Maqedonia në ditë nga 12 deri në 14 raste të reja të kancerit

thumbs_b_c_72313712d0ee5528c19ed3a6c65e54bc.jpg

Në mbarë botën me aktivitete të ndryshme shënohet 4 shkurti – Dita kundër kancerit, sëmundjes së rëndë që mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të trupit dhe e cila mbetet sëmundje e dytë me numrin më të lartë të vdekjeve, pas patologjive kardiovaskulare. Në vitin 2008 u regjistruan rreth 7.6 milionë vdekje, ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ndërsa në vitin 2030 kjo shifër mund të arrijë në 13.1 milionë.

Ashtu sikurse në mbarë botën, edhe në vendet e rajonit kanceri është i përhapur në lloje të ndryshme. Të dhënat e mbledhura në analizën e Anadolu Agency (AA) tregojnë se numri i personave të sëmurë nga kanceri në nivel rajonal është në rritje.

Maqedonia në ditë nga 12 deri në 14 raste të reja të kancerit 

Të dhënat flasin se nga vendet e rajonit në Maqedoni numri i pacientëve të rinj me sëmundjen e kancerit është më i madh në krahasim me Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa kjo e fundit edhe pse për çdo vit ka rritje të rasteve të kancerit, në rajon mbetet me numër më të vogël të rasteve të kancerit.

Nga Shoqata për emancipim, solidaritet dhe barazi të grave – ESE me rastin e Ditës Botërore në luftën kundër kancerit bëjnë të ditur se vdekshmëria nga kanceri i qafës së mitrës në Republikën e Maqedonisë shënon rritje në periudhën prej 2011 deri në vitin 2014.

Në korrik të vitit të kaluar në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup u prezantua regjistri botëror i kancerit “Globocan”, sipas të cilit në Maqedoni në 100 mijë banorë, 141 janë të sëmurë me kancer.

Në Klinikën për Onkologji dhe Radiologji në Shkup, në vitin 2015 janë regjistruar 5 mijë raste të reja, ndërsa në këtë shifër nuk përfshihet tumori kanceroz te fëmijët dhe të sëmurit nga leukemia.

Sipas programës për skrining të organizuar të kancerit të qafës së mitrës për vitin 2017 në Maqedoni parashihen që 15 mijë gra të jenë të ftuara në skrining të organizuar të kancerit në qafën e mitrës. Skriningu ka rol kyç në zvogëlimin e vdekshmërisë nga kjo sëmundje.

Sipas një vlerësimi të bërë nga sektori joqeveritar, në ditë kemi 12 deri në 14 raste të reja të kancerit, ndërsa sipas parashikimeve të regjistrit botëror “Globocan” në Maqedoni ka rreth 7.200 raste të reja me kancer.

Në Deklaratën botërore për tumorin kanceroz theksohet se çdo shtet duhet të sigurojë qasje universale per popullatën deri te metodat e projektimit për zbulimin e hershëm të kancerit, përfshirë edhe kancerin e qafës së mitrës.

Vdekshmëria nga kanceri i qafës së mitrës në Maqedoni në vitin 2011 ishte 1.5 në 100 mijë femra, ndërsa në vitin 2014 ky numër arriti në 4.1 në 100 mijë femra. Projektimi i organizuar i kancerit në qafën e mitrës ka një rol kyç në uljen e vdekjeve nga kjo sëmundje.

Ndryshe, nën moton “Ne mundemi, unë mundem” sot në Shkup do të shënohet Dita botërore e luftës kundër kancerit, duke bërë thirrje për përfshirje aktive të individëve, komunitetit dhe institucioneve përkatëse me qëllim parandalimin dhe zvogëlimin e ndikimeve nga dukuria e tumorit kanceroz.

Një nga synimet e fushatës për Ditën botërore të luftës kundër kancerit në vitin 2017 është sigurimi i qasjeve universale në shërbimet shëndetësore, që kanë të bëjnë më tumorin kanceroz. Rolin kyç në luftën kundër kancerit e luajnë shërbimet shëndetësore për zbulimin e hershëm të tumorit kanzeroz.

Në Kosovë numri i rasteve të kancerit në rritje, por shumë më i vogël nga rajoni

Numri i rasteve të kancerit në Republikën e Kosovës shënon rritje, megjithatë është shumë më i vogël në krahasim me vendet e rajonit.

Drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dr. Ekrem Hiseni, për AA thekson se në Kosovë ka rritje të numrit të rasteve me sëmundjen e kancerit për rreth 50 përqind, por kjo rritje ka të bëjë me rritjen e raportimit dhe jo me një rritje reale.

“Numri i pacientëve në vitin 2015 ka qenë rreth 808, ndërsa në vitin 2016 ka qenë 1.238. Kjo rritje ka treguar se ka pasur shumë më tepër raportime se sa rritje reale”, thotë Hyseni.

Sipas fjalëve të tij, Kosova ka një numër shumë më të vogël të rasteve të kancerit nëse krahasohet me vendet e rajonit dhe për këtë ka ndikim të madh mosha e re e popullatës kosovare.

Onkologu Hyseni bëri të ditur se kosovarët më shumti vuajnë nga kanceri i gjirit, i mushkërive dhe ai kolorektal (i zorrës së trashë). Arsyet e paraqitjes së kësaj sëmundjeje, siç tha Hyseni, në përgjithësi akoma nuk janë zbuluar, por shprehu bindje se ndikon duhani, alkooli, stresi dhe mosaktiviteti fizik.

Duke theksuar se në 10 vitet e ardhshme nuk do të ketë rënie të rasteve të paraqitura më këtë sëmundje, Hyseni qytetarëve iu drejtua se “nuk ka vend për shqetësim, por duke bërë një jetë të shëndetshme mund të ulet numri i sëmundjes së kancerit”.

Në Shqipëri hasen afërsisht 3.500-3.600 raste të reja me kancer në vit 

Sipas të dhënave zyrtare në nivel kombëtar, të gjeneruara nga regjistri i Shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe pjesërisht nga regjistrat e spitaleve dhe shërbimet e patologjisë në rrethe, në Shqipëri hasen afërsisht 3.500-3.600 raste të reja me kancer në vit.

Ashtu sikur edhe në botë, edhe në Shqipëri, kanceri është i përhapur në shumë lloje, ndërsa në Shqipëri shënohen raste të reja çdo vit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja çdo vit me kancerin e qafës së mitrës, nga Shërbimi i Onkologjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.

Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën.

Ndër faktorët krysorë të shkaktimit të sëmundjes së kancerit thuhet se janë, pirja e duhanit, lidhjet gjenetike, të ekspozuaarit në masë të gjerë ndaj diellit, faktorë të mjedisit, etj.

Sipas deklaratës botërore për kancerin, çdo shtet duhet të sigurojë qasje universale për popullatën deri tek skrining metodat për zbulim të hershëm të kancerit, përfshirë edhe kancerin e qafës së mitrës. Me zbatimin e këtyre metodave dukshëm zvogëlohet shkalla e vdekshmërisë nga kanceri.

Komentet
Top