Legjenda e Juventusit sheh Strakoshën si pasardhës të Bufon

ThomasStrakoshaEmpoliFCvSSLazioSerieonRVgLe8Xbzl.jpg

Pietro Anastasi, legjenda e Juventusit dhe Kombëtares italiane, mendon se Thomas Strakosha mund të jetë pasardhësi ideal i Xhanluixhi Bufon në portën e bardhezinjve. Ish-sulmuesi i njohur italian, në një intervistë të dhënë për “Radio Incontro Olympia”, ka shpjeguar se sheh portierin shqiptar si një ndër më të talentuarit në qarkullim dhe se torinezët duhej ta monitoronin me kujdes zhvillimin e tij te Lacio.

 “Bufon nuk ka reflekset e një të riu. Por mbetet gjithsesi një nga futbollistët më të mirë në qarkullim. Në sezonin e ardhshëm do të ketë një pasardhës të tij te Juventusi.Strakosha ka arritur të nxjerrë në pah mjaft mirë vlerat, duke zhvilluar ndeshje të mëdha. Nëse do të isha Juventusi, unë do ta vendosja nën vëzhgim atë. Ata të aftët duhet t’i blejnë”, tha duke qeshur ish-kapiteni i Juventusit, i cili shkëlqeu në vitet ’60-’70 me fanellën bardhezi.

Sipas tij, edhe vetë Strakosha nuk do të ishte kundër një transferimi të tillë. “Lacio është një skuadër e madhe por unë flas gjithmonë vetëm sa i përket aspektit profesional. Nga pikëpamja e aktiviteteve ndërkombëtare, Juventusi është më tërheqës për të gjithë, pa llogaritur këtu faktorin e lidhjes së ngushtë që krijohet në disa raste me fanellën e një klubi”, tha Anastasi. /vipsport.al/

Komentet
Top