Kanadaja, drejt legalizimit të marijuanës

kanada.jpg

Bota i ka kthyer sytë nga Kanadaja, e cila po përgatitet të kthehet në vendin e parë anëtar të G7-s që legalizon marijuanën.

Vendi e ka ligjëruar tashmë përdorimin e hashashit për arsye mjekësore, por hapi i radhës do të jetë legalizimi i plotë i tij.

Të enjten, Kanadaja – shkruan “The Guardian”, – përfundon në lupën e komunitetit ndërkombëtar, kur përmes votës në Senat pritet me shumë gjasë të ratifikojë atë që njihet si “Projektligji C-45”.

“Për pak kohë do të jetë pak si eksperiencë filmash fantastiko-shkencor”, shprehet Benedikt Fischer, një ekspert i efekteve të kësaj substance në spitalin më të madh psikiatrik të Torontos.

“Është unike në botë, sepse po ndodh për herë të parë në një shtet të pasur. Nuk është si në Amerikë, ku ka pasur eksperimente në nivel shtetëror. Shumica e njerëzve e injorojnë Uruguajin, ndaj bota pret me kërshëri të shohë se ç’do të ndodhë në Kanada”, shton Fischer.

Qeveritë, studiuesit dhe udhëheqësit e biznesit anembanë globit kanë arsyet e tyre për ta ndjekur me vëmendje këtë zhvillim. Legalizimi mund të prekë të ashtuquajturat modele të krimit, shëndetësisë e faktorë të tjerë të panumërt, por askush nuk e di me saktësi sesi do të ndodhë kjo.

Një çështje delikate për autoritetet kanadeze është të përcaktohet se çfarë çmimi do të jetë mjaftueshëm i ulët për të çrrënjosur shitjet e paligjshme, por jo aq të ulëta sa për të tërhequr përdorues të rinj.

Ministri kanadez i Financave, Bill Morneau e ka bërë të qartë se qëllimi është që kanabisi të mbahet larg duarve të fëmijëve dhe tregut të zi, që do të thotë t’i mbash taksat aq ulët, sa praktikisht t’i qërosh kriminelet nga sistemi.

Kur vjen fjala te lehtësimi i ligjeve mbi kanabisin, shumë vende i kanë të qarta prioritetet, të cilat nisin që nga gjenerimi i të ardhurave e deri te shkurajimi i karteve të drogës. Kanadaja e vendos theksin te shëndeti publik: kanabisi do të shitet në paketime të thjeshta me shënime paralajmëruese për shëndetin, e do të gjendet zakonisht në dyqane shtetërore të pijeve alkolike.

Komentet
Loading...
Top