Kuptimi i Brexitit

o69iAQTJ9cwK4IOJ9qy1e4Pf9cRz2mNi_OIVeETZnE5yu95h6kPB3iX9eSOib2cjg4trjXxBs7Eyg0P7l4MGlKkeiYEQaBrtl6lUZhyFOPbAi6fYvd79a2Af7AUQlEH5QPeNq9c.jpg

AUTOR: JEFFREY SACHS

Vota për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, Brexit, qe një protestë e trefishtë: qe protestë kundër imigrimit në rritje, bankierëve të Siti të Londrës dhe institucioneve të Bashkimit Europian. Kjo do të ketë pasoja të mëdha. Fushata e Donald Trump për presidencën e SHBA-së do të marrë fuqizim bashkë me politikanët e tjerë populistë antiimigrantë. Për më tepër, duke lënë BE-në, ekonomia britanike do të vuajuë ndërsa Skocia mund të shtyhet të dalë nga Mbretëria e Bashkuar – pa folur për pasojat e pritshme të Brexit në të ardhmen e integrimit Europian.

Brexit është në këtë mënyrë një ngjarje vendimtare që sinjalizon nevojën për një lloj të ri globalizimi, një globalizimi shumë më superior se sa status quo-ja që u hodh poshtë në votimet britanike.

Në zemër të saj, Brexit reflekton një fenomen të gjithëpërhapur të botës me të ardhura të larta: mbështetja në rritje për partitë populiste që bëjnë fushatë me premtimin për ndalimin e imigrimit. Afërsisht gjysma e popullsisë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi votues të klasës punëtore, bësojnë se imigrimi ka dalë nga kontrolli, duke përbërë kërcënim për rendin publik dhe për normat kulturore.

Në mes të fushatës së Brexit në maj, u raportua se Mbretëria e Bashkuar pati një imigrim neto prej 333 mijë njerëzisht më 2015, mbi tre herë më shumë nga kuota 100 mijë, kuotë që qe edhe premtimi i qeverisë. Ky lajm erdhi pas krizës së refugjatëve sirianë, sulmeve terroriste nga migrantë sirianë dhe nga fëmijë të pakënaqur migrantësh të mëparshëm dhe raporte të shumëreklamuara për sulme ndaj grave dhe vajzave nga migrantët në Gjermani dhe gjithkund tjetër.

Në SHBA, mbështetësit e Trump po bëjnë fushatë kundër të 11 milionë banorëve të padokumentuar të vendit, më së shumti hispanikë, të cilët jetojnë në masën dërrmuese në paqe dhe me produktivitet, por nuk kanë viza apo leje pune. Për shumë nga mbështetësit e Trump, fakti thelbësor mbi sulmin e fundit në Orlando është që autori qe fëmija e një imigranti mysliman nga Afganistani dhe që veproi në emër të ndjenjave anti-Amerikane (megjithëse kryerja e vrasjeve në masë me armë automatike është, për fat të keq, fenomen tepër amerikan).

Paralajmërimet se Brexit mund të ulë nivelin e të ardhurave ose u hodhën poshtë ose u sulmuan haptazi dhe në mënyrë të gabuar si të pavërteta që synojnë të përhapin panik, ose u vunë në peshore përballë idesë se kontrolli i kufijve është një interes më i lartë. Një faktor madhor, gjithsesi, qe lufta e klasave. Ata që mbështetën daljen nga klasat punëtore arsyetuan se shumica ose të gjitha humbjet në të ardhurave do të mbaheshin nga të pasurit dhe në veçanti nga bankierët e urryer të Sitit të Londrës.

Amerikanët përbuzin Uoll Stritin dhe sjelljen prej të babëziturish apo kriminelësh të bankierëve po aq shumë nga përbuz klasa punëtore britanike Sitin e Londrës. Kjo sugjeron gjithashtu se Trump ka një avantazh në fushatë kundër Hillary Clinton, kandidatura e së cilës është financuar rëndë nga Uoll Strit. Clinton duhet të mbajë shënim dhe të distancohet nga Uoll Striti.

Në Mbretërinë e Bashkuar këto dy rryma të fuqishme politike – kundërshtimi i imigrimit dhe lufta e klasave – u kombinuan me mendimin dominues se institucionet e BE-së janë disfunksionale. Dhe natyrisht që ato janë. Mjafton të rikujtojmë keqmenaxhimin gjashtëvjeçar të krizës greke nga politikanë europianë dritëshkurtër dhe vetëshërbyes. Vijimi i trazirave në eurozonë qe, në mënyrë të kuptueshme, e mjaftueshme për të siguruar miliona vota mes britanikëve që votuan për dalje.

Në terma atafshkurtër, pasojat e Brexit janë sakaq të qarta: paundi ra në nivelin më të ulët në 31 vjet. Së afërmi, Siti i Londrës do të përballet me pasiguri madhore, humbje vendesh pune dhe kolaps të bonuseve shpërblyese.

