Loading...

Kosova sfidon Shqipërinë me 7 “ish” titullarë të saj

shqi-kos.jpg

Miqësorja e sotme mes Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë e para “zyrtare” që nga momenti kur u njoh në arenën ndërkombëtare përfaqësuesja kosovare. Trajneri i Kosovës, Bernard Shaland ka lënë jashtë listësh shumë futbollistë të njohur për shkak dëmtimesh apo sepse dëshiron të shohë në veprim emra të rinj.

Por ajo që bie në sy është se formacioni titullar që pritet të hidhet në fushën e lojës do të ketë në përbërje 7 futbollistë të cilët në të kaluarën kanë veshur fanellën kuqezi të kombëtares shqiptare.

Në portë, duke mbajtur njëkohësisht edhe shiritin e kapitenit është Samir Ujkani që ka luajtur për Shqipërinë, ndërsa para tij rreshtohen Aliti, Rrahmani, Vojvoda e Ismajli, me vetëm këtë të fundit që nuk ka luajtur për Shqipërinë me ekipin A apo përfaqësueset e moshave në të kaluarën. Herolind Shala, një tjetër “ish” do të rreshtohet para mbrojtjes, duke pasur përkrah Halimin.

Para tyre do të veprojnë Zeneli, Avdiaj dhe Rashica, edhe ky i fundit një emër i njohur për tifozët e Shqipërisë për vitet e tij me përfaqësueset e moshave kuqezi apo edhe me eksperiencën e shkurtër me ekipin e parë.

Ndërsa në majë të sulmit do të jetë Vedat Muriqi, i cili po shkëlqen në Turqi, ndërsa më parë kishte veshur fanellën e përfaqësueses U21.

Komentet
Top