Lufta e Parë – Përpjekja “shqiptare” e Vjenës për rend e qetësi

01.gif

100-vjetori – Pllakata dhe thirrje të hapura në shqip për shqiptarët. Tentativat e para për ligjvënien, mbledhjen e armëve, ndalimin e gjakmarrjes etj. Mes kaosit të luftës dhe thirrjeve për rekrutim në ushtrinë e “nemces”, na dëshmohet edhe këmbëngulja austro-hungareze për të përkrahur mëvetësinë e shqiptarëve dhe vendosjen e rendit ligjor sipas modelit më të përparuar të kohës…

Vitet 1914-1918 njihen si periudhë shumë e komplikuar e madje edhe disi e errët në historinë e Shqipërisë, por njëkohësisht përbën edhe një ndër periudhat kur kontakti me botën perëndimore bëhet për herë të parë konkret e i prekshëm, kjo falë prezencës së ushtrive austro-hungareze të kohës, të cilat, në vorbullën e Luftës së Parë Botërore, arritën të mbanin të pushtuar një pjesë të konsiderueshme të territoreve shqiptare, duke përfshirë thuajse gjithë zonën e Shqipërisë së Mesme e asaj Veriore, si dhe territoret e banuara me shqiptarë në Mal të Zi e Kosovë. Kjo periudhë pushtimi, në krahasim me shumë pushtime të tjera që vendi kishte njohur më parë, afatgjata e afatshkurtra, ishte vërtet e veçantë, pasi kjo perandori, me veprat e aksionet që po ndërmerrte, kishte nisur të fitonte zemrat e shqiptarëve e të ndërtonte kësisoj një urë simpatie që i lidh të dy popujt edhe sot e kësaj dite. Kjo falë jo vetëm mbështetjes që i kishte dhënë pavarësisë së Shqipërisë me deklaratat e veprimet konkrete diplomatike, por edhe mundësimit, edhe pse në kohë lufte, të vënies në jetë apo ruajtjes të paktën të disa standardeve moderne në ndërtimin e shtetit të ri shqiptar.

Pushtimi, jo qëllim në vetvete

Sidoqoftë, ajo çka po ndodhte ishte një pushtim, i cili diktohej sidomos nga nevojat strategjike të Perandorisë së famshme dualiste, e cila në një kontekst tjetër, po përmbushte pjesën e saj të detyrimeve që kishte në lidhje me aleatin e saj të madh tashmë, Gjermaninë, që dukej tejet e angazhuar në frontin lindor e atë perëndimor. Shqipëria përbënte skajin më ekstrem të shtrirjes së prezencës austro-hungareze në frontin jugor, duke e bërë atë në njëfarë mënyre zgjatim të aksit dalmat, të cilin Vjena e kishte pasur një domen të saj bashkë me bregdetin Adriatik.

Politikë “elegante” depërtimi

Duke u përpjekur të ndiqte një politikë depërtimi me sa më pak humbje e angazhim ushtarak, ajo iu ofrua shqiptarëve me ndërtim shkollash e rrugësh, madje i kishte paraprirë qysh më herët objektivave të saj me plane të kushtueshme për ndërtimin e hekurudhave e ngritjen e infrastrukturës, por ajo që duket më e rëndësishme është përpjekja për ta mbështetur e për të përkrahur në maksimum mëvetësinë shqiptare, duke ringjallur institucionet e qeverisjes lokale e krahinore, atje ku ato kishin pushuar së ekzistuari, apo duke i ngritur ato në zonat e qytetet ku nuk kishte pasur. Përmes tymit të Luftës së Parë, monarkia dualiste europianoqendrore ia kishte dalë që të vinte në vështirësi madhore rivalin e saj kryesor, Serbinë, dhe aleatin e saj, Malin e Zi, duke i përzënë në dimrin e ashpër të vitit 1915, e duke detyruar të ndërmerrnin një udhëtim rraskapitës me përmasa biblike, në malet e Shqipërisë për t’u riimbarkuar nga portet e toka greke, me ndihmën e aleatëve, për të nisur një kundërmësymje me pasoja historike për fatet e luftës. Në krahun tjetër, konkurrenca me italianët, që tashmë ia kishte lënë vendin armiqësisë dhe Greqia e Franca më në jug, do t’ia vështirësonin shumë jetën Perandorisë mitike, e cila, në fakt, tashmë po përjetonte vetëm vitet e fundit të ekzistencës së vet. Fatit të parashkruar nuk do t’i ndihnin dot as trupat bullgare, që pjesërisht mbanin të pushtuara zona të tëra nga Shqipëria Lindore e ajo e Mesme, si aleatë primarë të Kaizerit austriak.

Politika e “kulaçit e kërbaçit”

