Loading...

Ligjëruesi i USHT-së Festim Halili Doktoroi në lëmin e Shkencave Kompjuterike

festim-halili.jpg

Fushës së Shkencave Kompjuterike, e cila njihet si lëmi deficitare në trevat tona, i shtohet edhe një doktor i Shkencave. Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, ku përgjatë studimeve të doktoratës kandidati Festim Halili nga Tetova arriti që të botoj 14 punime shkencore në revista me impakt faktor, si dhe të prezantoj rezultatet e hulumtimeve të tij në konferenca të ndryshme ndërkombëtare në Madrid të Spanjës, Korenë e Jugut, Tunis, si dhe në vendet e rajonit.

Vlen të theksohet se Festimi ishte një nga tre kandidatët nga Maqedonia që në vitin 2013 fitoi bursë specializimi nga fondacioni Britanik British Scholarship Trust, ku qëndroi për hulumtime shkencore në universitetin Londinez Royal Holoway dhe nën udhëheqjen e profesorit specialist të fushës së Teknologjisë së Orientuar në Shërbime Prof.Dr. Jose Luis Fiadeiro. Po të njëjtin vit, në një konkurencë mjaft të forte, fiton çmimin “Shkencëtar i ri i vitit” nga FRI. Në vitin 2012 ai udhëhoqi studenten e vetme nga Maqedonia dhe rajoni që fitoi bursën prestigjioze nga kompania Google Inc.

Në qershor të këtij viti, Festimi ishte promotori kyç për realizimin e konferencës ndërkombëtare të Inteligjencës Kompjuterike të mbështetur nga asociacioni botëror IEEE (Institute of Electrical and Electronic Engineering), ku rezultatet e tyre hulumtuese i prezantuan shumë profesor nga universitetet më me renome të botës, njëherë i ftuar ishte edhe drejtori i regjionit 8 të këtij instituti.
Momentalisht Festimi është edhe udhëheqës i zyrës për Menaxhim me Projekte pranë USHT-së, ku me punën e tij ka arritur të dëshmohet në shumë projekte kombëtare e ndërkombëtare.

Më datë 10.12.2014, përballë komisionit vlerësues në përbërje: Prof.Dr. Fatmir Hoxha Kryetar, Prof. Dr. Endri Xhina, Prof. Dr. Alda Kika, Prof. Dr. Rexhep Cuko dhe Prof.Dr. Llukan Puka, arriti që me sukses të mbroj disertacionin me titull: Aplikimi i Koreografisë së Ueb Shërbimeve në Sistemet Heterogjene të Informacionit nën mentorim të Prof.Dr. Ilia Ninka. Disertacioni në vete ngërthente rezultate mjaft të rëndësishme në lëmin e Teknologjisë së Orientuar në Shërbime, ku përveç matjeve empirike dhe kuantitative të proceseve të kompozimit të ueb shërbimeve, kandidati prezantoi edhe prototipin e realizuar në gjuhën programore C# të ndërlidhur me SQL Server, si dhe modelimin e tyre në SRML duke përdorur platformën eclipse. Ky aplikacion dëshmoi tejkalimin e barrierave të komunikimit mes pajisjeve të ndryshme kompjuterike, tablateve dhe telefonave të mençur.

Në fund komisioni vlerësoi lartë punën e kandidatit, duke thënë që fusha e shtjelluar është inovative dhe se ka ngjallur interes edhe tek stafi akademik i katedrës së informatikës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në
Universitetin e Tiranës. Me këtë rast, Festim Halilit iu nda titulli Doktor i Shkencave./Shqipmedia

10859923_10153035747581833_171525559_n

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media