Loading...

Mësuesit e parë nga Shqipëria në Tetovë më 1941

thumbnail_Shkolla-e-parë-shqipe-Skenderbej-në-Tetovë-më-1941.jpg

Shkruan: Ismail Arsllani

-Kush e solli Abetaren e parë në gjuhën shqipe nga Shqipëria në Tetovë. -Shkolla
e parë shqipe në Tetovë u hap në qershor të vitit 1941, me mbajtjen e kurseve
intensive nga mësuesit Mithat Cami nga Dibra dhe Vasil Dhimitriu nga Elbasani,
ndërkaq viti i parë shkollor filloi më 1 shtator 1941. -Në shkollat e para në gjuhën
shqipe në Tetovë dhe rrethinë u angazhuan nja 50 mësues nga Shqipëria, prej të
cilëve 30 nëpër fshatra, kurse 20 të tjerë në qytet, ku u përfshinë më se 1.000
nxënës të fillores, në 22 paralele
***
Në periudhën mes dy Luftërave Botërore, interesimi për gjuhën, shkollën dhe
kulturën shqiptare në trevën e Tetovës ka qenë vazhdimisht i pranishëm, sidomos mes
viteve 1935-40, kur një grusht intelektualësh dhe arsimdashësish shqiptarë ishin
angazhuar edhe konkretisht në këtë rrafsh. Me një sërë aktivitetesh, madje edhe me
sakrifica personale, për aplikimin e gjuhës shqipe nëpër shkollat e këtushme, veçmas
janë dalluar Selim Shehabi, Ismail Xhaferi, Hysein Xhaferi, Idris Cërcëri e disa të tjerë,
ka deklaruar Abedin Qafjani, funksionar i dikurshëm shumëvjeçar për çështje të arsimit
në Tetovë.
Duhet veçuar veprimtaria patriotike e intelektualit shqiptar Selim Shehabi, i cili
solli nga Shqipëria ilegalisht Abetaren e parë në gjuhën shqipe në Tetovë, si dhe disa
tekste të tjera, me qëllim të përhapjes së librit shqip, të shkrimit dhe të leximit në gjuhën
amtare. Në këtë aspekt ka kontribuar shumë edhe konsulli i Shqipërisë në Shkup, i cili
po ashtu ka bërë të mundur futjen e librave shqip në këto treva.
Shkolla e parë shqipe në Tetovë është hapur në verë të vitit 1941, në qershorgusht, kur janë organizuar disa kurse speciale për parapërgatitjen e nxënësve për
fillimin e vitit të parë shkollor në gjuhën shqipe në Tetovë. Në këto kurse, sidomos
punohej në aftësimin e nxënësve në fushën e gjuhës amtare. Për këto kurse ishin
caktuar mësuesit Mithat Cami nga Dibra dhe Vasil Dhimitriu nga Elbasani.
Më 1 shtator të vitit 1941 do të shënohet një ngjarje me rëndësi historike në
fushën e arsimit shqip në Tetovë, pasi që do të fillojë viti i parë shkollor me mësim në
gjuhën shqipe. Për sigurimin e kuadrove arsimore në këto shkolla, me vendosjen e
administratës së shtetit shqiptar edhe në këto troje, Ministria e Arsimit e Shqipërisë do
të emërojë një numër të madh mësuesish me përvojë nga Shqipëria, normalistë të
Elbasanit, që të punojnë në këtë trevë. Në shkollat e para në gjuhën shqipe në Tetovë
dhe rrethinë u angazhuan nja 50 mësues nga Shqipëria, prej të cilëve 30 nëpër fshatra,
kurse 20 të tjerë në qytet, ku u përfshinë më se 1.000 nxënës të fillores, në 22 paralele.
Procesi i mësimit zhvillohej në disa objekte të qytetit, si në atë “Skënderbeu” (pas
Luftës së Dytë Botërore mori emrin “M.Tito”, kurse pas pavarësisë së RM-së “G.
Dellçev”), ku drejtor u emërua Beqir Kllojka nga Peqini, kurse në ish-objektin e Shkollës
së Mesme të Mjekësisë, ishte shkolla e quajtur “Tajar Tetova”, ku drejtor ishte Qemal
