Miliarderi shqiptar pronari i “JUMBO” do të hap qendër tregtare në Maqedoni

1280x720-1Fl.jpg

Samir Mane ish-pronari i “Skopje City Mall” në Shkup poashtu pronar i rrjeteve të marketeve “Jumbo” në rajon përsëri do të investojë në Maqedoni në biznesin e qendrave tregtare. Në intervistën e tij dhën javores ekonmike “Monitor” në Tiranë ai ka thënë se grupi i tij “Balfin” planifikon ndërtimin e hotelve me 5 yje në jug të Shqipërisë dhe blejren e një qendre tregtare në Maqedoni. Po për cilën qendër tregtare bëhet fjalë ai nuk ka potencuar. Sipas asaj që portali Shqipmedia ka arritur të mësojë por ato ngelin në thashetheme është se Samir Mane mund të blejë qendrën tregtare “Remall” në Tetovë ose një qendër tregtare që filloi të ndërtohet para disa vitesh afër “Monopolit” në Tetovë por e njëjta deri sot nuk u ndërtua. Me ardhjen e grupit “Balfin” në Tetovë kudo që do të hapet aty me siguri do të gjenden brendet e njohura të veshjes si “Zara”, “Bershka”, Masimo Dutti” “Pull and Bear” kinematë Cineplexx pasi për të gjitha këto frashinzën për në Maqedoni e posedon grupacioni “Balfin”.

Më poshtë lexoni intervistën e miliarderit Samir Mane:

Për grupin Balfin, më i madhi në vend, 2016-a ka qenë viti më i mirë historik, sipas Presidentit të tij, z. Samir Mane. Diverisfikimi i aktivitetit në shumë fusha, si ndërtim, retail, turizëm, bëjnë që z. Mane të ndihet i qetë ndaj çdo goditjeje të mundshme. Ai nuk e mohon që po tenton të zgjerohet edhe në tregun financiar dhe është duke parë për të blerë bankë.

Mane thotë se filozofia e tij e drejtimit ka ndryshuar dukshëm në krahasim me pesë vjet më parë, teksa ai ia ka lënë në dorë stafit profesional dhe është më shumë një CEO honorifik, që ndërhyn për investime të mëdha. Në planet e ardhme për investime të mëdha synohen hotele me 5 yje në bregdetin e jugut dhe në Gjirin e Lalëzit, ndërsa z. Mane nuk ngurron të thotë që tregu i ndërtimeve në Tiranë tashmë është i mbingarkuar, si për qiellgërvishtësit, ashtu dhe për qendrat tregtare.

Si ka qenë ecuria e grupit Balfin në vitin 2016?

Padyshim, 2016 ka qenë viti më i mirë historik, por bazuar në ecurinë e deritanishme, edhe 2017 do të jetë edhe më i mirë. Secila nga kompanitë e grupit ka pasur ecuri pozitive, me rritje disa shifrore. Disa të tjera janë të varura nga tregu i huaj, si p.sh., Albchrome, që ka shënuar një rritje shumë të mirë për shkak të koniunkturës së favorshme ndërkombëtare.

Peshën kryesore të aktivitetit në Shqipëri e mbajnë Albchrome, Mane TCI, qendrat tregtare. Pritshmëri ka edhe Neptun, Jumbo.
Ecuria ka qenë pozitive edhe e sipërmarrjeve, pjesë e grupit, që veprojnë në rajon. P.sh., ecuri shumë pozitive ka pasur dyqani i parë i Jumbo, që është hapur në Bosnjë. Maqedonia ka pasur një stanjacion për disa muaj, por tani po ecën mirë.
Të gjitha kompanitë kanë performuar më mirë se sa buxhetet e planifikuara.

Po ecuria e deritanishme për vitin 2017?

2017 është më shumë se sa premtuese. Ky besoj do të jetë viti më i mirë historik, sepse do të reflektohet një pjesë e të ardhurave nga licencat tregtare të shitura në Shkup, teksa një pjesë janë reflektuar një vit më parë. Edhe në tregun rajonal, rritja e aktivitetit është në të njëjtat parametra që presin.

