Keq me kredi, edhe më keq pa to!

2222mbijetesa-me-borxh-fisnik-800x445.jpg

Qytetarët jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shtetet fqinje hendekun midis të ardhurave të pamjaftueshme për të kapërcyer muajin dhe nevojat e rritjes që imponon jetesa bashkëkohore, në një pjesë të madhe e tejkalojnë me marrje borxhe të ndryshme nëpër banka. Së paku kjo vlen për qytetarët që janë të punësuar në administratën shtetërore, apo edhe kompanitë serioze të sektorit privat, ndonëse bankat vitet e fundit ofrojnë kredi me shuma më të vogla edhe për punëtorët me paga më të vogla, shkruan gazeta KOHA.

Se jetesa në ditët e sodit është gati e pamundur pa kredi të ndryshme konsumatore apo banesore, hyrjen në minus në kartelat kreditore apo saldot negative në llogaritë rrjedhëse apo edhe borxhet e tjera, këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore së Maqedonisë, sipas të cilave, në rritje e sipër është huamarrja në shtet. Vetëm në muajin qershor, qytetarët kanë pasur borxh ndaj bankave prej afër 3.850.000.000 euro e që paraqet një rritje prej afër 300 milionë euro në raport me 3.534.000.000 euro sa ishte borxhi në muajin dhjetor të vitit 2016.

Vlerësohet se në praktikë, huamarrësit shpesh marrin një kredi nga njëra anë ndërsa nga ana tjetër nxjerrin kartelë të re kreditore, duke hyrë në borxh në bankë tjetër për të renovuar shtëpinë, për të shkolluar fëmijët, për ahengje të ndryshme familjare siç janë dasmat, apo edhe për pushime. Ekonomistët thonë se standardi i ulët në Maqedoni, por edhe çmimet e larta të shërbimeve dhe prodhimeve të ndryshme në raport me pagat e ulëta, diktojnë edhe faktin se qytetarët shpesh janë të detyruar që me të madhe të marrim borxhe të reja nëpër banka, bile edhe për mbulimin e nevojave themelore si pagesa e llogarive, blerjet për nevojat e amvisërive, pagesën e borxheve të mbetura dhe kësteve të ndryshme të kredive konsumatore e kështu me radhë.

Bashkimi nga Shkupi thotë se me pagat mesatare që qytetarët marrin në Maqedoni, është mjaft e vështirë të paguhen harxhimet e ushqimit dhe komunaleve, e të mos flasim më për pagesën e harxhime të tjera shtesë. “Vitet e fundit në vazhdimësi kam ndonjë kredi për të paguar. E shlyej borxhin ndaj bankës për njërin, dhe shkoj në bankën tjetër për marrë kredi të re. Thjesht, mbijetesa është gati e pamundur nëse nuk janë borxhet e ndryshme nëpër banka siç janë edhe minuset në kartelat kreditore”, shton ai.

Edhe Mislimi, një banor tjetër i Shkupit thotë se sot vështirë jetohet me kredi, por edhe më vështirë jetohet pa kredi.

“I kam shkolluar fëmijët me kredi, bile edhe më shumë orendi dhe pajisje shtëpiake kam blerë me ndihmën e bankës. Edhe riparimin e shtëpisë e kam përfunduar me këto mjete. Në fund, kamatat për kushte tona prej 20 apo 25 për qind në total nuk janë aspak të lira, por megjithatë po të mos ishin këto të holla, nuk do të kisha asnjë mundësi tjetër që të përmbush nevojat e ndryshme mujore të familjes vetëm përmes rrogës”, thekson Mislimi.

Ndryshe, analizat e Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se rreth 55 për qind e borxhit të amvisërive ndaj bankave ka të bëjë me qytetarët që marrin paga deri në 30 mijë denarë.

Më së shumti kanë marrë borxhe nëpër banka qytetarët me paga prej 15 mijë deri 30 mijë denarë, të dytët janë qytetarët që marrin pagë prej 30-50 mijë denarë, ndërsa të tretët janë qytetarët me pagë prej 7-15 mijë denarë. (koha.mk)

Komentet
Loading...
Top