Maqedoni: Një e treta e rrogës bruto, për shtetin

0-100.jpg

Qeveria e Maqedonisë, ditë më parë paralajmëroi ndryshime të politikave tatimore që do të zbatohen nga fillimi i vitit të ardhshëm si dhe zbatimin e tatimit progresiv nga viti 2019.

Nga janari i vitit 2018, të punësuarit që do të marrin rroga më të larta se rroga mesatare në Maqedoni, do të paguajnë tatim personal më të lartë. Deri më tani nga rroga bruto e një të punësuari në Maqedoni, 27 për qind janë ndarë për kontribute sociale. Për fondin pensional nga bruto rroga janë ndarë 18 për qind, për sigurim shëndetësor 7.3 për qind, kontribute shtesë për sëmundje profesionale 0.5 për qind, për kontribute për të papunët 1.2 për qind. Nga pjesa tjetër e rrogës së mbetur përllogaritet tatimi personal, i cili për momentin është 10 për qind.

Nëse e marrim parasysh rrogën mesatare, e cila sipas Entit Shtetëror të Statistikave për muajin shtator ka qenë 33.675 denarë, atëherë del se për një punëtor punëdhënësi paguan kontribute sociale në vlerë prej 27 për qind ose 9.092 denarë dhe tatim personal prej 1713 denarë, që i bie një i punësuar pas gjitha këtyre kontributeve të ketë rrogë neto në vlerë prej 22.870 denarë apo në arkën shtetërore nga rroga bruto e një të punësuari, inkason një të tretën apo mbi 11,000 mijë denarë.

Mirëpo, sipas programit qeveritar, një i punësuar nga viti 2018 do të duhet të paguan plus tatime, sidomos për tatimin personal. Tatimi personal plus sipas programit qeveritar do të duhet të paguajnë të gjithë të punësuarit, që do të marrin rroga të larta, gjegjësisht tatimi personal do të llogaritet sipas dy shkallëve, njëra do të jetë 10 për qind, siç ka qenë deri më tani dhe tjetra shkallë do të jetë 18 për qind. Tatim personal prej 18 për qind do të paguajnë të gjithë ata punëtorë që marrin rroga më të larta.

Sa i përket ndryshimeve të tatimeve, Qeveria nuk do të ndryshon përqindjen e Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH) dhe mbetet ajo që është 18 për qind. Gjithashtu Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar se nga fillimi i viti të ardhshëm do të fillojë me realizimin e paralajmëruar se qytetarëve do t’ju kthehen e 15 për qind nga TVSH-ja e paguar brenda një viti. Mirëpo, për fillim do të ndodhë vetëm në disa komuna të mëdha si pilot projekt.

Nuk do të ketë ndryshim edhe për tatimin e pronave, i cili po ashtu mbetet në nivelin e njëjtë, që do të thotë se nëse ke vetëm një banesë apo shtëpi, tatimi vjetor do të jetë 0,05 për qind. Por, nëse qytetari ka shtëpi të dytë apo banesë, atëherë për këtë do të duhet të paguajë 0.1 për qind tatim vjetor dhe nëse posedon shtëpi apo banesë tjetër, atëherë tatimi vjetor i pronës do të duhet të paguan 0.15 nga vlera e përgjithshme e pronave./Koha

Komentet
Top