Ndërkohë, rendi dhe qetësia në zonat e pushtuara, duheshin mbajtur nën një regjim të rreptë lufte, ku kufizimet e urdhëresat ishin në rend të ditës. Është pikërisht kjo kohë kur regjistrohen një mori urdhrash, vendimesh e njoftimesh dygjuhëshe të firmosura nga kryekomandantë austriakë, të cilat na dëshmohen sot përmes një fondi të veçantë, ruajtur në arkivat shtetërore austriake në Vjenë, si pjesë e koleksionit të Luftës së Parë, kryesisht në format 34 x 49 cm (shih: ÖNB Bildarchiv und Grafiksammlung (POR), KS 16214269; 1914-1918/IV). Zakonisht, përveç thirrjeve masive për qetësi, bindje e zbatim të rregullave të luftës, aty listohen për shembull edhe kafshët apo mallrat që nuk duhej të kalonin kurrsesi kufirin, aplikimi i censurës së letërkëmbimit, e nga ana tjetër, ofrohen njëkohësisht kurse e trajnime dhe sigurisht se ofrohet mundësia për të shërbyer nën armë, nën komandën ushtarake austro-hungareze, si “vullnetarë”, duke iu premtuar këtyre të fundit ushqim, trajtim e rrogë, njësoj sikur të ishin ushtarë të mirëfilltë të Kaizerit. Me këtë rast, u kujtohet shqiptarëve së pari se cilët ishin armiqtë e tyre të vërtetë dhe se pushtimi austriak në fakt nuk ishte pushtim, duke i prekur atyre ndjenjat e holla nacionaliste e duke kujtuar sakrificat, në një kohë kur në vend mbizotëronte kaosi e shqiptarët mund t’i gjeje lehtësisht të rreshtuar në disa armata. I përkedhelet sedra mashkullore e u kujtohet atdheu, të cilit tashmë duhet t’i dilnin për zot, duke luftuar krah për krah me ushtarët e Perandorisë. Por, diku tjetër (shih: Administrimi ushtarak i distrikteve shqiptare – Shkodër, pllakat shumëgjuhësh: 1916-04-01) shkruhet në mënyrë eksplicite: Miku mâa i miri i juej, Monarkia Austro-Ungare ju kaa fort per zêmer e e shikjon t’drejtën: por ajo âsht edhe e fortë, e me e lypë pûna, din me kênë edhè e shtërngueshme.

Shqiptarë! – Fund gjakmarrjes. Dorëzoni armët!

0aPor çfarë tjetër përmbajnë këto urdhra, vendime e njoftime, të cilat duket se kryesisht janë shtypur të gjitha në Shkodër e Cetinje, e mbajnë pothuajse të gjitha firmën e ish-komandantit të Trupave të pushtimit në Shqipëri, gjeneral Ignaz von Trollmann (1860-1919), apo guvernatorit ushtarak në Mal të Zi, gjeneralit Von Weber. Në njërën syresh, që mban datën 1 maj 1916 (shih: Vendime per t’dhanun t’armve – Shkodër – Pllakat shumëgjuhësh, 1916-05-01), shohim një thirrje për të dorëzuar armët, e cila përveç sanksioneve për ata që nuk do donin t’i nënshtroheshin (me ndollë qi t’dhânunt e armve gjênë ndonji kundershtim, Komanda ka me diejt me kërkue e me ndëshkue gjith ata qi shkajktojn ket kundershtim. Kush, mas katër javësh, xehet se baan armë, paa dorë t’Komandës, bâhet fajtuer e e xên ligja ushtarake), kishte edhe klauzola e lëshime “mirëkuptuese”, duke mos përfshirë në këtë urdhërese armët e vjetra, ato të bajraktarëve, ato të cilësuara “të nderit” etj., për të cilat lipsej, sipas saj, një dëshmi e veçantë dhe një taksë prej tri koronash austriake. Kjo ndoshta përbën edhe përpjekjen e parë të një aksioni të organizuar e me shtrirje të gjerë për mbledhjen e armëve ndër shqiptarët, çka do të aplikohej më pas nga shumë qeveri e pushtues në kohërat që do të vinin, me sukses relativ. Si vendkomanda xhandarmërie, apo stacione ku mund të bëhej dorëzimi i tyre, nga i njëjti dokument mësojmë se ishin: Shkodra, Prekali, Abati, Bunjaj, Puka, Oroshi, Kulla e Lumës, Lezha, Kruja, Burgajeti, Peshkopia, Durrësi, Tirana, Shën Gjergji, Elbasani. Kjo na bën të kuptojmë më së miri edhe shtrirjen gjeografike e administrative të autoritetit ushtarak austro-hungarez deri në atë kohë. Po kështu, diku tjetër, bëhet thirrje për t’i dhënë fund gjakmarrjes, ku ajo cilësohet si një ves barbar e që nuk e nderon shqiptarin, duke vijuar me arsyetime të ngjashme.

Shqipëria dhe Lufta e Parë

Zyrtarisht, Shqipëria (nga ajo çka kishte mbetur prej saj e që qeverisej përkohësisht nga Esat Toptani e ndjekësit e tij, mbështetur nga fuqitë e Antantës e posaçërisht, Serbia), i kishte shpallur luftë Austro-Hungarisë e aleatëve të saj, qysh më 30 dhjetor 1915, por zhvillimet do të vijonin të ishin pozitive edhe për dy vjet e ca më shumë për fuqitë e aksit, ndërsa për shqiptarët bilancet do të ishin katastrofale, dhe telashet me fqinjët grabitqarë e problemet e brendshme politike, do të vijonin të ishin preokupimi i tyre kryesor, deri me fillimin e dekadës së re, vitet ’20 të shekullit të shkuar. Gjendja e krijuar dhe fakti se Austro-Hungaria po e humbiste luftën, që u kushtoi shqiptarëve në mënyrë fare të padrejtë (pasi Shqipëria zyrtarisht kur nisi Lufta, gëzonte një status neutral dhe nuk u rendit në asnjërën ndër palët ndërluftuese), mbi 70 mijë të vrarë e shumë dëme materiale, bëri pastaj që të sfumohej edhe shpresa e ushqyer me kohë, e një përkrahje afatgjatë nga Vjena, çka ndezi sinjalet e alarmit te patriotët shqiptarë që tashmë nisën të konsideronin armiq të gjitha ushtritë pushtuese që operonin për kohën në Shqipëri, duke ringjallur idenë e pavarësisë së plotë e të konsoliduar të shtetit shqiptar, të gjithëpranuar e modern./Nga Armand Plaka- Gazeta Shqip

Komentet

Leave a Reply

Top