Loading...

Le të flasim për shkrim-leximin! Intervistë me Satki Ismailin

Satki_1-e1455905007219.jpg

Projekti i USAID-it “Leximi ju bën udhëheqës” fillon me serinë e intervistave me titull “Le të flasim për shkrim-leximin” të cilat do të mbulojnë pyetje mbi njohuritë bazike gjuhësore dhe matematikore dhe mundësitë dhe sfidat në arsim në shtetin tonë. Shkim-leximi dhe arsimi na prekin të gjithëve. Kjo është një temë komplekse dhe e gjerë të cilën duhet ta shqyrtojmë nga aspekte të ndryshme që të arrijmë zgjidhjet më të mira. Prandaj, në muajt që vijojnë, do të botojmë intervista me persona me profile të ndryshme duke përfshirë profesionistët që janë përfshirë në mësimdhënien me fëmijë, prindër, përfaqësues të institucioneve arsimore, bibliotekave dhe shtëpive botuese dhe personalitete të tjera nga jeta publike. Të gjithë ata kanë të njëjtat pika të interesit – arsim më cilësor për fëmijët dhe më tepër mundësi për zhvillimin e tyre të përgjithshëm.

Intervista e parë nga kjo seri intervistash është me Satki Ismailin, arsimtar me shumë vjet eksperiencë në lëndën e matematikës, kurse tani drejtor i ShFK “Kiril dhe Metodij” – Tetovë. Ai ka marrë pjesë aktivisht si trajnues dhe mentor në projektet e shumta nga fusha e përparimit të mësimdhënies dhe krijimit të një arsimi më cilësor, kurse si trajnues dhe mentor është pjesë e Projektit të USAID-it “Leximi ju bën udhëheqës”. Ai spikat për përkushtimin e vet dhe qasjen pozitive dhe kreative në punë. Me të biseduam mbi mundësitë dhe sfidat në fushën e shkrim-leximit të hershëm, nga pozita e drejtorit të shkollës dhe arsimtarit të lëndës së matematikës.

Cili është roli i drejtorit në dhënien e ndihmës për mësuesit dhe për shërbimin profesional?

– Drejtori duhet të jetë në vijim dhe t’i ndjekë nevojat dhe kërkesat reale të arsimtarëve. Që të përmirësohet cilësia e mësimdhënies, drejtori duhet të përgatitë program për zhvillim profesional të arsimtarëve ku do të përfshihen edhe arsimtarët që të realizohen kërkesat e tyre. Të gjitha këto aktivitete mund të realizohen nëse drejtori është në vijim me ngjarjet bashkëkohore në fushën e arsimit dhe është në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha organet shkollore.

Si arsimtar i lëndës së matematikës, me cilat sfida ballafaqoheni më shpesh? Cilat ishin fushat e matematikës në të cilat nxënësit kishin vështirësitë më të mëdha gjatë kalimit nga mësimdhënia klasore në atë lëndore?
– Sfida më e madhe për mua ishte të arrij të zhvilloj shkathtësitë matematikore te nxënësit nëpërmjet zbatimit të metodave dhe formave të ndryshme bashkëkohore në punë duke përfshirë edhe prindërit në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe komunikim të vazhdueshëm. Motivimi ka qenë gjithmonë një faktor i rëndësishëm për mua në mësimin e matematikës, i cili mund të arrihet nëpërmjet zbatimit dhe përdorimit të resurseve të ndryshme të cilat janë me rëndësi thelbësore, qofshin ato elektronike apo resurset të cilat janë të pranishme kudo rreth nesh. Fushat matematikore ku nxënësit kanë vështirësitë më të mëdha gjatë kalimit nga mësimdhënia klasore në mësimdhënien lëndore janë zbatimet e operacioneve me numra natyrorë. Është evidente se nxënësit kanë vështirësi me mendimin matematikor në zgjidhjen e sfidave të ndryshme nga jeta e përditshme duke zbatuar edhe operacione dhe strategji matematikore.

