Lamtumira e Canës, nga falënderimi i De Biasit te batuta për kilet e shtuara nga Agolli

lorikuok.png

Lorik Cana është një personazh unik brenda dhe jashtë fushave. Ata që kanë pasur fatin për të luajtur me të janë me fat, teksa sot kanë shprehur fjalët më të mira për të në specialen e dedikuar atij gjatë programit “Exclusive” në Top Channel. Më poshtë mund të shihni mesazhet e De Biasit, Skelës, Agollit dhe Seretarit të Përgjithshëm të Lazios, Armando Cavalieri.

Gianni De Biasi- Ish-trajner i kombëtares

“Ashtu siç të thashë pak ditë më parë në mesazh, jam shumë i kënaqur që kam kaluar një pjesë të kohës në Shqipëri me ty. Një njeri serioz, një futbollist i madh që më dha një ndihmesë të madhe në synimin për të arritur objektivat që arriti kjo përfaqësuese. I arritëm të gjithë bashkë.

Ndërsa sot ti ke arritur një fazë të rëndësishme të jetës tënde, lë futbollin, por unë e di që t’i do të mbetesh një protagonist edhe në jetën e përditshme. Nëse do të kesh nevojë për mua, unë jam në dispozicion për çdo gjë. Tani ke arritur në një etapë të rëndësishme në jetë, le futbollin, mua do të më kesh në dispozicon për gjithçka”.

Ervin Skela- Ish-mesfushori i kombëtares

“Për ato vite që kemi luajtur bashkë, nuk ishin pak, kam parë një Lorik i cili që në ditën e parë ishte një profesionist i vërtetë, një punëtor e mbi të gjitha fitues. Të uroj çdo të mirë në jetën tënde, shëndet dhe jam i bindur se do të kesh sukses edhe me projektet e tua të reja”.

Ansi Agolli- Kapiteni i kombëtares

“Të uroj suksese në angazhimet e mëtejshme. Tani që nuk kemi më grumbullime, uroj të kalosh sa më shumë kohë me familjen dhe djalin. Kujdes me kilet se kohët e fundit ke shtuar disa”.

Armando Cavalieri- Sekretari i Përgjithshëm i Lazios

“Mësova nga Igli që more vendim që të kalosh nga fusha e blerë në një skrivani. Jam i sigurt që do të arrish të njëjtat suksese që more kur ishe në fushë . Lider jashtë dhe lider do të jesh edhe pas skrivanisë. Të uroj fat. /vipsport.al/

Komentet
Top