Kosova e vajtimit

0-157.jpg

Nga Flaka Surroi

Prejse ka nisur viti i ri, politikania më aktive po na paraqitet Edita Tahiri.

Rrafsh tri letra ia ka drejtuar nënës BE, në të cilat vajton se Serbia i ka riaktivizuar Rojat e Urës (thuajse ndonjëherë u çaktivizuan); se Ramush Haradinaj është riarrestuar sipas fletarrestimit të Interpolit me kërkesën e Serbisë (Serbia ka refuzuar të flitet për fletarrestimet, dhe Kosova ka heshtur dhe ka vazhduar të flasë për “çështje teknike”) dhe se treni me ikonografinë e vaktit të Millosheviqit do të hyjë në territorin e Kosovës pa leje (përderisa kryetari na shëtitet nëpër Amerikë, kryeministri nuk dëgjohet të ketë mendim, e policia rri e ngujuar në jug).

Nuk po e di nëse vaji na është endemik, apo nëse është ngjitës, por i tillë u shfaq me gjithë fuqinë e vet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur, megjithatë, të martën. Ishte paralajmëruar për të shtunën, porse fundjava dhe festa zyrtare që nuk e di se pse ra të hënën, i parandaloi deputetët nga dalja në seancë të shtunën (“…e pse me e prishë pushimin, kur edhe ashtu mëditjet më të mëdha se rroga minimale e Kosovës i marrim, si sot si të martën”, do të kenë thënë).

Pos që na maltretuan nja 10 a 11 orë, deputetët, siç edhe u parashikua, u akuzuan ndërsjellë, folën për tema që s’ishin të lidhura për temën, dhe në fund nuk e miratuan rezolutën për rastin e arrestimit të ri të Haradinajt. Me mungesë absolute kohezioni dhe solidariteti karshi një problemi të cilit edhe vetë i kanë kontribuuar këta dhe deputetët e legjislacionit të kaluar, bënë atë që dinë më së miri: të vajtojnë dhe të ankohen se Serbia po na bën dëm. Duke e kthyer shikimin nga miqtë ndërkombëtarë në kërkim të shpëtimit –sepse vetë ne po e dëshmojmë që nuk kemi kaçik për shtet. Jo me këta njerëz.

Lum ne për Doganën

E, megjithatë, arrestimi i Haradinajt dhe rreziku latent i ekstradimit të tij në Serbi nuk ishte lajmi i javës.

Ai që për mua do të duhej të ishte lajmi më tronditës, mbeti i harruar në arkiv të gazetës, sikur shumë e shumë të tjera që na kalojnë pavërejtur, sa herë që na shpërthen ndonjë skandal me peshë të rëndë politike. Në fakt, ishin dy lajme, që sikurse edhe arrestimi i Haradinajt nuk janë lajme, për shkak se tashmë janë parë edhe më përpara, dhe nuk paraqesin gjë të re. Porse janë shokuese, për shkak se përsëriten çdo të lumin vit, duke qenë dëshmia më e kapshme se pse ky shtet nuk mund të prosperojë.

I pari kishte të bënte me një analizë të shkurtër të Bankës Qendrore, që pos që tregonte se nja 1800 biznese ishin mbyllur brenda 2016-s (duke mos treguar nëse për falimentim të qëllimshëm apo të detyrueshëm), tregonte se në nëntë muajt e parë të vitit të shkuar Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 2 miliardë eurosh, kurse kishte eksportuar rreth 300 milionë vlerë mall. Do ta supozojmë, sepse nuk është thënë aty, se së paku çereku i vlerës së mallit të importuar vjen nga Serbia, sikurse çdo vit.

Shikuar nga aspekti i mbushjes së buxhetit, sipas pikëvështrimit të Qeverisë, ky është lajm i gëzueshëm, sepse shumë para janë mbledhur aty. Shikuar nga aspekti i zhvillimit ekonomik, kjo vazhdon të jetë katastrofë, ngase, sërish, krejt paratë e gatshme na shkuan jashtë.

Pse me u lodhë?

Në këtë kontekst, edhe më tronditës është lajmi që pasoi pas nja dy ditësh.

Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon t’i mbajë gjysmën e bizneseve të Kosovës jashtë sistemit fiskal. Përfshirë këtu edhe naftëtarët, që i qarkullojnë 600 milionë euro në vit. Dhe kjo, vetëm për shkak se nuk gjendet kush në këtë Qeveri dhe në këtë shtet që i obligon bizneset të pajisen me arka fiskale.

