Këshilla për të “pastruar” mendjen

spring.jpg

Psikologji

Si mund të jetoni të qetë dhe pa mendime negative në kokën tuaj!? Nëse dëshironi këtë gjë, atëherë mjafton të bëni një reflektim me veten, kryesisht ndaj dukurive të jashtme, të cilat ju ndikojnë së brendshmi

Pothuajse të gjithë e njohim ndjesinë e mirëqenies që na transmeton një dhomë e pastër dhe me gjërat të rregulluara në mënyrë perfekte. Ky lloj rregulli mund të na ndihmojë të sistemojmë gjërat edhe në nivel të brendshëm, në sfera të ndryshme të jetës. Ja përfitimet kryesore.

Ngrënia e shëndetshme

Studime të shumta kanë demonstruar se individët që punojnë në një vend të pastër dhe të rregulluar, janë më të prirur të konsumojnë një minivakt të shëndetshëm, për shembull një frutë dhe jo një çokollatë apo diçka tjetër me shumë kalori.

E kundërta ndodh prej stresit të akumuluar nga truri, kur ambienti i brendshëm është i pistë dhe jo i rregullt. Pra, mendja relaksohet kur vendi i punës është i pastër dhe i mirorganizuar.

Shëndeti mendor

Të qenët të organizuar mund të ketë një efekt pozitiv edhe në mirëqenien tonë psikologjike, sidomos për këdo që vuan nga depresioni.

Sipas një statistike të publikuar në revistën shkencore “Personality and Social Psychology Bulletin”, femrat që e përshkruajnë shtëpinë e tyre si të “rrëmujshme” ose “ende pa u rregulluar”, janë më të stresuara, të lodhura dhe të depresionuara në krahasim me ato që kanë një “fole” komode dhe relaksuese.

Shkak i kësaj gjendjeje është ulja e prodhimit të kolesterolit, hormonit që ka një ndikim të fortë në humorin tonë. Ndaj, më mirë është që t’i dedikoheni pastrimit të shtëpisë në mënyrë të vazhdueshme dhe të përfundoni sa më shpejt projekte dhe punë të lëna përgjysmë.

Marrëdhëniet

Të jetuarit në një vend të rregulluar është diçka pozitive edhe për sa i përket marrëdhënies me partnerin/en. “Kaosi mund të krijojë një situatë tensioni dhe konflikti te çiftet. Dhe të gjitha momentet që i kaloni duke kërkuar diçka në mes të rrëmujës së shtëpisë, janë një kohë e marrë nga koha të cilën mund të kaloni bashkë”, ka shpjeguar për “shape.com”, Eva Selhub, autorja e librit “Your Health Destiny”. “Të qenët të çorganizuar mund të çojë në ndjenja turpi dhe sikleti, të cilat më pas krijojnë një barrierë fizike dhe emotive përreth nesh, që na ndalon të integrohemi me të tjerët.”

Produktiviteti

Arritja e objektivave është më e thjeshtë nëse ambienti në të cilin operoni është i qetë, relaksues dhe i rregulluar. Ndërkohë, është më e vështirë të çoni deri në fund punën nëse mbi tryezë ka letra, objekte dhe shënime të gjendura gjithandej.

E shkuara

Gjithsecili prej nesh ka një moment të errët në jetën e tij, si humbja e një personi të dashur apo sfida të tjera. Pikëllimi është diçka natyrale, por të qëndroni të pikëlluar për një kohë të gjatë, nuk ndihmon.

Marc Chernoff thotë: “Nëse ndieni se keni ngecur tek e kaluara, atëherë truri juaj është i lidhur me këtë ndjenjë aq shumë, saqë i duket sikur kjo gjë po ndodh tani”. Shkëputuni nga e kaluara dhe punoni për të ardhmen me më shumë pozitivitet.

Mendimet negative automatike

Mendimet negative automatike duhen menaxhuar, pasi mund të na shkatërrojnë edhe jetën. A ju ka ndodhur ndonjëherë që diçka jo e mirë që mund të na ketë ndodhur në punë, të na bëjë të mendojmë se jemi tërësisht të paaftë dhe se karriera jonë nuk do të realizohet kurrë siç e kishim ëndërruar?

Nëse një gjë e tillë ju ka ndodhur, ta dini se nuk jeni vetëm në përjetimin e ndjesive të tilla. Edhe ata që konsiderohen si më optimistët, kur vjen puna për moralin dhe entuziazmin, nuk janë imunë ndaj mendimeve negative. Ndërkohë, ka disa që përjetojnë vazhdimisht mendime të tilla dhe kjo mund t’ua ketë bërë jetën shumë të vështirë.

Sipas specialistëve, shndërrimi i mendimeve negative në pozitive na ndihmon për të pasur një jetë më të mirë në shumë drejtime.

Komentet

Leave a Reply

Top