Kur miu e dridh urën duke ecur bashkë me elefeantin

Xhelal-Neziri_0.jpg

A ka ilaç ky sindrom që i ngjan narcizmit? Natyrisht se po. Psikanalistët e kohës thonë se perceptimi duhet ndërtuar mbi indikatorë të qartë për sukseset, e jo mbi arsyet për dështimet.

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Çdonjëri duket budalla kur tenton të tregohet i mençur. Kjo shpesh u ndodh atyre që kanë një vet-përceptim të gabuar. Për shembull, kur një lider partie ka dy-tre deputetë por sillet sikur të ketë tridhjetë.

Ose ndonjëri që ka marrë një titull shkencor, por pretendon të ketë monopol në sferën e tij. Anipse nuk ka botuar asnjë punim në ndonjë revistë me relevancë ndërkombëtare, nuk është i kyçur në asnjë rreth relevant e nuk ka marrë pjesë në asnjë konferencë me peshë të asaj sfere, megjithatë ai e sheh veten në kulmin e profesionit.

Çështja e vet-perceptimit të gabuar i bën njerëzit të bëjnë gabimet e njëjta në situata krejtësisht të njëjta. Ata nuk mësojnë nga gabimet, nuk marrin parasysh aspektin empirik, nuk përmirësohen sepse kanë krijuar një realitet të rejshëm për veten.

Perceptimi në fakt është realitet. Nëse është i gabuar, atëherë kemi të bëjmë me një formë ekstreme të realitetit subjektiv. Një realitet që në fakt duket vetëm në sytë e atij që ka një perceptim të gabuar, por që nuk e sheh pjesa tjetër e shoqërisë.

Keta politikanë apo ekspertë që kanë vet-përceptim të gabuar, pra krijojnë një realitet të paqenë për veten, hasin në probleme të pakapërcyeshme kur presin që edhe pjesa tjetër e shoqërisë t’i shohë e vlerësojë ashtu siç pretendojnë të jenë. Në momentin që nuk e marrin atë trajtim që e presin si të merituar, të njëjtit bëhen destruktiv por edhe vetshkatërrues. Fajin për të gjitha dështimet e hedhin te tjerët, trillojnë konspiracione për gjoja komplote kundër tyre dhe kështu zhyten edhe më shumë në realitetin iluzor që e ka prodhuar vet-perceptimi i gabuar.

Në sytë tonë zakonisht jemi ata që duam, e jo ata që në të vërtetë na shohin tjerët se jemi. Teorinë e vet-perceptimit i pari e ka zhvilluar psikanalisti Deril Bem. Tani më është një lëmë që observohet shumë nga shkencëtarët, sidomos kur bëhet fjalë për sferën publike.

Problemet që presidenti amerikan Donald Trump i kishte me mediat iu adresuan pikërisht vet-perceptimit të gabuar që kishte. Pra, problemi i Trump-it është obsesioni që ka për veten si i vetmi politikan që mund të bëjë diçka mirë për SHBA-në.

Ky sindrom është i mbipranishëm, sidomos në skenën politike shqiptare. Pse jo edhe në sferën publike, ku njerëz të vegjël pretendojnë të zgjidhin probleme të mëdha. Problemi i mosfunksionimit të koalicioneve te partitë shqiptare qëndron pikërisht këtu. Mungesa e kapacitetit për unifikimin e njëmendtë të opozitës është pikërisht mbivlerësimi i liderëve i bazuar në vet-perceptimin e gabuar. I njëjti fenomen është i përhapur edhe ndër organizimet jopartiake, të cilat mëtojnë të jenë aktorë në sferën publike si: shoqatat qytetare apo iniciativat intelektuale.

Kjo dukuri shpesh asocon në atë barcoletën kur miu i thotë elefantit se sa shumë e dridhin urën duke ecur bashkë mbi të.

A ka ilaç ky sindrom që i ngjan narcizoizmit? Natyrisht se po. Psikanalistët e kohës thonë se perceptimi duhet ndërtuar mbi indikatorë të qartë për sukseset, e jo mbi arsyet për dështimet. Kohë pas kohe, këshillojnë ato, pyeti njerëzit që të rrethojnë që t’u tregojnë pa ekuivoke se si u perceptojnë ata. Kur këta të merren parasysh, asnjë politikan, profesor universitar apo ekspert nuk do të ketë problemin e vet-perceptimit të gabuar. Rrjedhimisht, do të reduktojnë dështimet në sferën ku janë aktivë.

Komentet
Loading...
Top