Legjionarët në “top” formë këtë fundjavë

Kombetarjaaaa.jpg

Legjionarët kuqezi po kalojnë momente të ndryshme, pasi jo të gjithë po shkëlqejnë në fushën e lojës. Në Serinë A vijon momenti i artë për Napolin dhe Elseid Hysajn, ndërkohë që mund të thuhet e njëjta gjër për Thomas Strakoshën por jo për Lacion e tij. Në duelin direkt midis këtyre dy skuadrave nuk mungoi derbi kuqezi, me Strakoshën që me të vërtetë pësoi 4 gola por u shpall një nga më të mirët për kryeqytetasit. Fjalët e zakonshme për Elseid Hysajn që ashtu si shoku i tij i kombëtares është një nga më të mirët e Napolit. I saktë në mbrojtje por kësaj radhe i saktë edhe në ndërtimin e manovrës sulmuese në krahun e djathtë. Mbrëmje për t’u harruar për Beneventon por jo për mbrojtësin Berat Xhimshiti. 25-vjeçari ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme pavarësisht 5 golave që skuadra e tij ka pësuar. I pafat në prekjen e topit me dorë në kohën shtesë duke shkaktuar penalltinë e golit të fundit. Në stol qëndroi në këtë ndeshje mesfushori Ledian Memushaj. Derbi kuqezi edhe në sfidën Crotone-Atalanta të mbyllur në barazim 1-1. Arlind Ajeti hyn në fushë në mesin e pjesës së dytë por me paraqitjen e tij arrin të marë notën më të lartë për skuadrën, për më tepër që aktivizohet në një pozicion jo natyral, përpara mbrojtës, një pozicion i tipit Pirlo. Nëse nuk do të ishte ai gabim në golin e Crotones kjo mund të konsiderohej një ndeshje e jashtëzakonshme për Etrit Berishën që në pjesën e parë fluturon për të hequr një top pikërisht në trekëndëshin e portës. Në Serinë B ka shkuar gjithçka mirë për Veselin, Bashën dhe Alijin, pasi përveç paraqitjeve individuale të tyre kanë arritur të triumfojnë respektivisht me skuadrat e tyre, Empolin, Barin dhe Virtus Entellën. Në Bundesligë Mavraj dhe Abrashi nuk kanë mundur të evitojnë humbjet për skuadrat e tyre Hamburg dhe Freiburg, pavarësisht se të dy kuqezinjtë kanë luajtur për 90 minuta të plota. Situata e skuadrës së qendërmbrojtësit është kritike duke rrezikuar seriozisht qëndrimin mes më të mirëve, ndërkohë që Freiburgu i Abrashit për momentin është në një zonë të qetë. Armando Sadiku ka shfaqur probleme duke shtyrë debutimin me Levanten që u mposht në derbin ndaj Valencias. Ivan Balliu rikthehet titullar tek Metzi në ligën e parë franceze por pa mundur të evitojë një tjetër humbje për skuadrën e tij që sheh gjithnjë e më pranë fantazmat e ligës së dytë. Sokol Cikalleshi rezulton deçiziv për Osmanlispor në një transfertë të vështirë ndaj Goztepes. Sulmuesi kavajas ka shënuar dy herë për t’i dhënë barazimin 3-3 skuadrës së tij që këtë vit synon mbijetesën. Një moment të mirë po kalon Eros Grezda që me Osijek shënon në portën e Dinamos së Zagrebit por pa mundur të evitojë humbjen për skuadrën e tij.

Komentet
Loading...
Top