Loading...

Kush i anashkaloi projektet me peshë kombëtare!

19.25-AKTUALE-KUSH-I-ANASHKALOI-PROJEKTET-ME-PESHË-KOMBËTARE-750x430.jpg

Edhe pse sivjet ishim shumë optimist se Ministria Kulturës do ta ndryshoje praktikën e deritanishme në përkrahjen e vlerave kombëtare shqiptare dhe se do të nisë një epokë e re, duket se u zhgënjyem sërish. Deri sa në veprimtarinë botuese u bë një hap më serioz në përkrahjen e projekteve, në sferat e tjera vazhdoi edhe më tej avazi i vjetër! Në veprimtarinë muzikore, shqiptarët edhe kësaj radhe mbetën të anashkaluar. Bile edhe ato pak mjete që u ndanë për projekte shqiptare, doli sheshazi se edhe ato shkuan në adresë të gabuar! Unë nuk them se u keqpërdorën, por them se ato u ndanë për projekte që nuk i përmbushin kriteret, duke anashkaluar projekte me peshë kombëtare! E keqja më e madhe është ajo se pati raste që një subjekti t’i ndahen nga dy apo tre projekte! Aq më keq, që sipas mediumeve që bënë hulumtime, këto subjekte,janë edhe të dyshimta!

Në këto rrethana, ne e ndjejmë veten shumë të fyer, Komisioni për vlerësim nuk e pa të arsyeshme që ta përkrah projektin për financimin e produksionit tonë muzikor! Plotë 45 vjet jemi në skenë dhe vazhdimisht e kemi kultivuar dhe jemi duke e kultivuar melosin burimor, përkatësisht këngët e Malësisë së Sharrit dhe të zonave të Pollogut! Ky produksion paraqet thesar për kombin, sepse kjo është trashëgimi. Këto këngë do të këndohen edhe nga gjeneratat që do të vijnë… Vetëm gjatë një viti kemi mbledhur dhe xhiruar 550 këngë burimore dhe krejt këtë punë e kemi bërë me vetëfinancim, pa asnjë denarë nga Ministria e Kulturës. Ndërkaq, sa jam i informuar unë, rapsodët dhe këngëtarët maqedonas përpos përkrahjes financiare të projekteve të tyre, kanë marrë edhe subvencione!

Atëherë ku jemi dhe çfarë mund të presim, kur njerëzit tonë që na përfaqësojnë në Ministri nuk u japin mbështetje vlerave të vërteta kombëtare!

Jashar Sejdiu

Themelues i Grupit folklorik “Vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu”

Komentet
Top