Loading...

Krahasim në mes Kushtetutës së Kosovës dhe të Maqedonisë, në raport me të drejtat ndëretnike

14329878_10154158139094748_3409761876730180525_n.jpg

Shkruan: Besir Bajrami – Tetovë

Formalisht dhe përmbajtësisht, në Kushtetutën e Kosovës:
15 herë përmendet emri serb (2 herë për gjuhën, e 13 herë emri kombëtar i tyre);
2 herë përmendet emri shqiptar (1 herë për gjuhën e 1 herë emri etnik si shqiptar);
3 herë përmendet emri kosovar (në rastin e emrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve);
3 herë përmendet emri turk (1 herë për gjuhën e 2 herë emri etnik si turk);
3 herë përmendet emri boshnjak (1 herë për gjuhën e 2 herë emri etnik si boshnjak);
4 herë emri rom (1 herë për gjuhën e 3 herë emri etnik si rom);
4 herë emri ashkali (per emrin etnik);
2 herë emri goran (për emrin etnik).

Vs.

Formalisht dhe përmbajtësisht, në Kushtetutën e Maqedonisë:
27 herë përmendet emri maqedonas (për kombin dhe gjuhën);
2 herë përmendet emri shqiptar (për emrin etnik);
3 herë përmendet emri turk (për emrin etnik);
3 herë përmendet emri rom (për emrin etnik);
2 herë përmendet emri vlleh (për emrin etnik);
2 herë përmendet emri serb (për emrin etnik);
2 herë përmendet emri boshnjak (për emrin etnik);

______
Koment: Fillimisht, duhet ta kemi të qartë se në Kosovë, sipas rregjistrimit të fundit të popullsisë (6), shqiptarët janë 92.9%, kurse serbet janë 1.5% (thuhet se disa serb në veri të vendit e kanë bojkotu këtë rregjistrim, por edhe po ta marrim si të mirëqenë rregjistrimin e bërë nga vet serbet në kohën e pushtimit në vitin 1991, ata paraqiten si 9.9% e numrit të përgjithshëm të banorëve).
Në anën tjetër, në Maqedoni, sipas rregjistrimit të fundit të popullsisë (5) në vitin 2002, maqedonas (sllav), paraqiten si 64.2%, kurse si shqiptar i kanë rregjistruar 25.2%. Që nga viti 2002, Maqedonia nuk është e gatshme të bëj rregjistrimin tjetër të popullsisë, edhe pse i ka kaluar të gjitha afatet e vendosura nga BE që ky proçes të kryhet sipas rregullave ndërkombëtare. Arsyeja për këtë zvaritje duket se është ndrrimi i kombësisë nga maqedonas në bullgar i shumë banorëve sllav të këtij vendi, kthimi në identitet i disa shqiptarëve ortodoks, që deri më tani janë paraqitur si maqedonas (sllav), dhe paralajmërimi për monitorim profesional ndërkombetarë gjatë këtij proçesi, për të mos bërë manipulime.
Ndërkohë, emri etnik i shqiptarëve, në të dy Kushtetutat, përmendet aty ku shqiptarët barazohen me turqit, vllehet, serbet, romët, boshnjakët, në Maqedoni, respektivisht me turqit, boshnjakët, romët, ashkalit dhe goranët, në Kosovë. Në Kushtetutën e Kosovës, emri shqiptar (për gjuhën shqipe) përmendet 1 herë për barazinë gjuhësore që kanë shqiptarët me serbet, dhe në herën tjetër përmendet për Komitetin për marrëdhënie midis komuniteteve (që realisht nuk ka asnjë vlerë madhore); Kurse në Maqedoni, emri shqiptar përmendet 1 herë në Preambulë, ku një pjesë e popullit shqiptar, barazohet me pjesë të popujve tjerë që jetojnë aty, por vetëm maqedonasit (sllavët), nuk përmenden si pjesë e një populli (siç edhe janë pjesë e popullit sllav), por si popull i plotë shtetformues në Maqedoni (lexoni më poshtë krahasimin e Preambulave). Në herën e dytë, emri shqiptar (për etninë) përmendet ngjajshëm si në Kushtetutën e Kosovës, për Komitetin për marrëdhënie midis komuniteteve (që poashtu, realisht nuk ka asnjë vlerë madhore). Pra, që në shikim të parë duket se Kushtetuta e Kosovës. është e përqëndruar që më shumë të rregulloj të drejtat dhe përparësitë e serbeve, kurse Kushtetuta e Maqedonisë rregullon të drejtat e përparësitë e maqedonasve (sllavëve), në të dy rastet, sllavët janë qytetarë të dorës së parë, në raport me shqiptarët.

