Loading...

Kryengritja e Dervish Carës

Robert-Nesimi-1a-bg_resize.jpg

Robert Nesimi

Në botën e librave “Kryengritja e Dervish Carës” me siguri zen një vend të posaçëm. Ai është libër që kurrë nuk pa dritën në gjuhën origjinale në të cilën ishte shkruar, ndërsa është botuar dy herë në gjuhë tjetër, i përkthyer nga dy përkthyes të ndryshëm. Librin e ka shkruar historiani i njohur Aleksandar Matkovski në vitet e 80-ta në maqedonisht, por dorëshkrimi mbeti i pabotuar, me gjasë sepse përmbajtja e librit ishte në kundërshtim me narativën zyrtare shtetërore historike të asaj kohe.

Megjithatë në po atë kohë, me një dozë të madhe vetëcenzure dhe një varg lëshimesh, me qëllim që më lehtë t’a tejkalojë cenzurën shtetërore, librin e pat përkthyer në shqip Lutfi Rusi, ndërsa e botoi gazeta “Flaka e Vëllazërimit”. Njëzet vite më vonë të njëjtës punë i hyri profesor Fatmir Sulejmani, tanimë pa ngarkesën dhe pengesën e sistemit të kaluar, me çka libri u botua për herë të dytë në shqip. Në ndërkohë libri mbeti i pabotuar në maqedonisht, edhepse flet për ngjarje të rëndësishme në këto hapësira nga koha e Perandorisë Osmane.

Ngjarjet që përshkruan libri kanë ndodhur në shekullin e 19-të, më saktësisht në vitin 1844. Ishte ajo kohë e reformave të mëdha në Perandori, të ashtuquajtura reforma të Tanzimatit, kur ajo përpiqej të modernizohet dhe të kap hapin me botën perëndimore. Pikënisja kryesore e reformave ishte centralizimi i fuqishëm i pushtetit, që ndër tjerat parashihte formimin e një ushtrie të rregullt dhe të vetme perandorake, me anë të rekrutimit nga popullata lokale. Regrutët do të dërgoheshin në shërbim ushtarak në vise të largëta, gjithkund ku shtrihej Perandoria. Natyrisht këto masa drastike goditnin rëndë popullatën lokale, por edhe pashallarët, të cilëve ju reduktohej ndjeshëm pushteti i madh që kishin nën sistemin e mëparshëm. Mes tjerëve në shenjë ishin tre vëllezër, pashallarët e Tetovës, Shkupit dhe Qustendilit. Nën arsyetime qesharake ata u larguan nga pozitat e tyre dhe u dërguan në Stamboll, ku u burgoësn.

Dervish Cara, i lindur në fshatin Pallçisht të Tetovës, në atë kohë ishte i dërguar i pashait të Tetovës në Gostivar. I pakënaqur nga trajtimi i pashait dhe duke ditur mirë pakënaqësinë ndër popull, ai në fillim të vitit 1844 nis kryengritje të hapur. Së shpejti çliron Gostivarin, ndërsa pas disa betejash arrin të çlirojë më pas edhe Tetovën. Atëherë kryengritja merr flakë. Në bashkëpunim me disa liderë lokalë dhe me përkrahje të popullatës, pas disa ditë betejash të ashpra Dervish Cara hyn triumfalisht në Shkup. Kryengritësit vazhdojnë më tej dhe çlirojnë Kumanovën, pastaj Vranjen, Leskocin, Mitrovicën, Prishtinën etj. Pas disa javësh kryengritësit kontrollojnë kështu gjithë pjesën veriore të Maqedonisë, Serbinë Jugore dhe gjysmën e Kosovës. Nën armë janë me mijëra kryengritës.

Përgjigja e Perandorisë është e ashpër, por kalkulante. E mposhtur disa herë nga kryengritësit, ushtria perandorake e din se për t’u përballur me ta do të duhet të sjellë forca të jashtme, të cilat në fund do të numërojnë dhjetëra mijëra ushtarë të sjellur nga çdo anë e Perandorisë në Selanik dhe Manastir. Pushteti otoman në të njëjtën kohë ka frikë nga përhapja e kryengritjes në vise tjera, para së gjithash në Shqipëri dhe Bosnjë. Nën principin “përçaj dhe sundo” ajo në ato rajone premton shtyrje ose anulim të reformave dhe me këtë ja arrin të ruajë paqen. Në ndërkohë vazhdojnë betejat me kryengritësit. Pa hyrë në detaje, ushtria otomane në fund arrin të thyejë rezistencën në betejën e madhe të Katllanovës. Dervish Cara kapet rob dhe dërgohet ne Stamboll, ku dënohet me burgim të përjetshëm. Më pas i humben gjurmët; me gjasë ka vdekur në burg. Ushtria otomane vazhdon më tej dhe në maj të vitit 1844 rimerr Shkupin, pastaj me rradhë Tetovën, Gostivarin…Kryengritja e Dervish Carës është shuar, por jep jehonë të madhe. Dy-tre vitet e ardhshme liderët e mbijetuar të kryengritjes, në ikje inspirojnë kryengritje të reja në Shqipëri dhe Bosnjë, të cilat megjithatë shuhen shpejtë.

Kryengritja e Dervish Carës është kryengritja më e madhe në territorin e Maqedonisë gjatë gjithë epokës pesëshekullore otomane, e kryer me forca vendore pa asnjë ndihmë nga jashtë. Gjatë gjashtë muajve sa zgjati kryengritja, Dervish Cara arriti të çlirojë dhe mbajë një territor të gjërë, me disa qytete, ndër të cilët edhe Shkupi. Megjithatë kryengritja është harruar dhe lënë mbas dore në historiografinë zyrtare maqedonase, por edhe atë shqiptare. Burimet kryesore për të janë nga diplomatë dhe shërbime britanike, ruse, austriake dhe sidomos franceze, të cilët kanë raportuar tek shtetet e tyre amë për ngjarjet në Maqedoni. Po këto dokumente kanë qenë inspirimi kryesor dhe boshti ku është mbështetur më së shumti Matkovski kur ka shkruar librin. Gjithsesi ai është më meritori për zbulimin e kësaj kryengritje dhe kësaj periudhe interesante historike të vendit, si dhe për shpëtimin e figurës së Dervish Carës nga harresa. Për fat të keq libri është shkruar në një kohë disponimi të madh antishqiptar në rradhët e pushtetit, e siç duket fakti që Dervish Cara ka qenë shqiptar ka mjaftuar që libri mos të botohet në maqedonisht.

Nga ana tjetër është e pakuptueshme pse kjo cenzurë e figurës së Carës vazhdon edhe në ditët e sotme. Sot e kësaj dite emri i tij mund të haset vetëm tek shkolla fillore në vendlindjen e tij në Pallçisht dhe në një rrugë të Tetovës. As kur ndërtohej projekti pompoz “Shkupi 2014” dhe kur vendoseshin shtatore të figurave të rëndësishme historike, e ku vend gjetën edhe figura të huaja si Car Dushani, emri i Dervish Carës nuk u përmend fare, edhepse ai ishte i vetmi që arriti të çlirojë Shkupin në periudhën otomane. Nëse duam të jemi të sinqertë ndaj historisë, kjo situatë patjetër duhet të korigjohet. Dervish Cara e ka merituar vendin e vet në histori dhe ky është fakt që duhet të pranohet, e jo të fshihet. Hap i parë mund të jetë botimi i librit të profesor Matkovskit në maqedonisht, 35 vjet pasi është shkruar.

Komentet
Top