Si e shpjegoni këtë rritje të fortë të grupit, ndërsa ekonomia nuk është në lulëzim?

Unë besoj që kemi rritje falë profesionalitetit, jemi bërë më të afërt me konsumatorin, kemi produkte që janë më afër interesave të konsumatorit dhe kjo shihet. Dikur kemi pasur vetëm një markë, ndërsa tani kemi shumë lloje, për të gjitha shtresat. Jumbo ka shumë produkte të lira dhe të prekshme për të gjithë. Edhe në ndërtim jemi përshtatur në elementet që i mungojnë tregut. Nuk jemi vetëm te vilat e mëdha, por edhe me ndërtime më të vogla, që janë më të përshtatshme për njerëzit, pra kemi gjetur rrugën drejt konsumatorit.

Duke qenë se ju jeni në shumë sektorë, cilin do të vlerësoni si segmentin që ka më shumë fitime dhe ka më shumë leverdi për të investuar?

Me të ardhme shohim tregtinë me pakicë, megjithëse nuk është në ato parametra që do të donim. Disa nga kompanitë kanë ecuri të mirë, për shkak të organizimit tonë dhe jo si rrjedhojë e rritjes së tregut. Një pjesë e kompanive kanë ecuri mesatare, dhe kjo nuk lidhet me arsye të brendshme, por për shkak të shkallës së lartë të informalitetit.

Një sektor që ka marrë prioritet është turizmi. Kemi një divizion të ri që merret me këtë sektor. Do të nisim shumë shpejt në tetor ndërtimin e një hoteli me 5 yje në Jug. Ndërtimet tona në jug po vazhdojnë me shpejtësi. Po shohim mundësinë për të ndërtuar një hotel me 5 yje edhe në Adriatik. Pa dyshim që turizmi do të jetë një fokus i rëndësishëm në të ardhmen.

Meqë përmendët ndërtimin, ka një rendje shumë të lartë drejt këtij sektori në Tiranë, drejt ndërtimit të kullave shumëkatëshe. Si e shpjegoni ju dhe a nuk keni frikë që mund të ndodhë ndonjë flluskë?

Ne jemi duke ndërtuar një kullë të tillë bashkë me një partner, që do të fillojë në tetor. Unë mendoj se tregu është i ngarkuar dhe me pritshmëritë në bazë të planit urbanistik do të ketë një mbingarkesë më të madhe. Diferenca jonë me të tjerët është që ne do t’i përfundojmë. Unë shoh që kanë filluar ndërtime, të cilat nuk do të arrijnë të përfundohen. Ne do t’i ndërtojmë për shkak të kapaciteteve financiare dhe së dyti, sepse ndryshojmë me mënyrën e ndërtimit. Ne planifikojmë ndërtime shumë cilësore, që do të thotë që ndoshta do të jenë zyrat dhe apartamentet e para në Shqipëri, të cilat do të kenë një sistem qendror kondicionimi, ventilimi, ajrimi etj., pra do të kenë shumë elemente teknike, që i bëjnë godinat më të shitshme, dhe më afër interesave të konsumatorëve. Fuqia financiare na bën të mendojnë, që nëse do të ketë shitje, tonat do të jenë të parat.

Kullat

Ne jemi duke ndërtuar një kullë të tillë bashkë me një partner, që do të fillojë në tetor. Unë mendoj se tregu është i ngarkuar dhe me pritshmëritë në bazë të planit urbanistik do të ketë një mbingarkesë më të madhe. Diferenca jonë me të tjerët është që ne do t’i përfundojmë. Unë shoh që kanë filluar ndërtime, të cilat nuk do të arrijnë të përfundohen.

 

Si ka qenë ecuria e qendrave tregtare dhe a mendoni se ka më hapësira, sepse në çdo kullë planifikohet një qendër tregtare?

Qendrat tregtare kanë ecuri shumë të mirë. Nuk mendoj se ka më tepër hapësirë për momentin. Ajo që unë them vazhdimisht është që, nëse tregu për qendrat tregtare është 300 milionë euro në vit (totali i shitjeve), dhe hapet një tjetër, fuqia blerëse po aq është, atëherë rreziku është real që rritja e numrit të tyre të sjellë mbingarkim.