***

Preambula e Kosovës:
Ne, Populli i Kosovës,
Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet;
Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit;
Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social;
Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje;
Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë;
Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike;
Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Vs.

Preambula e Maqedonisë:
1. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët të cilët jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë, duke e marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre, të vetëdijshëm dhe mirënjohës ndaj paraardhësve të tyre për viktimat dhe përkushtimin e përpjekjeve të tyre dhe luftës për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Maqedonisë, dhe përgjegjës para gjeneratave të ardhshme për ruajtjen dhe zhvillimin e të gjithë asaj që është e vlefshme nga trashëgimia e pasur kulturore dhe bashkëjetesa në Maqedoni, të barabartë në të drejtat dhe obligimet e tyre për të mirën e përbashkët – Republikës së Maqedonisë – në përputhje me traditën e Republikës së Krushevës dhe vendimet e KAÇKM-së dhe të Referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë si shtet të pavarur, sovran, me qëllim që të vendoset dhe forcohet sundimi i së drejtës, që të garantohen të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare, të sigurohet paqja dhe bashkëjetesa, drejtësia sociale, mirëqenia ekonomike dhe përparimi i jetës individuale dhe të përbashkët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në
Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, të zgjedhur në zgjedhjet e lira dhe demokratike, e nxjerrin këtë…
2. Me pikën 1 të këtij Amendamenti, zëvendësohet Preambula e Kushtetutës
së Republikës të Maqedonisë.

______
Koment: Në Preambulën e Kosovës nuk përmendet asnjë komb, asnjë etni, por vetëm “Ne populli i Kosovës…” dhe për dallim nga Preambula e Maqedonisë, statusi i republikes së Kosovës nuk bazohet në referendum; Në Preambulën e Kosovës, nuk përmendet historia, e as lufta për liri, ashtu siç permendet në atë të Maqedonisë. Preambula e Maqedonisë, u ndryshua me luftën e vitit 2001 (Marrëveshja e Ohrit), por e rindryshuar edhe një herë gjatë votimit në Kuvend, nëpërmjet trysnisë politike të maqedonasve (sllavëve) dhe lajthitjes së partive politike shqiptare. Sipas marrëveshjes së Ohrit, Preambula e Maqedonisë ishte e ngjajshme me atë që ka Kosova sot, aty nuk ishin të permendur kombe apo etni të caktuara, por vetëm “Ne populli i Maqedonisë…” (3). Pra, në Preambulën e tanishme të Maqedonisë, veçohet populli maqedonas (sllav), SI DHE QYTETARET tjerë që jetojnë brenda kufijve të këtij shteti, e që janë një pjesë e popullit shqiptar (jo populli shqiptar, por vetëm një pjesë), një pjesë e popullit turk, një pjesë e popullit vlleh, një pjesë e popullit serb, një pjesë e popullit rom, një pjesë e popullit boshnjak, e të tjerë. Këtu shqiptarët barazohen me bashkësitë e vogla etnike. Kjo terminologji “pjesë e popullit shqiptar”, e jo si “e popullit shqiptar”, është vendosur me idenë se Maqedonia nuk është e popullit shqiptar në pergjithësi (kështu do t’i jepte popullit shqiptar të drejten historike, statusin e autoktonëve dhe rolin shtetformues), por vetëm e një pjesë të këtij populli, ashtu siç është edhe e një pjese të popullit turk, pjese të popullit vlleh, pjese të popullit serb, pjese të popullit rom, e pjese të popullit boshnjak. Pra, ashtu siç këto pjesë popujsh kanë depertuar si ardhacak në Maqedoni, mund të hyjnë dhe dalin kurdo dhe shtetin apo popullin e vet e kanë dikund tjetër, ashtu njihen edhe shqiptarët. Kurse Maqedonia është vetëm e një populli në tërësi, e ai është populli maqedonas (sllav). Shqiptarët nuk janë shtetformues sipas kësaj Kushtetute.