Haxhihasani nga Elbasani. Inspektor i arsimit për këto shkolla ishte emëruar Mexhait
Bekteshi nga Kavaja.
Në mesin e mësuesve të parë të shkollave të para në Tetovë, me sukses kanë
punuar Rrustem Ismailati, Hysen Hoxha, Josif Todi, Fatbardha Çaushi, Kadri Hoxha,
Abedin Faja, Vasil Dhimitriu, Xhafer Narazani etj. Një plejadë e tërë mësuesish kanë
punuar edhe nëpër fshatrat e Tetovës, si Murteza Peza, Dhimitër Shuli, Murtezan
Kazadei, Azem Morana (nga ana e Shkupit), si dhe Vehap Kadriu, Idriz Idrizi nga fshati
Gajre e të tjerë.
Prej personaliteteve më të shquara në mesin e mësuesve nga Shqipëria, që
punuan në këto anë, individualiteti i theksuar arsimues-edukativ i Jonuz Ballës është i
pranishëm edhe sot në mesin e kuadrove që i nxori ai, sikundër që ishte edhe
personaliteti i Qemal Haxhihasanit.
Mësuesi Jonuz Balla nga Elbasani, nga prilli i vitit 1944 emërohet drejtor i
shkollës “Skënderbeu” të Tetovës nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë. Shkolla në të
cilën u angazhua ky si drejtor, shpejt u shndërrua në një vatër të vërtetë arsimore.
Numri më i madh i nxënësve të kësaj shkolle vazhduan mësimet në gjimnazin e ulët
“Haxhi Tahsini” të Tetovës, si dhe në shkollat e tjera të mesme e të larta të Maqedonisë.
Në Gjimnazin e ulët të Tetovës ka pasur 5 paralele, me gjithsej 165 nxënës. Drejtori i
kësaj shkolle ka qenë Sali Çaushi nga Korça, ndërsa profesorë kanë qenë Zeqiria
Spahiu nga Tirana për lëndën e biologjisë dhe Vasil Naqi nga Elbasani, për gjuhë dhe
letërsi shqipe e të tjerë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Jonuz Balla mbetet në Tetovë,
ndërsa Ministria e Arsimit e Maqedonisë më 1945 do ta emërojë atë për inspektor të
Arsimit në Bashkinë e Tetovës. Në periudhën 1944-45 në Tetovë kishin mbetur nja 10
mësues nga Shqipëria. Jonuz Balla do të kontribuojë mjaft për sigurimin e kuadrove,
duke i angazhuar njerëzit që dinin shkrim e lexim nëpër kurse pedagogjike, që
organizoheshin në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe kishin rangun e shkollës normale
për mësues.
Më 1 shtator 1945 nëpër shkollat e Tetovës dhe rrethinës do të angazhohen mbi
100 mësues kursistë, të cilët ishin kuadrot e para shqiptare vendase pas luftës, që
bartën peshën e arsimit për brezat që vinin. Kurset pedagogjike zhvilloheshin në muajt
e verës, kur nuk kishte mësim nëpër shkolla, për katër vjet rresht, ndërsa pas kryerjes
së kurseve merreshin edhe diplomat përkatëse.
Seksioni i arsimit i Këshillit të rrethit të Tetovës nga kursistët kishin angazhuar në
punë nëpër shkolla shqipe mësuesit e parë, si Qerim Arifi, Rifat Vela, Abedin Qafjani,
Rrahman Besimi, Hasip Krasniqi, Ystref Mahmuti e shumë të tjerë, ndërsa në disa
fshatra të Shkupit ishin angazhuar mësuesit Nizamedin Bajraktari, Salajdin Hyseini dhe
Abdulla Buklla. Në Tetovë kishin mbetur edhe disa mësues nga Shqipëria, si Veronik
Lora, Ana Sopi, Zija Sadiku, Vehap Kadriu etj., ka thënë Abedin Qafjani, i cili ka pasur
poste me rëndësi në fushën e arsimit të Komunës së Tetovës.
Në foto: Shkolla fillore “Skenderbej” në Tetovë, e para në gjuhën shqipe e hapur më 1
shtator 1941

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media