Kur Rama e Vuçiç qortojnë BE-në

0155.jpg

Shkruan Jon Leka

Në Serbi flitet për zgjedhje të reja. Në Shqipëri mandati i socialistëve thinjet pa realizuar premtimet kyçe, të bëra gjatë defileve për të marrë pushtetin. Vetëm uniformat e bukura policore dhe intervistat pompoze të kryeministrit nuk mjaftojnë për koherencë popullariteti e sigurie për votat e ardhshme.

Maqedonia qëmoti gjendet në zgjedhje karikaturale, të tavolinës, pa prezencën e demosit. Greqinë, as ky injeksion financiar nuk do ta shpëtojë nga trazirat e ardhshme drejt kaosit e në fund zgjedhjeve të cilat tashmë pas dorëheqjes së Tsipras do të mbahen. Evropa Juglindore është në ethe: ajo gjendet përballë dasmave të reja elektorale dhe krizave të vjetra që nuk i çnyjëzon dot, e më hiç vetë.

Për BE-në, «klubin e burokratëve bjerrakohës» – siç e quajnë me neveri selinë në Bruksel kritikët perëndimorë – editoralistët e megagazetave thonë se ka filluar të ushtrojë mungesën kontemplative: komisionet e saja më shumë heshtin se sa punojnë. Ose nuk bëjnë gjë konkrete deri sa «Yankee» – t të kërcënojnë me tërheqje të plotë nga rajonet e tyre të shumta të krizës.

Shumica e liderëve të EJL ka kohë që shumë probleme të tyre ia adresojnë BE-së, respektivisht paaftësisë së komisioneve të organizatës supranacionale për të menaxhuar më shpejt, më efektshëm dhe pa paragjykime integrimin e vendeve të tyre në klubin e përzgjedhur por ende të plotësueshëm evropian.

Mbrapa kësaj tabloje konfliktuoze, mirëpo stenogramet, protokollet ofrojnë një real-politikë që qëndrimet, aksionet dhe ofensivat e primatëve politikë të EJL-së i kualifikon me tepër si aksione për politikë të brendshme ditore se sa për më shumë.

Si asnjëherë më parë, strukturat e BE-së janë të angazhuara në kriza konkrete, pa asistencën e të cilave do të kishte edhe më shumë probleme se ç’janë aktualisht dhe atë në:

1. Krizën qeveritare në Maqedoni, ku zhvillohen debate të ashpra për të gjetur kompromiset e nevojshme ndërmjet qeverisë kokëfortë e arrogante të Gruevskit dhe opozitës po aq në dëlir për pushtet sa edhe e para.

2. Me muaj të tërë pothuaj shumica e komisioneve të Bashkësisë është e angazhuar duke ndërmjetësuar e punuar për të gjetur një zgjidhje adekuate rreth krizës greke. Situata erdhi deri tek edhe diskutimi serioz i përjashtimit të grekëve nga bashkësia, gjë që do të shkaktonte një domino efekt në favor të «unioneve» tjera euro-aziatike që mezi presin shkaqe e arsye për të pushtuar sferat e dominimit në Evropën Juglindore.

3. Dialogu Kosovë – Serbi është edhe më fatpërcaktues për integritetin, seriozitetin dhe besueshmërinë e BE-në në këtë pjesë ende të pakyçur të kontinentit se gjitha krizat tjera. Ngarendja dhe vërdallja e eurokomiserëve vendeve të EJL për të nxitur, kontrolluar e mbikëqyrur marrëveshjet kosovare-serbe është edhe më e lodhshme dhe shpesh e pashtegët se sa krizat tjera.

4. Vërshimi i emigrantëve legalë dhe ilegalë nuk është dukuri e re për Perëndimin, pra ka përvojë të gjatë në këtë drejtim, mirëpo Bashkësia është vënë nën një presion të paparë nga anëtaret e saj, të reja dhe histerike, pjesërisht ksenofobe dhe shkelëse të të gjitha konventave të mundshme për të drejtat e azilit dhe të njeriut. Edhe këtu BE rrezikon humbje të imazhit si respektuese e dokumenteve universale.

5. BE, respektivisht shumica e shteteve të saj kanë pranuar dhe kanë nisur implementimin e strategjive të ndryshme që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit global dhe bëjnë çmos që të njëjtat standarde të aplikohen edhe në shtetet e saj anëtare të reja e të vjetra. Me të parat dhe kandidatët kanë ende probleme të mëdha, sepse këto ende nuk disponojnë me infrastrukturën e duhur dhe te disa mungon serioziteti i përballjes me fenomenin në fjalë.

Pasi t’i kemi mësuar këto halle dhe të vërteta rreth problemeve, dinamikës, strategjive dhe punëve të Unionit me seli në Bruksel si na tingëllon në vesh apeli kërcënues i kryeministrit të një vendi kandidat siç është zotëri Vuçiç kur ankohet për mosintervenimin e BE-së në një kontest me kroatët e Vukovarit të cilët lejuakan apo nuk lejuakan mbishkrimet edhe në cirilikë? Si tingëllojnë «këshillat sugjeruese» të kryeministrit shqiptar Edi Rama kur flet për «shpartallimin e Evropës» nëse nuk shpejtohet anëtarësimi i vendeve ende jashtë në Bashkësi dhe se «islami radikal» kanos kontinentin plakë edhe me rëndë se ç’ perceptohet në kabinetet e qeverive perëndimore?

Çuditërisht histeria e primatëve politikë të EJL as që regjistrohet përtej zyrave për informim që janë të detyruara t’iu përgjigjen mediave. Pra apelet nuk tingëllojnë fare edhe për faktin se jo BE ka shkuar në pushim, por se Shqipëria, Kosova, Serbia dhe vendet tjera ende nuk kanë plotësuar ato kushte që kërkohen para anëtarësimit të tyre. Përkundrazi në BE thonë se «duhet të harxhojnë energji të mëdha për t’i ruajtur kandidatët potencialë nga luftërat e mundshme si dhe t’i frenojë mos i mbysin refugjatët e vendeve arabe që kërkojnë strehim te ta». Terreni na e konfirmon këtë.

Pse atëherë kjo retorikë e «ashpër», «kërcënuese» dhe «sugjeruese» e liderëve që së shpejti duket se do të luajnë futboll së bashku në Vjenë? Sigurisht për ato arsye që i përmendëm në fillim të kësaj analize: për interesa të politikës së tyre të brendshme.

Njëri nga premtimet bosht të tij, gjatë kampanjave elektorale ishte plotësimi i kushteve dhe hyrja në BE e kjo nuk duket në horizont dhe rrezikon të mos ndodhë edhe në një mandat të dytë eventual po që se Shqipëria vazhdon të ecë me hapa Ariu në këtë drejtim. E Vuçiç e ka edhe më keq: paralajmërimet për zgjedhje i trokasin në dyer të zyrës dhe ish-mentorët e tij radikalë bëhen dita-ditës më të fortë; marrëveshjet ngecin e presioni nga ndërkombëtarët bëhet i padurueshëm, ndërkaq shumica e serbëve ende nuk janë të gatshëm për të mësuar «të vërteta të mëdha». Në këto kushte edhe retorika e egër has në mirëkuptim!

Komentet

Leave a Reply

Top