***

Përdorimi i gjuhëve:
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 5
1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe.
2. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligjin.
Neni 57
Banorët që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar, tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës (Komunitetet), gëzojnë të drejta të veçanta, të përcaktuara me këtë Kushtetutë, krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të kësaj Kushtetutë.
Neni 59
Pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që, në mënyrë individuale ose si komunitet:
(2) të marrin arsimim publik në të gjitha nivelet, në njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës se Kosovës, sipas zgjidhjes së tyre;

Vs.

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Neni 7
1. Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase (slave, shënimi im) dhe shkrimi i saj cirilik.
2. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.
3. Në njësitë e vetadministrimit lokal gjuha dhe shkrimi që e përdorin së paku 20% e shtetasve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve në njësitë e vetadministrimit lokal, vendosin organet e njësive të vetadministrimit lokal.
Cilido shtetas i cili jeton në njësinë e vetadministrimit lokal në të cilën së paku 20% e shtetasve flasin gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund të përdor cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetadministrimit lokal përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe
shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi. Çdo shtetas në komunikim me ministritë mund të përdor një nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi.
Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuha zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në pajtim me ligjin.
Në njësitë e vetadministrimit lokal gjuha dhe shkrimi që e përdorin së paku 20% e shtetasve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve në njësitë e vetadministrimit lokal, vendosin organet e njësive të vetadministrimit lokal.
Neni 48
Pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë në mësim në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm në mënyrën e caktuar me ligj. Në shkollat në të cilat arsimimi zhvillohet në gjuhë tjetër mësohet edhe gjuha maqedonase.
Neni 69
Për ligjet të cilët drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale dhe përdorimin e simboleve, Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, me ç’rast duhet të ketë shumicën e votave nga deputetët e pranishëm të cilët u takojnë komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Kontestin në lidhje me zbatimin e kësaj dispozite e zgjidh Komiteti për marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

________
Koment: Në Kushtetutën e Kosovës, gjuha shqipe dhe serbe kanë status plotësisht të barabartë në gjithë territorin e Kosovës, kurse gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome, janë gjithashtu zyrtare nëpër komuna. Në Kushtetutën e Maqedonisë, përdorimi i gjuhëve nuk u miratua në Kuvend në bazë të Marrëvëshjes së Ohrit, por me të njëjtën logjikë si në rastin e Preambules, ligji i gjuhëve u cungua. Gjuha maqedone (sllave) është zyrtare dhe gëzon status primar. Në paragrafin tjetër përmendet si zyrtare edhe një gjuhë që e flasin më së paku 20% e popullsisë, që mund të jetë cilado gjuhë që do të arrij këtë përqindje. Pra, zyrtarizimi i shqipes mvaret nga përqindja, kurse zyrtarizimi i maqedonishtes (sllavishtes) – jo (vazhdim i mendësisë së qytetarit të rendit të dytë). Poashtu, në komunat ku shqiptarët janë nën 20%, gjuha shqipe nuk është zyrtare. Në nivel diplomatik në komunikimin zyrtar ndërshtetëror, gjuha shqipe nuk është zyrtare. Edhe në shkollim, me nenin 48 kërkohet që patjetër të mësohet gjuha maqedone (sllave) krahas cilesdo gjuhë tjetër, kurse e njëjta nuk kërkohet për serbet në Kosovë që të mësojnë gjuhën shqipe. Në dokumentat zyrtare shtetërore, nuk aplikohet automatikisht dygjuhësia në gjithë territorin e Maqedonisë, por vetëm në ato komuna ku mbi 20% e popullsisë janë shqiptar. Kurse në Kosovë, në të gjitha dokumentat zyrtare shtetërore figuron edhe gjuha serbe. Edhe me propozim ligjin e ri (4) që beri shumë buj këtë vit, i ashtuquajturi avansim i gjuhës shqipe (ku termin shqip e kanë futur në kllapa nja dy here dhe vetëm këtë e paraqesin si arritje) tenton të arrij statusin që ka në Marrëveshjen e Ohrit, por as ky ligj nuk u lejua për procedim nga kryetari i shtetit.
***

Simbolet:
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 6
1. Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj.

