Këto janë risitë që do ti sjell ministri i ri i Shëndetësisë

thumbs_b_c_b369070a227f58f21300eb605d6fc387.jpg

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Venko Filipçe sot në Qeveri mbajti konferencë për media përmes së cilës njoftoi opinionin me disa nga projektet prioritare, që periudhën e ardhshme ministria do t’i inicojë.

Ministri Filipçe konisderon se Ministria ka kapacitet dhe doemos duhet që sistemin shëndetësor i cili tani funksionon në prag të qëndrueshmërisë, të transformohet në një kapacitet modern shëndetësor evropian.

“Një nga projektet kyçe do të jetë mbindërtimi i sistemit elektronik i cili tani ekziston në formë të “Termini im” si sistem për caktimin e termineve pa letër dhe pa caktimin e kontrolleve të ndryshme, incizimeve etj. Qëllimi është që ta përmirësojmë cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe të formojmë një sistem të integruar shëndetësor”, tha ministri.

Sipas tij, puna e dytë prioritare e ministrisë do të jetë kurimi jashtë vendit që sot është shumë aktuale dhe shpesh një çështje në Maqedoni.

“Qëllimi ynë do të jetë që ta rrisim ekspertizën e mjekëve vendor, veçmas në pjesën ku tani nuk punohet tek ne. Do të insistojmë që të edukohen në ato drejtime, veprimtari dhe të fillojnë t’i ofrojnë këto shërbime për të cilat momentalisht paguajmë mjete të shumta për kurimin jashtë vendit”, theksoi Filipçe.

Puna e tretë prioritare, sipas ministrit, do të jenë barnat për sëmundje të rralla.

“Mund t’u them se barna momentalisht ka, se në vitin 2018 duhet të shpallet tender për vitin që vjen dhe planifikojmë të ndërmarrim hapa që ky sistem i furnizimit të barnave të përmirësohet. Në negociata aktive jemi me Ministrinë e Financave për të gjetur mënyrë që mund të rrisim buxhetin e mjeteve që është paraparë për këto barna. Ndërsa ajo që është më me rëndësi është se tashmë kemi filluar të punojmë në përmirësimin e rregullativës ligjore dhe të gjitha procedurave që lidhen me furnizimin e këtyre barnave me qëllim të parandalimit në të ardhmen të çfarë do rreziku nga deficit i barnave”, deklaroi ministri.

Filipçe më tej informoi se Ministria në mënyrë intensive do të punojë në pjesën e mjekimit falas për kategoritë e ndjeshme, gjegjësisht romët, shfrytëzues të ndihmës sociale, duke theksuar se kjo është masa të cilën para do kohe e paralajmëroi edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev.

Në buxhetin për vitin e ardhshëm, siç tha ministri, janë paraparë mjete për finalizimin ndërtimor të spitaleve në Shtip, Strumicë dhe Ohër dhe do të shpallen tenderë për pajisjen e të njëjtave, ndërsa do të përfundojë edhe spitali në Bardovc dhe bunkeri në spitalin “8 Shtatori”.

Rreth asaj si të mbahen mjekët në vend, ministri paralajmëroi se do t’u ofrohen opsione për edukim, përmes bashkëpunimit me qendrat e njohura universitare të Evropës, ndërsa do të sigurohet edhe rritje e pagave prej 5 për qind në gjysmën e dytë të vitit 2018, si dhe rritje e çmimit të kujdestarive për të gjithë mjekët e Qendrës Klinike dhe të gjitha spitaleve në shtet.

Komentet
Loading...
Top