Ja pse femrat jetojnë më gjatë se meshkujt

0234.jpg

Shkencëtarët më në fund janë përgjigjur në pyetjen se pse meshkujt, mesatarisht, nuk jetojnë më shumë se femrat. Sipas një studimi të ri, meshkujt janë më të prirë për sëmundje të zemrës sesa “seksi më i dobët”. Studimi u udhëhoq nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, në të cilin u analizuan informacionet e siguruara nga njerëz të lindur në mes të viteve 1800 dhe 1935, në 13 vende të zhvilluara. Hulumtuesit gjetën se gjatë kësaj periudhe norma e vdekjes në mes femrave dhe meshkujve ishte e ulët.

Por, duke filluar nga viti 1880, norma e vdekjes ra me ritme shumë më të shpejta në mesin e femrave, duke çuar në dallimet në normat e vdekshmërisë mes sekseve. Sipas hulumtuesve, edhe pse jetëgjatësia më e madhe tek femrat shihet si normale në ditët e sotme, ajo është në fakt një dukuri relativisht e re demografike që u shfaq në mesin e njerëzve të lindur në fund të shekullit të 19-të. Presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe pirja e duhanit janë faktorë kyç të rrezikut për sëmundje të zemrës. Në kundërshtim me besimin popullor, pirja e duhanit ndikon në vetëm 30 për qind në ndryshimin e vdekshmërisë mes femrave dhe meshkujve pas vitit 1890.

Sipas studiuesve, ndikimi i sëmundjeve të zemrës në meshkuj (kur janë në moshën e mesme dhe të avancuar) ngre pyetjen nëse meshkujt dhe femrat janë subjekt i këtyre sëmundjeve të ndryshme në periudha të ndryshme të jetës. Studimi i mëtejshëm mund të përfshijë analizën e dietës dhe aktivitetit fizik në mes të vendeve të caktuara, një studim i thellë i gjenetikës dhe dobësive biologjike në mes të gjinive në nivel qelizor, si edhe lidhja në mes të këtyre gjetjeve dhe shëndetit të trurit në vitet e mëvonshme, shkruan gazeta Zëri.

Sipas studimit, ka dallime të mëdha në gjatësinë e jetëgjatësisë mes gjinive pas shekullit të njëzetë. Është dëshmuar se niveli i vdekshmërisë ka rënë pas parandalimit të sëmundjeve infektive dhe dietave më të mira pas viteve 1900. Studimi gjeti se femrat filluan të “përfitojnë jetë më të gjatë” shumë më shpejt. “Ne jemi të habitur me normat e ndryshme të vdekshmërisë mes femrave dhe meshkujve nga periudha 1870 e tutje. Ndonjëherë jetëgjatësia ishte 50 deri në 70 vjet dhe rrallë ka tejkaluar moshën tetëdhjetë vjeç.

Shekulli i njëzetë sigurisht ka çuar në normat e vdekshmërisë më të lartë në mesin e meshkujve”, tha kryesuesja e hulumtimit, Ellen Krimins. Në Shtetet e Bashkuara rreth 610.000 njerëz vdesin nga sëmundjet e zemrës çdo vit. Kjo do të thotë se ky problem shëndetësor prek një në katër persona. Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjes së njerëzve të të gjitha etnive dhe të dyja gjinive. Më shumë se gjysma e vdekjeve që rezultojnë nga sëmundje të zemrës në vitin 2009 ishin meshkuj./Zëri

Komentet

Leave a Reply

Top