Vs.

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Neni 5
Simbolet shtetërore të Republikës së Maqedonisë janë: stema, flamuri dhe himni.

________
Koment: Në Kushtetutën e Kosovës, simbolet, flamuri, stema e himni, duhet të pasqyrojnë karakterin “shumetnik” të saj, kurse në Kushtetutën e Maqedonisë nuk përmendet një kusht i tillë, edhe pse defacto Kosova nuk mund të cilësohet si shumëtnike, perderisa 90% e popullsisë i takon vetëm një etnije, kurse Maqedonija është shumëtnike, perderisa sipas rregjistrimit te fundit ne vitin 2002, vetëm 64% cilesohet si maqedone (5), apo sllave, por juridikusht nuk cilësohet si shumëtnike në nivelin e Kosovës.

***

Referendumi:
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 65
Kuvendi i Republikës së Kosovës
(3) shpall referendum, në pajtim me ligjin;
Neni 81
1. Për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve në vijim, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë:
(1) ligjet të cilat ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare;
(2) ligjet të cilat zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me Kushtetutë;
(3) ligjet për përdorimin e gjuhëve;
(4) ligjet për zgjedhjet lokale;
(5) ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore;
(6) ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare;
(7) ligjet për arsimin;
(8) ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë simbolet e komuniteteve dhe për festat publike.
2. Asnjëri nga ligjet me interes vital, nuk mund t’i nënshtrohet referendumit.

Vs.

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Neni 73
Kuvendi vendos për shpalljen e referendumit për çështje të caktuara nga kompetenca e tij me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Vendimi në referendum është miratuar, nëse për të ka votuar shumica e
zgjedhësve të cilët kanë votuar, në qoftë se kanë votuar më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve.
Kuvendi e ka për detyrë të shpallë referendum kur propozim do të paraqesin së paku 150.000 zgjedhës.
Vendimi i miratuar në referendum është i detyrueshëm.
Neni 74
Kuvendi merr vendim për ndryshimin e kufijve të Republikës me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Vendimi për ndryshimin e kufirit të Republikës është miratuar në referendum, në qoftë se për të ka votuar shumica nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve.
Neni 120
Propozim për aderim në aleancë ose në bashkësi me shtete të tjera ose për dalje nga aleanca ose nga bashkësia me shtete të tjera mund të paraqesin Presidenti I Republikës, Qeveria ose së paku 40 deputetë.
Vendimin për aderim ose për dalje nga aleanca ose nga bashkësia me shtetet tjera e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Vendimi për aderim ose për dalje nga aleanca ose nga bashkësia me shtetet tjera është miratuar, nëse në referendum për të ka votuar shumica nga numri I përgjithshëm i zgjedhësve.

________
Koment: Për të mbajtur referendum në Kosovë, duhet që edhe shumica e deputetëve serb të votojnë për të, përndryshe referendumi nuk mund të organizohet. Poashtu, Kosovës i janë caktuar disa ligje që janë në interes të serbeve, për të cilat nuk mund të organizojnë referendum. Maqedonija nuk ka kufizime të tilla, atje mund të shpallet referendum me shumicë të thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve. Edhe pse shqiptarët në Maqedoni kanë mbajtur referendumin e tyre (7) në vitin 1992 (ku kanë votuar 400.000 shqiptar), për të shpallur autonomi territoriale dhe politike, ai është anashkaluar në vazhdimësi nga sistemi sllav. Kujtojmë se çdo referendum i mbajtur, është në fuqi derisa të bëhet një referendum tjetër për të rrëzuar poshtë atë paraprak. Pra, referendumi i vitit 1992 është i fundit që është mbajtur në këtë shtet, dhe mund të përdoret nga politika shqiptare për të kërkuar autonomi territoriale dhe politike. Nuk i dijmë arsyjet se përse kjo nuk ndodh.
***

Bashkimi me shtete tjera:
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 1
Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjesë të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.

