Lideri me parti dhe partia pa lider

0165.jpg

Nga Xhevdet Pozhari

Kush do t’i përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë në politikë, kjo mbetet një prej pyetjeve thelbësore në zgjidhjen e ngërçit politik që u bë edhe më i dukshëm pas incidentit të fundit në Kumanovë, ngjarje që rrëmbeu edhe vëmendjen e mediave botërore duke shpalosur të vërtetën se Maqedonia si shtet ka një të ardhme të turbullt, për të mos thënë se ka mbetur pa të ardhme.

Në këto ditë të nxehta vere, kur numri i qytetarëve në rrugët e Shkupit është më i vogël sesa numri i përmendoreve në sheshin kryesor të këtij kryeqyteti, heshtja u prish befas nga protestues të organizuar që valëvisnin përgjatë rrugëve kryesore të Shkupit flamujt kuqezi. Ata protestonin kundër diskriminimit që iu bëhej nga shteti i Maqedonisë, përbuzjes dhe mospërfaqësimit dinjitoz politik. E derisa shumëkush shtron pikëpyetjet se si mund t’i përfaqësojnë shqiptarët e Maqedonisë dy parti të harxhuara dhe të deskredituara si BDI–ja e Ali Ahmetit dhe PDSH e Menduh Thaçit, skena politike në taborin e shqiptarëve ka filluar të lëvizë, akumulimi i pakënaqësive ka filluar të kanalizohet drejt zgjidhjeve të reja politike, alternativave që tashmë kanë filluar të zënë fill, lëvizjes “Besa” dhe fraksionit të PDSH–së, të udhëhequr nga kryetari aktual i Strugës, Ziadin Sela.

Por, cila nga këto dy alternativa do të ketë më shumë gjasa që ta bindë elektoratin e papërcaktuar shqiptar se është zgjidhja e duhur në këto rrethana të paqarta politike në Maqedoni, ku asgjë nuk është e sigurt për të ardhmen që e pret këtë shtet, mirëpo i pakontestueshëm mbetet fakti se shqiptarët që jetojnë në këtë shtet tash e sa vite u diskriminuan ekonomikisht, politikisht dhe intelektualisht për shkak që përfaqësoheshin në qeveri nga parti shqiptare, që qëllim të vetëm e kishin pasurimin e lidershipit të tyre në kurriz të popullit.

Për të mos u ndalur më shumë në analizën se cila parti shqiptare, BDI–ja apo PDSH–ja, ishte më e dëmshme për interesat e shqiptarëve të Maqedonisë, të ndalemi te dy mundësitë e reja që duken në horizont, lëvizja “Besa” dhe partia e Ziadin Selës. Derisa e para ngjan në një lëvizje, e cila synon një platformë të qartë për shqiptarët si shtetformues që do të përfaqësoheshin, ridefinimin e shtetit të Maqedonisë dhe demokracinë konsensuale dyetnike, partia e Ziadin Selës vjen më e zbehtë për faktin se identifikohet vetëm me emrin e një lideri dhe simbolizon pakënaqësi të thella, njëkohësisht të paqarta midis liderit të kësaj partie me ish-eprorin e tij, Menduh Thaçin. Pra, derisa lëvizja “Besa” të paqartë e ka se kush do të jetë në krye të saj ndërkohë që ajo është duke i ndërtuar strukturat në terren, e dyta, pra ajo e Ziadin Selës, lë pak hapësirë për të hulumtuar ngaqë që tani ka ngjashmëri shumë të madhe me “bajraktaropartitë” ku çdo gjë mbështetet në emrin e liderit. Dhe modele të tilla, kur partia i përkushtohet liderit, e jo lideri partisë, jo rrallëherë janë dëshmuar të dëmshme për shqiptarët. Shembuj konkret për këtë janë BDI–ja e Ali Ahmetit dhe PDSH–ja e Menduh Thaçit, nga e cila u shkëput Ziadin Sela, edhe atë mbase jo gjithaq për shkaku të konceptit (sepse PDSH-ja kurrë nuk ka pasur koncept, por vetëm qëllim që me çdo kusht të jetë pjesë e qeverisë), sa për shkak të ambicieve për të qenë në krye të kësaj partie, gjë që e çoi drejt themelimit të një partie të re dhe të fillojë ekspozimin e tij si lider i ardhshëm me ndryshimin e vetëm nga pararendësi – lider me flokë të gjata.

Në anën tjetër, lidershipi, tani për tani është mangësia e vetme e lëvizjes “Besa”. Kjo e bën më të ndjeshme këtë parti ndaj sulmeve nga të gjitha anët që i mveshin kësaj partie epitete të ndryshme, që nga “proturke” e deri tek “antikombëtare”.

Mbase, këto dilema lidhur me lëvizjen “Besa” do të zgjidheshin në rast se ajo do të udhëhiqej nga ndonjë nga figurat publike që janë etabluar tashmë dhe të cilat lënë pak hapësirë për t’iu mveshur epitete të paqena. Një prej mundësive, do të ishte inkuadrimi i njërit prej shkrimtarëve më të suksesshëm shqiptarë në Maqedoni dhe publicistit më të zëshëm për të drejtat e shqiptarëve të kësaj ane, pra i njeriut emri i të cilit edhe ashtu shpesh ndërlidhet me këtë Lëvizje – Kim Mehmetit. Por, duke i njohur qëndrimet e tij të thëna publikisht lidhur me angazhimin e tij politik dhe ofertave të këtilla që ka pasur deri tani, inkuadrimi i tij në këtë Lëvizje, qoftë edhe i përkohshëm, është thuajse në kufi të së pabesueshmes. Por pa dyshim se do ishte zgjidhje ideale që do t’u jepte mundësi dhe kohë forcimit të strukturave të lëvizjes “Besa”, e cila me organizimin e protestës së fundit, gjatë të cilave Shkupi u mbulua nga flamujt kuqezi, dëshmoi se ka kapacitete organizative, por i mungon vetëm dikush që do ta identifikonte atë, dikush me përvojë dhe që eventualisht do të kishte një përkrahje më të gjerë mbarëshqiptare, pra një personalitet që do ta udhëhiqte këtë Lëvizje derisa kapacitetet e saj të mbindërtoheshin dhe të rinjtë që janë mbledhur rreth kësaj Lëvizjeje, të kenë tërë kohën e nevojshme që të përgatiten dhe të vijnë në shprehje, gjë që aq shumë i nevojitet skenës politike shqiptare në Maqedoni.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top