Loading...

Lazim Destani uron ekipin për sezonin historik

LAZIM-DESTANI-Shkendija-2018.png

Me rastin e mbylljes të sezonit garues 2017/2018 në të cilin KF Shkëndija dominoi si asnjëherë më parë duke fituar trofetë në kampionat dhe Kupë, z. Lazim Destani uron ekipin dhe tifozët për kampanjën historike.

“Të nderuar tifozë të KF Shkëndija, futbollistë, stafi teknik dhe kryesi e klubit,
Kam kënaqësinë, tash me përfundimin e këtij stinori, t’ju drejtohem me një arsye të fuqishme, – Titulli i dyfishtë si dhe dominimi admirues i Shkëndijës në futbollin vendës.
Shkëndija sapo e ka mbyllur me sukses të shkëlqyeshëm stinorin e sivjetëm. Këto arritje të Shkëndijës tashmë e kanë shkruar faqen më të lavdishme të historikut të klubit. Mbyllja e kampionatit 2017/18 solli festë të dyfishtë për Kuqezinjtë tanë së bashku me tifozët, për ‘Ballistët’ dhe për të gjithë adhuruesit e Shkëndijës kudo që ata ndodhen. Është hera e parë që KF Shkëndija i solli në Tetovë të dy trofetë së bashku, duke fituar si Kampionatin e vendit ashtu dhe garën e Kupës. Me këtë rast po e potencoj se krahas fitoreve të njëpasnjëshme, skuadra jonë ka bërë lojë të bukur duke u sjellë emocione dhe kënaqësi aq shumë tifozëve që me ëndje i presin dhe i ndjekin ndeshjet e Shkëndijës. Gjithashtu është krenari dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që për sukseset dhe rekordet e Shkëndijës këto ditë po na arrijnë gjithë ato letra urimi nga vendi, rajoni si dhe nga shumë institucione dhe klube futbolli nga vende të ndryshme europiane. Me këtë rast, në emrin tim e të klubit, përzemërsisht i falënderojmë të gjithë dashamirësit tanë.

Krahas sukseseve të ekipit të parë të Shkëndijës, janë për t’u vënë re arritjet dhe sukseset e grup-moshave të klubit kuqezi duke dalë fitues të Kampionatit dhe të Kupës së vendit në kategoritë përkatëse. Këta i meritojnë lëvdatat më të larta për arritjet që flasin qartë dhe janë treguesit më të mirë se e ardhmja e Shkëndijës është me perspektivë dhe e sigurt. Me këto grup-mosha duhet të vazhdojë puna konsekuente e me përkushtim duke i aplikuar metodat më të përshtatshme për avansimin dhe çuarjen e tyre drejt sukseve gjithnjë e më të larta.
Pas dy sezoneve shumë të suksesshme radhazi në Europë, uroj që edhe sivjet të dalim përballë skuadrave europiane akoma më të fortë, më të guximshëm dhe me vetëbesim të plotë. Në dy edicionet e fundit në Europë, ju futbollistët e Shkëndijës, vërtet nuk arritët ta kaloni pragun e të hyni në fazën e grupeve, por ju me nivelin e lartë të lojës suaj dhatë prova bindëse se jeni të denjë për ta bërë këtë.

Andaj, duke i lënë prapa sukseset e arritura në kompeticionet e vendit, ju uroj – paçi pushime të këndshme këto ditë dhe pas pushimit, ju shkofshin mbarë e mirë përgatitjet në Slloveni. Uroj gjithashtu gjatë ndeshjeve në Europë t’i tregoni shkathtësitë tuaja maksimale, t’i realizoni ambicjet dhe ëndrrat tuaja duke ecur me Shkëndijën drejt sukseseve të reja.
Urime për arritjet!
Paçim fitore, suksese të reja dhe festa e gëzime së bashku!“

Komentet
Top