Vlerat e pronave në Londër do të ftohen. Pasojat e mundshme afatgjata në Europë janë të shumta – përfshirë gjasat për pavarësinë e Skocisë, pavarësinë e mundshme të Karalunjës, ndërprerjen e lëvizjes së lirë të njerëzve në BE dhe rritje të politikës anti-migratore (përfshirë zgjedhjen e mundshme të Trump në SHBA dhe të Marine le Pen në Francë). Vende të tjera mund të zhvillojnë referendume të tjera dhe disa mund të zgjedhin të ikin.

Në Europë, thirrja për të ndëshkuar Britaninë pour encourager les autres – për të paralajmëruar të tjerët që ankohen – sakaq është duke u dëgjuar me forcë. Kjo është politika europiane në formën e vet më budallaqe (pak a shumë në të njëjtën formë që qe në rastin e Greqisë). BE-ja që mbetet duhet, në vend të kësaj të reflektojë mbi defektet e veta dhe t’i zgjidhë ato. Ndëshkimi i Britanisë – për shembull duke i mohuar akses në tregun e përbashkët Europian – thjeshtë sa do të sjellë më shumë trazira për BE-në.

Po çfarë duhet bërë? Unë mund të sugjeroj disa masa, si për të reduktuar rrezikun e katastrofës së reagimit zinxhir afatshkurtër ashtu edhe për të maksimizuar përfitimet afatgjata nga reforma.

E para, duhet të ndalohet vala e refugjatëve nga Siria duke i dhënë fund menjëherë luftës në Siri. Kjo mund të arrihet duke i dhënë fund aleancës CIA-Sauditë për rrëzimin e Bashar al0Assad, rrjedhimisht duke i mundësuar Assad (me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit) të mposhtë Shtetin Islamik dhe të stabilizojë Sirinë (me një përqasje të ngjashme në Irakun fqinj).

Fiksimi i Amerikës me ndryshimin e regjimeve (në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri) është një shkak i thellë i krizës së refugjatëve në Europë. Duke i dhënë fund këtij fiksimi, refugjatët mund të rikthehen në shtëpi.

E dyta, ndalo zgjerimin e NATO0s në Ukrainë dhe Gjeorgji. Lufta e re e Ftohtë me Rusinë është një gabim tjetër me origjinë në SHBA me shumë naivitet europian bashkangjitur. Duke i mbyllur derën zgjerimit të NATO-s bëhet e mundur lehtësimi i tensioneve dhe normalizimi i marrëdhënieve me Rusinë, stabilizimi i Ukrainës dhe rikthimi i fokusit te ekonomia europiane dhe projekti për Europën.

E treta, mos ndëshko Britaninë. Në vend të kësaj, kontrollo kufijtë e BE-së dhe kufijtë kombëtarë për të ndaluar migrantët ilegalë. Kjo nuk është ksenofobi, racizëm apo fanatizëm. Është një veprim i logjikshëm që vendet me programet më bujare të mirëqenies shoqërore (Europa Perëndimore) mund t’i thotë jo miliona (dhe qindramiliona) aspirantëve për migrantë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për SHBA-në.

E katërta, rikthe sensin e drejtësisë dhe mundësisë për klasën punëtore të pakënaqur dhe atyre, jetët e të cilëve janë minuar nga krizat financiare dhe dërgimi i vendeve të punës jashtë vendit. Kjo do të thotë të ndjekësh ethosin social-demokratik të shpenzimeve të bollshme shoqërore për shëndetësi, arsim, trajnim dhe praktikë pune si dhe mbështetje të familjeve, të financuara përmes taksimit të të pasurve dhe mbylljes së parajsave fiskale, të cilat janë duke gllabëruar paratë që duhej të ishin të ardhura publike dhe po përshkallëzojnë padrejtësitë ekonomike. Kjo do të thotë gjithashtu që në fund t’i jepet Greqisë lehtësim borxhesh, duke ndërprerë krizën tashmë të vjetër të eurozonës.

E pesta, përqendro burimet, përfshirë ndihma shtesë, për zhvillimin ekonomik më shumë se sa për luftën në vendet me të ardhura të ulëta. Migrimi i pakontrolluar nga rajonet e varfra dhe plot konflikte të botës së sotme do të bëhet mbytës, pavarësisht politikave që mund të ndiqen mbi imigrimin, në rast se ndryshimet klimaterike, varfëria ekstreme dhe mungesa e aftësivë dhe arsimit do të vijojnë të minojnë potencialin e zhvillimit në Afrikë, Amerikën Qendrore dhe Karaibe, në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendrore.

E gjitha kjo thekson nevojën për një ndryshim nga strategjia e luftës te strategjia e zhvillimit të qendrueshëm, veçanërisht nga SHBA dhe Europa. Muret dhe gardhet nuk do t’i ndalojnë miliona migrantët që arratisen nga dhuna, varfëria ekstreme, uria, sëmundjet, thatësirat, përmbytjet dhe katastrofat e tjera. Vetëm bashkëpunimi botëror mund ta bëjë këtë.

Komentet

Leave a Reply

Top