Mascherano konfirmon pensionimin pas Kupës së Botës

auto_mascherano1-780x4391507877387.jpg

Veterani argjentinas, Javier Mascherano ka konfirmuar se do të tërhiqet nga kombëtarja e Argjentinës pas Kupës së Botës “Rusia 2018”.

Një het-trik nga Lionel Messi udhëhoqi skuadrën kombëtare të drejtuar nga Jorge Sampaolit drejt një fitoreje 3-1 kundër Ekuadorit të martën, duke siguruar kualifikimin për në Kupën e Botës.

Mascherano, i cili ka bërë plot 139 paraqitje – vetëm katër më pak nga rekordi i të gjitha kohërave për kombëtaren të mbajtur nga Javier Zanetti, ka thënë se ‘Rusia 2018’ do të shënojë fundin e karrierës së tij ndërkombëtare.

“Cikli im në ekipin kombëtar përfundon në Rusi”, ka thënë fillimisht 33-vjeçari i Barcelonës për TyC Sports të enjten mbrëma.

“Unë kam qenë i qartë se kjo do të jetë pika ime përfundimtare”.

Mascherano është përdorur në mesfushë dhe mbrojtje për Argjentinën, të cilët luftuan në kualifikime dhe ishin në rrezik të humbasin Kupën e Botës përpara heroizmit të Messit.

Ish-mesfushori i Liverpoolit tha se shpreson të jetë në Rusi, por shtoi se ky është një vendim që merret nga trajneri Sampaoli.

“Vendimet merren nga trajneri dhe ai do të vendosë nëse unë jam në Rusi apo jo”.

“Do të përpiqem në këto gjashtë ose shtatë muaj që të përgatitem dhe të jem në gjendje të mirë. Sampaoli do të vendosë.

“Kam shumë respekt për vendimet që bëjnë trajnerët”, përfundoi Mascherano.

Komentet
Top