Kolektorët diellorë, sa ja vlen ti vendosim? – ANALIZË

20.30-AKTUALE-pak-shfrytezojme-diellin-huqet-kursimi-prej-250-euro-ne-vit-fisnik-1-12-aaaaa-750x430.jpg

Maqedonia me 280 ditë me diell dhe afër 1500 kilovat orë rrezatim të diellit në metër katror, ose 6-7 orë rrezatim të diellit në ditë, renditet ndër të parat në Evropë lidhur me potencialin e energjisë solare për prodhimin e energjisë për ngrohje, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse si shtet kemi me me bollëk energji të diellit, megjithatë jemi shumë larg përdorimit të saj në praktikë, për shkak se energjia e prodhuar nga dielli merr pjesë me vetëm 0.04 për qind në totalin e energjisë së prodhuar në vend.

Përllogaritjet tregojnë se në kushte ideale, me vendosjen e kolektorëve të diellit, që kushtojnë prej 1000 deri 2500 euro për amvisëri, së bashku me montimin, sigurohet ujë i ngrohët i mjaftueshëm për përgatitjen e ushqimit, dush, larje të enëve si dhe ngrohjen eventuale të ambientit. Me fjalë të tjera, kolektori diellor në një amvisëri mund të kursejë 2400 kilovatë orë rrymë apo 15 mijë denarë në vit. Gjithashtu, nën supozimin se të gjitha 600 mijë amvisëritë në Maqedoni do të instalojnë kolektor solar, në vit do të kursehen afër 150 milionë euro.

Në ndërkohë, Strategjia për avancimin e efikasitetit energjetik, tregon se 42 për qind e energjisë së harxhuar elektrike, shkon për aparatet në amvisëri, 28 për qind për ngrohje, 18 për qind për ujë të ngrohët dhe 12 për qind për ndriçim. Pikërisht, rryma për ngrohjen e ujit, për lavatriçet dhe larjen e enëve dhe për ngrohje, mund të kompensohet përmes instalimit të sistemeve solare. Njohësit e kësaj problematike, thonë se Maqedonia minimalisht e shfrytëzon rrezatimin e diellit për fitimin e energjisë për ngrohje, përkundër asaj se bën pjesë në shtetet që kanë kushte të mira për këtë, me 1450 deri 1700 kilovat orë të energjisë solare, për shkak të vetëdijes së ulët për përdorimin e saj, mungesës së parave të gatshme për investime në sisteme të tilla, kredive jo të volitshme për të instaluar panele solare, subvencioneve të vogla, si dhe mungesës së stimulimeve më të mëdha dhe përkrahjes akoma të madhe për resurset fosile, si nafta, thëngjilli apo gazi.

Nga ana tjetër, përfitime të mëdha me shfrytëzimin e sistemeve solare për ngrohje, mund të kenë edhe kapacitetet e industrisë ushqimore që në vit harxhojnë deri 100 mijë euro për ngrohjen e ujtit. Bizneset e ndryshme, nëse investojnë një sistemet solare për ngrohjen e ujit, do të kenë kthim të investimit për disa vite, ndërsa në të ardhmen investitori do të ketë energji falas për ngrohjen e ujit. Nga ana tjetër, kompanitë e interesuara mund të investojnë në burimet e rinovueshme të energjisë, përfshi edhe diellin, duke shfrytëzuar edhe përkrahjen e mjeteve paraqasëse evropiane. Të gjita kompanitë e interesuara vendore, mund të shfrytëzojnë mundësinë të investojnë sidomos në sistemet fotovoltaike, që shfrytëzojnë energjinë diellore, me ç’rast mund të shfrytëzojnë përkrahjen prej 65 për qind të programës IPARD, duke ulur harxhimet për energji dhe duke kthyer mjetet për disa vite.

“Në rast se foto centrali vendoset në vetë objektin, mjetet pa të hollat e IPARD, kthehen për 5-6 vite, në varësi se sa energji harxhohet. Por, me mjetet e IPARD, ato kthehen për 2-3 vite. Gjithashtu duhet pasur parasysh se mjetet e IPARD janë të kufizuara dhe ka mundësi që çdo qytetar të gjejë mundësi të hyn në këtë investim për të pasur më vonë energji elektrike falas”, thotë për KOHA, eksperti i energjetikës, Gjorgji Manaskov.

Ndryshe, nga viti 2007 deri në vitin e kaluar, nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, janë ndarë subvencione në vlerë prej 30 për qind të harxhimeve për vendosjen e kolektorëve të diellit për 4252 amvisëri. Pjesa më e madhe e amvisërive që kanë instaluar kolektorë, e shfrytëzojnë energjinë e diellit për ngrohjen e ujit sanitar dhe ngrohjen e gypave të radiatorëve./Koha

Komentet
Top