Ekziston një mendim i përgjithshëm se matematika është e vështirë, që ndonjëherë është edhe shkak për rezistencë të nxënësve ndaj saj. A doni të na tregoni ndonjë teknikë interesante të cilën e keni përdorur që të dëshmoni të kundërtën?
– Si arsimtar i matematikës shumë shpesh kam përdorur lojëra të ndryshme matematikore që t’i arrij qëllimet arsimore, kurse në të njëjtën kohë ta bëj mësimdhënien edhe më kreative. Nxënësit dëshirojnë ta mësojnë matematikën më ndryshe se metodat klasike të vjetërsuara. Ndryshimet janë të pashmangshme. Ata dëshirojnë që nëpërmjet integrimit të TIK-ut, lojërave matematikore, mësimit interaktiv, projekteve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, të fitojnë njohuri dhe shkathtësi matematikore. Prandaj jam shumë krenar që fjalia “Matematika është e vështirë!” nuk ka qenë asnjëherë e pranishme tek nxënësit e mi. Kurse kjo është mbështetur gjithmonë me faktet në anketat e zbatuara nga nxënësit ku si lënda më e preferuar në përqindje më të madhe është matematika.

“Nuk ekziston teknikë ose “trik magjik” që të dëshmohet se matematika nuk është e vështirë. Nëse arsimtari e do matematikën, do të zbatojë metoda të ndryshme për nxitjen e motivimin e nxënësve. Jam i bindur se kjo mund të arrihet nëse metodat mësimore të cilat i zbatojmë do ta përmirësojnë angazhimin e nxënësve, kënaqësinë dhe interesin për matematikën.“ – Satki Ismaili

Si mund të komunikojë arsimtari dhe si mund t’i ndihmojë prindërit që edhe ata ta mbështesin fëmijën në mësimin e matematikës?                                                                                                          

-Komunikimi i arsimtarit me prindërit duhet të jetë në vazhdimësi. Tani kur teknologjia na mundëson ky komunikim të jetë më i shpejtë dhe më i shpeshtë, nuk duhet të tërhiqemi as nga njëra formë as nga forma tjetër e komunikimit. Prindërit duhet të njihen me qëllimet e programit arsimor që duhet t’i përvetësojë fëmija i tyre gjatë vitit shkollor. Arsimtari duhet të japë rekomandime dhe instruksione për mënyrën e dhënies së mbështetjes për nxënësit, sigurimin e resurseve, fitimin e vetëbesimit te nxënësit se matematika nuk është e vështirë, përfshirjen e prindërve në mbështetjen e aktiviteteve matematikore shkollore dhe jashtë shkollore. Nxënësi është gjithmonë më i sigurt kur ka mbështetje edhe tek arsimtari edhe te prindi.

Satki_3

Cili është qëndrimi juaj mbi përdorimin e kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera digjitale me nxënësit më të vegjël?
– Si arsimtar e kam përdorur teknologjinë informatike-komunikative në mësimdhënien e matematikës. E kam përfaqësuar Republikën e Maqedonisë dhe në Garën evropiane për arsimtarë inovativë. Konsideroj se TIK duhet të përdoret në mësimdhënie që në klasat e fillores. Edhe pse në zhvillimin tim profesional dhe të karrierës arrita të bëhem magjistër i shkencave kompjuterike, megjithatë, nuk jam për një përdorim të tepruar të TIK-ut në mësimdhënie, kurse në asnjë mënyrë kjo të mos paraqitet me përqindje të caktuara të kohës në mësimdhënie. Njëherë e një kohë në botë bëhej luftë që fëmijët të përdorin kompjuterët, sot kërkohet mënyra që të zvogëlohet koha që fëmijët të jenë sa më pak para kompjuterit. Mësimi kreativ duhet të përmbajë forma, metoda dhe teknika të shumëllojshme të punës, duke i përfshirë edhe kompjuterët edhe pajisjet e tjera digjitale.

Jeni përfshirë edhe si mentor në bashkësitë për mësim, edhe një iniciativë e Projektit të USAID-it “Leximi ju bën udhëheqës”! Shkurtimisht, cilat janë përshtypjet Tuaja për këtë aktivitet? Çfarë mund të përmirësohet?
– Projekti tashmë po i jep rezultatet e fillimit të aktiviteteve të shumta. Ngainformacionet kthyese të cilat i marrim ne si mentorë dhe trajnues nëpër shkolla, ato janë shumë të kënaqshme dhe numri i arsimtarëve rritet çdo ditë. Fitim i madh është që në këto aktivitete për herë të parë janë përfshirë edhe prindërit dhe janë realizuar shumë punëtori të dobishme. Sipas meje, që këto aktivitete të jenë të qëndrueshme dhe të vazhdojnë edhe pas përfundimit të projektit, duhet të futen në programin e aktiveve në klasat e fillores. Aktivitete të ngjashme duhet të realizohen edhe në mësimdhënien lëndore sepse ka probleme të trashëguara që nga klasat e fillores edhe në gjuhë edhe në matematikë.

Satki_2

 

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media