Maqedoni: Diaspora sjellin pesë herë më shumë para sesa investitorët

0-67.jpg

Në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, mjetet që hyjnë në emër të remitancave janë shumë më të mëdha se mjetet që hyjnë në emër të investimeve të huaja. Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2015, remitancat në Maqedoni të dërguara në mënyrë zyrtare paraqesin 2.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo afër 300 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër janë realizuar investime të huaja në vlerë prej 215 milionë euro. Nëse këtu i llogarisim edhe disa qindra milionë euro të remitancave që hyjnë përmes kanaleve joformale, atëherë llogaritet se prej 500 milionë euro deri në një miliardë euro, është shuma e të hollave që mërgimtarët dërgojnë në vendlindje që si shumë është pesë herë më e madhe se niveli i investimeve të huaja.

Në Maqedoni një pjese e madhe e vendbanimeve në të vërtetë jetojnë nga të hollat që pranojnë nga familjarët e tyre jashtë shtetit. Një pjesë e konsiderueshme e familjeve në vend vështirë se mund ta mbijetojnë muajin pa ndihmën financiare të mërgimtarëve. Remitancat apo dërgesat e mërgimtarëve jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shtetet e rajonit, në të vërtetë mundësojnë që si shoqëri të harxhojmë më shumë se sa prodhojmë, duke ruajtur paqen sociale dhe zbutur me të madhe edhe shkallën reale të varfërisë. Njëherazi, analizat e ndryshme tregojnë se remitancat kryesisht përdoren për konsumin mujor si pagesa e ushqimit dhe komunalive dhe në përqindje shumë të vogël shfrytëzohen për investime të ndryshme.


300 MILIONË EURO

Njohësit e rrethanave financiare në Maqedoni, thonë se po të grumbullohet shuma prej 300 milionë euro së bashku me mjetet që këmbehen në këmbimore, atëherë kjo shumë është shumë më e lartë. Në vitin 2015 ka qenë 1.5 miliardë euro. Megjithatë, nëse merret parasysh se në të hollat që këmbehen në këmbimore hyjnë edhe mjetet që nxirren nga jastëku, mjetet e kompanive private, donacionet e ndryshme nga jashtë e kështu me radhë, atëherë si një shumë që është mesatare dhe e përafërt me realitetin, mund të merret ajo që shuma që mërgimtarët dërgojnë në shtet, është së paku dhjetë për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto apo afër 900 milionë euro. Ekonomistët vlerësojnë se është koha e fundit që Maqedonia t’i kushtojë vëmendje më të madhe mërgimtarëve që dërgojnë shumë të mëdha të hollash për çdo vit në vendlindjen e tyre, pa kërkuar asnjë shërbim për këtë ndihmë të madhe që i japin ekonomisë së shtetit që paraqet injeksion financiar për stabilitetin ekonomik, politik dhe makroekonomik të vendit.

Sipas analistit ekonomik, Arben Halili, në Maqedoni ekziston nevoja e patjetërsueshme e përgatitje të një sistemi adekuat që do të identifikojë shumë që në emër të remitancave hyn për çdo vit në shtet si dhe ridedikimit të një pjese të tyre në investime për biznese të vogla familjare, në vend për konsum apo mbulimin e nevojave mujore të familjare.

“Është koha e fundit që Maqedonia t’i kushtojë një vëmendje më të madhe mërgimtarëve në tërësi, por edhe ndihmesës së madhe që ata i japin shtetit dhe familjarëve të tyre në vendlindje. Nevojitet të ofrohen masa dhe garanci konkrete që kapitali i tyre jo vetëm financiar, por edhe ai njerëzor të ndjehet i respektuar, i mirëseardhur dhe i sigurt në vendlindje me qëllim që së paku një pjesë e mërgimtarëve të mendojnë seriozisht të investojnë këtu”, thotë për KOHA, Halili.

Sipas tij, shteti nevojitet të përgatisë një strategji serioze që të joshë mërgimtarët edhe të brezit të dytë dhe të tretë të mërgimtarëve që të kenë leverdi të investojnë në vendlindje duke shfrytëzuar edhe lidhjen emocionale të tyre me vendlindjen. Në këtë mënyrë do të mundësohet hapja e vendeve të reja të punës, mos-ikja e një pjesë të konsiderueshme të rinisë që e ka mendjen të ikë në mërgim, por edhe kthimi i një pjese të caktuar të mërgimtarëve në Maqedoni. Halili më tej shton se si shtet nuk duhet të harrojmë se në të ardhmen mund të presim ulje të mëtejshme të totalit të remitancave si rrjedhojë e bashkimit të familjeve në perëndim.