Vs.

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
AMENDAMENTI I
1. Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje.
2. Kufiri i Republikës së Maqedonisë mund të ndryshohet vetëm në përputhje me Kushtetutën, mbi parimin e vullnetit të lirë dhe në përputhje me normat e përgjithshme të pranueshme ndërkombëtare.

________
Koment: Kosovës nuk i lejohet bashkimi me ndonjë shtet tjetër, kurse Maqedonija nuk ka një një kufizim të tillë.

***

Feja/Religjioni:
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 8
Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.
Neni 39
1. Republika e Kosovës siguron dhe mbron autonominë fetare dhe monumentet fetare brenda territorit të saj.
2. Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare.
3. Konfesionet fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirëse në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligj.

Vs.

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Neni 19
Garantohet liria e besimit fetar.
Garantohet shprehja e lirë dhe publike e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët.
Kisha Ortodokse Maqedonase, bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit.
Kisha Ortodokse Maqedonase, bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze janë të lira në themelimin e shkollave fetare dhe enteve bamirëse dhe sociale, në procedure të parashikuar me ligj.
Ky nen (neni 19), pas Marrveshjes se Ohrit është ndryshuar me këtë amandament:
A M E N D A M E N T I VII
1. Kisha Ortodokse Maqedonase, si dhe Bashkesia fetare Islame në Maqedoni, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze, janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit.
2. Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze, janë të lira në themelimin e shkollave fetare dhe enteve bamirëse dhe sociale në procedurë të parashikuar me ligj.

________
Koment: Përderisa në Kushtetutën e Kosovës nuk përmendet asnjë fe/religjion, edhe pse pretendojmë se popullsija është me shumicë muslimane; në Maqedoni, atje ku shumica paraqitet se janë me përkatësi të krishtere (ortodoks), religjionet/fetë përcaktohen dhe përmenden qartë.

***

Ndryshimi i Kushtetutës:
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 65
Kuvendi i Republikës së Kosovës:
(2) vendos të ndryshojë Kushtetutën me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara dhe të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë;

Vs.

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Neni 74
Kuvendi merr vendim për ndryshimin e kufijve të Republikës me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Vendimi për ndryshimin e kufirit të Republikës është miratuar në referendum, në qoftë se për të ka votuar shumica nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve

________
Koment: Në Kosovë, Kushtetuta nuk mund të ndrrohet pa votën e shumicës së deputetëve serb; në Maqedoni Kushtetuta ndrrohet me shumicë të thjeshtë.

***

Struktura e Kuvendit (deputetët), apo vendet e rezervuara:
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 64
1. Kuvendi ka njëqind e njëzet (120) deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë bazuar në listat e hapura. Vendet në Kuvend ndahen midis të gjitha partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, në përpjesëtim me numrin e votave të vlefshme, të fituara prej tyre, në zgjedhjet për Kuvendin.
2. Në kuadër të kësaj ndarjeje, njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120) vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovës, si vijon:
(1) partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin Serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë (10) vende të garantuara, në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë (10);
(2) partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetet e tjera, në Kuvend do të kenë numrin e vendeve të fituara në zgjedhjet e hapura me minimumin e vendeve të garantuara si në vijim: komuniteti Rom një (1) vend; komuniteti Ashkali një (1) vend; komuniteti Egjiptian një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali, ose Egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komuniteti Boshnjak tri (3) vende, komuniteti Turk dy (2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend, nëse numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të garantuara.

Vs.

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Nuk ka vende të rezervuara për asnjë etni.

