosen dhe më vonë edhe do të përjashtohen nga gjimnazi “Kiril Pejcinoviq”, që çuditërisht edhe pas dyzet vitesh do të bartë emrin në fjalë. Për këtë dhe shkaqe tjera, do të dënohen këta nxënës: Islam Beqiri, maturant, ai që shkroi parullat, Rafi Halili, viti i tretë, i cili më vonë do të dënohet bashkë me nënën dhe motrën me gjithsej 17 vjet heqje lirie. Hamit Saliu, viti i tretë, ai i cili në hapësirat e Komitetit Komunal të Partisë Komuniste në Tetovë do të shpalosë flamurin, Ahmet Zeqiri, maturant, Rexhep Hasani, maturant, Sefedin Halimi dhe autori i këtij shkrimi (Fadil Lushi) që do të jetë i burgosuri i fundit.

Komentet
Top