Kush flet për opozitën shqiptare

Robert-Nesimi-1a-bg_resize.jpg

Shkruan: Robert Nesimi

Ashtu siç pritej takimi i parë i liderëve javën e kaluar dështoi, nga vetë fakti se aty u mblodhën tepër parti dhe edhe më tepër liderë. Të nesërmen dhe ditëve në vijim u mbajtën takime tjera në formatin e vjetër: dy parti shqiptare dhe dy maqedonase, nga pozita dhe opozita. Në takim si përfaqësues të opozitës shqiptare Zaev ftoi Kasamin, edhepse në qeveri si kryetar të Besës njeh Gashin. Sa ju përket takimeve të liderëve kjo ka pak rëndësi. Zaev mund të kishte ftuar edhe Selën, Gashin ose Thaçin, por në fund të fundit nuk është Zaev ai që vendos se kush përfaqëson shqiptarët nga opozita. Kur të vijnë çështje më të rëndësishme, si puna e referendumit, peshën e vërtetë do t’a ketë ajo parti që ka mbështetje reale në elektorat dhe nesër prej saj mund të varet suksesi apo dështimi i referendumit. Me naivitetin e vet Zaev tani mund të dojë të luajë loja me partitë shqiptare dhe kështu të vë në rrezik vetë referendumin. Ne të tjerët e kemi më me rëndësi që kjo çështje të kalojë sa më lehtë dhe rrjedhimisht na duhet t’a dijmë se kush në të vërtetë flet për opozitën shqiptare.

Sikur kjo pyetje të ishte bërë në dhjetorin e vitit 2016 nuk do të kishte aspak dilema. Pa asnjë dyshim Lëvizja Besa atëherë doli parti e dytë shqiptare, me nja 20 mijë vota më tepër se partia e tretë me rradhë, Aleanca. Pa hamendje roli i opozitës së vërtetë atëherë i takonte asaj. Dilema nuk do të kishte as sikur pyetja të bëhej vjet në këtë kohë. Atëherë Aleanca veçmë ishte në qeveri, ndërsa Besa në opozitë dhe është e qartë se kush ishte zëri i opozitës shqiptare.

Por tani nuk jemi më dhjetori i vitit 2016, as korriku i vitit 2017, por jemi në korrik 2018. Në ndërkohë kanë ndodhur disa procese që kanë ndryshuar rrënjësisht pasqyrën e partive shqiptare dhe mendoj se tanimë nuk ka dilema se zëri i vërtetë opozitar shqiptar është Aleanca për Shqiptarët. Me rradhë proceset janë: zgjedhjet lokale 2017, dalja e Aleancës nga qeveria, përçarja e Besës dhe futja e një pjese të saj në qeveri.

Së pari zgjedhjet lokale ndryshuan pasqyrën në bllokun shqiptar. BDI stagnoi në po ato vota që kishte, PDSH u përgjysmua edhe një herë, ndërsa Besa humbi rreth 10 mijë vota. E vetmja parti që shënoi rritje të përkrahjes ishte Aleanca, e cila arriti të fitojë mbi 50 mijë vota dhe të kalojë Besën si parti e dytë shqiptare. Përveç kësaj Aleanca fitoi zgjedhjet dhe sot qeveris me tre komuna, ndërsa Besa mbeti me një komunë të vetme. Ky ishte indikatori i parë se vullneti i elektoratit shqiptar ka ndryshuar dhe se pas shansit të dhënë Lëvizjes Besa, herën e dytë populli vendosi që rolin e bartësit të opozitës t’ia kalojë Aleancës.

E dyta, Aleanca u largua nga qeveria fill pas zgjedhjeve lokale, edhe atë për shkak të mosmarrëveshjeve me SDSM me BDI. Me kalimin e saj të menjëhershëm në opozitë, Aleanca pranoi rolin që i dha elektorati, gjegjësisht vota që i dha për të mposhtur BDI-në në tre komuna, gjë në nuk mund të bëhej përderisa ajo vazhdonte të qëndrojë në qeveri. Normalisht asokohe pritej që Aleanca të luante këtë rol së bashku me Lëvizjen Besa, me të cilën kishte qenë në koalicion në zgjedhjet lokale.

E treta, pas humbjes së primatit opozitar, Lëvizja Besa goditi edhe një herë vetveten. Mu kur duhej të qëndronte e bashkuar si zë i fuqishëm opozitar, së bashku me Aleancën, ajo shkoi e u përça në dy pjesë. Ne ende nuk e dijmë se në cilën anë ka shkuar elektorati i Besës, por është fakt se edhe kur ishte e bashkuar ajo mori vetëm 48 mijë vota në zgjedhjet e fundit. Pra si të përçara asnjë pjesë e saj nuk ka gjasa të jetë parti e dytë shqiptare, sepse ato nuk ishin të tilla as kur ishin së bashku. Me përçarjen në fillim të këtij viti Besa humbi mundësinë për të qenë opozitë e fortë dhe zë i frymës opozitare shqiptare, së bashku me Aleancën.

Dhe përfundimisht Besa humbi çfarëdo të drejte pretendimi për zë opozitar në momentin kur u ul në bisedime për t’u futur në qeveri në vend të Aleancës. Pa marrë parasysh deklaratave të udhëheqëve të saj partiakë, ajo me këtë hap ia ktheu shpinën koalicionit opozitar me Aleancën, duke tentuar të bëhet rezervë e saj. Dhe kjo vlen për të dy krahët e Besës, sepse fundja që të dyja ishin të interesuara për t’u futur në qeveri, megjithëse faji më i madh bie mbi Besën e Gashit, sepse në fund ajo hyri në qeveri. E ky hap ishte hapi i gabuar në momentin e gabuar.

Nisur nga këto procese, është e qartë se zëri i vërtetë opozitar shqiptar tani është Aleanca për Shqiptarët. Besa e Gashit apo PDSH kanë humbur përfundimisht këtë të drejtë me futjen e tyre në qeveri. Besa e Kasamit mund të pretendojë një gjë të tillë nisur nga zgjedhjet e fundit parlamentare, por ky është interpretim tejet legalist që nuk përkon me realitetin e sotëm. Pas zgjedhjeve lokale, përçarjes së Besës dhe koketimet me qeverinë, ky krah i Besës mund të pretendojë një gjë të tillë vetëm nëse bën përsëri koalicion me Aleancën dhe koordinon veprimet me të. Vazhdimi i një koalicioni të tillë mbase është akoma i mundshëm në të ardhmen dhe ai do të arsyetonte deri diku veprimet e tanishme të Besës. Por përderisa janë subjekte të veçanta, nuk ka dyshim se prijëse e frymës opozitare shqiptare hë për hë realisht është Aleanca.

Komentet
Loading...
Top