________
Koment: Është rast i rallë (ndoshta sui generis) që një diskriminim i tillë pozitiv t’i bëhet një bashkësije etnike që ka bërë gjenocid kunder lirisë/pavarësisë së po aty vendi ku jeton dhe vazhdon të luaj rol destruktiv për funksionimin e po atij shteti. Në anën tjetër, të mos harrojmë se në vitet ’90-ta në Maqedoni për 1 deputet shqiptar duhej 8000 vota që të zgjidhet, kurse për 1 sllav duhej 3900 vota, ekziston dokument zyrtarë edhe për këtë (7);
Përfundim: Edhe për shumë përparësi tjera të bashkësive etnike apo komuniteteve, në Kushtetutën e Kosovës janë të shkruara si norma, përveç këtyre që përmendëm më lartë, mund të vazhdojmë edhe më tej me norma tjera, si numri i detyruar për ministra dhe zevendesministra serb, numri i gjykatësve në gjykatën supreme, gjykatën kushtetuese, amendamentimin e Kushtetutës, zëvendeskryetarët e detyruar të komunave ku bashkësitë etnike janë mbi 10%, nënkryetarët e Kuvendit e avokatit të popullit, anëtarëve të komisionit qendrorë të zgjedhjeve dhe shumicë të dyfishtë të votave të deputetëve për ligje të veçanta me rëndësi vitale për serbet, për ndryshimin e të cilëve, për dallim nga Maqedonia, nuk vlenë as edhe referendumi. Kurse në Maqedoni, shqiptarët nuk i kanë të gjitha këto përparësi me normativë në Kushtetutë, por i “ri-fitojnë” këto pozita secilën herë që ndrrohet nje mandat qeverisës, gjatë bisedave politike të partive shqiptare kur koalicionojnë me partitë maqedone (sllave) për hyrje në qeveri. Pas “fitimit” të disa posteve politike, shqiptarët ndjehen si “fitues” mandat pas mandati, duke harruar se janë duke u ballafaquar me luftën e njëjtë për postet e ngjajshme. Shqiptarët vazhdojnë të riciklojnë probleme të njëjta, edhe pse i kanë të gjitha garancionet se marrëveshjet politike me ndërmjetësim ndërkombëtar është dashtë të implementohen me afat, ashtu si rasti i Marrëveshjes së Ohrit, që është dashtë të përmbyllet deri në vitin 2006, e jo të riciklohen të njëjtat konteste, madje edhe nëse arrihet pas 12 viteve implementimi i një pjesë të atyre marrëveshjeve, për votuesit shqiptar do të prezantohen si arritje, e jo dështim, si rasti i fundit me ligjin e cunguar të gjuhëve, ku përsëri gjuha shqipe nuk barazohet me atë maqedone (sllave) në nivel shteti, në gjithë territorin e maqedonisë (4), ashtu siç është serbishtja në Kosovë. Me “arritje” të këtilla, të zgjidhjes së problemeve të ricikluara, të ngjajshme me “fitoren e Pirros”, shqiptarët merren në vazhdimësi, si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë e gjetiu.

_________
Referenca:
1. KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS: http://www.kryeministri-ks.net/repository/docs/Kushtetuta.e.Republikes.se.Kosovës.pdf
2. KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË: https://www.sobranie.mk/WBStorage/Files/UstavRMALizmeni.pdf
3. Marrëveshja e Ohrit: http://www.siofa.gov.mk/data/file/Ramkoven_dogovor_al.pdf
4. PROPOZIM – LIGJ për përdorimin e gjuhëve (Shkup, gusht, viti 2017): http://www.pravda.gov.mk/documents/ligji%20i%20gjuhëve%20%20-%20komplet.pdf
5. Rregjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoni (viti 2002): http://www.stat.gov.mk/pdf/kniga_13.pdf
6. Rregjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë (viti 2011): http://askdata.rks-gov.net/PXWeb/pxweb/sq/askdata/askdata__14%20Census%20population__Census%202011__2%20Republic%20of%20Kosova/census40.px/table/tableViewLayout1/?rxid=a9f05a45-e2a8-4257-8abc-e2f9398ca529
7. Kurban për Maqedoninë! https://www.facebook.com/notes/besir-bajrami/kurban-p%C3%ABr-maqedonin%C3%AB/1563477047028147/

Komentet
Top