Pra, prej rreth 50 mijë bizneseve aktive në Kosovë, rreth 26 mijë kanë arka fiskale. Mbesin jashtë sistemit 600 pika të karburantit, të cilat, besoni ose jo, nuk i kanë futur në funksion arkat fiskale, sepse janë ankuar se ato janë të shtrenjta. Me krejt paratë që ia fshehin shtetit, jo nga një, por kush e di nga sa dhjetëra arka kanë mundur t’i blinin. Por përse t’i blejnë, kur askush nuk i gjobitë për këtë punë?

Jashtë këtij sistemi kanë mbetur edhe të gjitha, pos një kompani sigurimi; kanë mbetur të gjitha kompanitë e taksive, dhe për më keq, kanë mbetur edhe KEDS-i për energji elektrike; PTK-ja për telefoni dhe shërbimet e tjera publike.

Nuk e di nëse Qeveria i është ankuar FMN-së dhe a ka vajtuar se përse nuk mund të mbledhë më shumë para nga bizneset vendëse – porse fajin se pse evazioni fiskal në Kosovë e kalon gjysmëmiliardëshin e ka ekskluzivisht Qeveria. Askush pos Qeverisë (dhe Kuvendit, të cilin koalicioni qeveritar e kontrollon) nuk i miraton rregullat e lojës, d.m.th. ligjet. Askush nuk e ka në dorë Inspektoratin tatimor dhe atë tregtar, pos Qeverisë. Askush tjetër nuk e kontrollon Policinë, pos Qeverisë.

S’do mend se ndoshta Qeveria llogaritë në atunë e vet: me siguri do ta lusë Edita Tahirin që t’ia shkruajë një letër BE-së, e të ankohet se pse kosovarët nuk i paguajnë tatimet e tyre. Se po t’i kishin paguar, lëre që politikanët i kishin pasur rrogat më të mëdha, por edhe mëditjet i kishin dyfishuar.

* * *

Nuk është kjo vetëm Kosova e vajtimeve – porse këtë Kosovë e kemi bërë për ta vajtuar. Kemi lejuar që shtetin ta udhëheqin këta që po e udhëheqin. Kemi lejuar që të negociojnë në emrin tonë dhe t’i bëjnë mishmash krejt shtetin, rendin kushtetues dhe sovranitetin. Kemi lejuar që të mos e kuptojmë se Serbia është shtet shumë i moçëm dhe me shumë përvojë, aq sa diletantët me 20 vjet përvojë politike e diplomatike nëpër skuta e oda nuk mund t’i përballojnë pa strategji, pa ide e pa mend.

Është për të vajtuar kur e kupton se këta që e kanë gënjyer popullin e Kosovës qe sa vite me radhë, tashmë nuk u besojnë më as rrenave të veta. Tash përnjëherë, vajtueshëm, e kuptojnë se duhet rishikuar dialogun me Serbinë; se duhet menduar për reciprocitetin, dhe se duhet ndërmarrë diçka më tepër sesa statuse në FB dhe rezoluta të kota në Kuvend.

Por, njësoj vajtueshëm, se nuk dinë ndryshe, i drejtohen Mogherinit në kërkim të shpëtimit dhe zgjidhjes së problemit. E nuk po e kuptojnë se e gjithë skema e negociatave me Serbinë ka qenë pikërisht dhurimi i statusit të shtetit kandidat Serbisë – e jo siç na kanë gënjyer gjithë kohën, normalizimi i marrëdhënieve dhe njohja reciproke e palëve negociuese.

Për shkak se Serbia ende na konsideron krahinë të veten, dhe pikërisht ashtu edhe sillet, nesër do ta sjellë në Mitrovicë trenin ikonografik për të treguar se këtu sundon ajo, falë nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit nga Thaçi.

Dhe nuk po e paramendoj as FSK-në, as Njësinë Speciale të Policisë e as Edita Tahirin në Leshak të Leposaviqit tek dalin me shenjën e stopit për ta ndalur. Sepse lejen e qarkullimit të atij treni ia dhuruan fillimisht Thaçi me Tahirin pasuar nga përkrahja e parezervë e Mustafës.

Më kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi pasur gjë në dorë. E tash me dorën tonë ia dhamë përgjigjen BE-së ende pa e shtruar ankesën: Marrëveshjen “historike” të prillit të 2013-s.

Komentet
Top