Në ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2015, në Kosovë remitancat paraqesin 11 për qind të PBB-së. Me fjalë të tjera në Kosovë hyjnë 971 milionë euro remitanca, ndërsa janë realizuar tre herë më pak apo 343 milionë euro investime. Në Bosnjë e Hercegovinë niveli i investimeve të huaja është 293 milionë euro që është gjashtë herë më pak në raport me 1.8 miliardë euro të remitancave.

Gjithnjë sipas të dhënave për vitin 2015, investitorët e huaj në Serbi kanë investuar afër 2.4 miliardë euro, ndërsa nga ana tjerë mërgimtarët kanë dërguar 3.4 miliardë euro, në shtetin më të madh të rajonit që ka edhe numrin më të madh të mërgimtarëve si nga periudha komuniste ashtu që daton nga periudha e më e re. Dallimet të mëdha midis nivelit të investimeve të huaja dhe parave që dërgojnë kurbetçinjtë ka edhe në shtetin anëtar të BE-së dhe NATO-s, Kroacinë, e cila ballafaqohet me probleme dhe sfida të ndryshme ekonomike dhe ikje të madhe të popullatës jashtë shtetit edhe në vitet e fundit.

Kroacia jo vetëm që ka një numër shumë të madh të mërgimtarëve që nga vitet 60 dhe 70, që tani gëzojnë pensionin kryesisht gjerman , por ka edhe mërgimin në rritje në shtetet e ndryshme evropiane. Andaj edhe nuk çudit fakti se në Kroaci për çdo vijnë në emër të remitancave vijnë afër 2.1 miliardë euro përkundër investimeve të vogla të huaja me vlerë prej afër 160 milionë euro.


MAQEDONIA RREZIKON TË HUMBË BILE 800 MILIONË EURO NË VIT

Në ndërkohë, analizat e Bankës Botërore tregojnë se Maqedonia rrezikon të humbë bile 800 milionë euro në vit apo 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vlefshëm afër 9 miliardë euro, si rrjedhojë e migrimit të madh deri në vitin 2030. Këtë e tregon raporti i Bankës Botërore, kushtuar efekteve të shpërnguljes ndaj ekonomisë, i cili merr parasysh humbjen e potencialit për zhvillim ekonomik si rrjedhojë e migrimit të më shumë se 600 mijë banorëve.

Shpërngulja masovike e popullatës nga rajoni i Evropës Juglindore në Evropën Perëndimore nga njëra anë ndihmon rritjen ekonomike të shteteve perëndimore, ndërsa nga ana tjetër pengon përmirësimin e mirëqenies në shtetet e rajonit. Të dhënat të përafërta të Bankës Botërore tregojnë se nga shtetet e Evropës lindore, qendrore dhe juglindore janë shpërngulur mbi 20 milionë njerëz. Nga ana tjetër, të dhënat po nga ky burim, tregojnë se jashtë Maqedonisë jetojnë afër një të tretat e banorëve të saj. Sipas raportit të Bankës Botërore lidhur me efektet e shpërnguljes ndaj ekonomisë, del se efektet pozitive për shtetet më të zhvilluara ekonomike janë më së evidente, ndërsa vendet më pak të zhvilluara humbin potencialin e madh për rritje më të madhe ekonomike.

“Si rrjedhojë e migrimit përgjatë periudhës 2015-2030, shtetet e Evropës Lindore dhe Juglindore do të humbin nëntë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa te disa shtete kjo humbje do të jetë bile 15 për qind e PBB-së . Nga ana tjetër, është dëshmuar se kurbetçinjtë sjellin rritje ekonomike në shtetet ku shkojnë të punojnë, duke rritur PBB-në për kokë banori si dhe produktivitetin në përgjithësi“, thuhet në analizat e Bankës Botërore dhe ato të OECD-së, përkatësisht Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar për 18 shtetet anëtare të saja. Në ndërkohë, analizat Bankës Botërore, si një institucion relevant financiar global, tregojnë se rritja e ulët ekonomike, papunësia e lartë, të ardhurat në nivelin e një të tretës së BE-së, imponojnë që te gjeneratat e reja në rajon, të emigrojnë në kërkim të mundësive më të mira ekonomike. Edhe pse demografët përllogarisin se shkaqet kryesore të migrimeve të jashtme janë ato ekonomike, arsimore, përsosja profesionale, krizat politike dhe ushtarake, përleshjet fetare e kështu me radhë, megjithatë në Maqedoni dhe shtetet e rajonit në vitet e fundit, në radhë të parë, si shkak i ikjes së të rinjve të shkolluar është pakënaqësia nga situata ekonomike, problemi me punësimin si dhe mungesa e perspektivës. Gjithashtu edhe mungesa e një ambienti me rregulla të qarta të lojës në më shumë fusha të jetesës në Maqedoni, por edhe shtetet fqinje rrisin dëshirën e të rinjve që të marrin biletën në një drejtim./Koha

Komentet
Top