Të gjithë e dinë këtë dhe megjithatë vijojnë të investojnë..?

Gabim i investitorëve, unë po të isha nuk do të investoja, të paktën për disa vite. Do të këtë nevojë, por qendrat ecin paralel me informalitetin. Me uljen e informalitetit, mund të ketë rritje të qendrave.

Sa i përket turizmit, jeni fokusuar te fshatrat turistike, pse kjo zgjedhje dhe jo rezortet?

Vazhdimisht e dëgjoj këtë pyetje. Kjo është një ekonomi tregu dhe në momentin që hotelet do të jenë në bum, atëherë do të fokusohemi në to. Për momentin kemi gjetur një formulë të vilave që i japim dhe me qira (property sharing). Kjo strategji ka funksionuar mirë në Jug, por jo shumë në Gjirin e Lalëzit. Në kapitalizëm është kërkesë-ofertë. Ju garantojmë që nëse do të ketë bum hotelesh, do të ndërtojmë edhe ne.

Pra për vila ka kërkesë?

Po, për vilat ka pasur kërkesë dhe ka shumë.

Si e shpjegoni një kërkesë kaq të madhe në një vend relativisht të varfër?

Arsyeja lidhet me faktin që shqiptarët duan ta blejnë një vilë dhe ta kenë të tyren. Po të vendosja unë për të blerë një vilë, do të bëja llogaritë dhe ndoshta me qira të leverdis më mirë sesa ta blesh. Por, shqiptarët duan ta blejnë. Pa dyshim kemi dhe shumë të huaj dhe shqiptarë nga Kosova, Maqedonia. Klima dhe deti është një vlerë e shtuar. Në fakt, çmimet e Jugut të Shqipërisë janë më të ulëta krahasuar me çmimet e Greqisë.

Po planet për hotelet, që përmendët, kur do të fillojnë?

Hoteli që do të fillojë të ndërtohet në tetor do të jetë me 128 dhoma, në Palasë. Kemi mundësi dhe po shohim dhe për ndërtimin e një hoteli me 5 yje në Gjirin e Lalëzit. Në Jug mungon infrastruktura dhe kjo është një nga arsyet kryesore se pse nuk po ecim me hapa të shpejtë, sepse nuk mund të orientosh investimet në hoteleri-turizëm, kur nuk ka infrastrukturë. Në veri, në Gjirin e Lalëzit ka më shumë interes për shkak të infrastrukturës më të mirë, ndaj po e shohim dhe aty me interes.

Ju keni investuar së fundmi edhe në bujqësi. Si ka qenë ecuria?

Bujqësia nuk ka ecur sipas parashikimeve, por gjithsesi ka qenë pozitive. Është e njëjta problematikë si në tregtinë me pakicë, shkalla e lartë e informalitetit, pasi nuk konkurrojmë me tregun e brendshëm. Por, jemi optimistë për bujqësinë dhe kryesisht do të synojmë tregun e jashtëm.

Nisur nga përvoja juaj në bujqësi, çfarë mund t’i rekomandoni qeverisë, duke qenë se ky sektor ka 20% të Prodhimit të Brendshëm dhe ne ende konsumojmë produkte importi?

Ka shumë për t’u bërë. Rregullimi i skemës së subvencionit, do të ishte një element i rëndësishëm, sepse shtetet e tjera kanë shumë skema, p.sh., për subvencionimin e serave, për magazinat ose direkt eksportin. Mund të ketë rritje të granteve për eksportin, sepse në fund të fundit për eksportet ne jemi në një treg kompetitiv, që subvencionohet. Kur dalim në treg, jemi ndryshe nga Maqedonia, Kosova, Polonia, sepse ata subvencionohen pjesërisht.

Si e menaxhoni rritjen e lartë dhe të shpejtë. Nëse do të bënim një paralelizëm me kompaninë kroate Agrokor, që u rrit shumë dhe më pas falimentoi…

Agrokor, së pari u rrit vetëm në Kroaci dhe u rrit brenda një industrie. Nuk ka të bëjë fare me ne. Ajo industri me të cilën Agrokor dështoi për ne është vetëm 10% e aktivitetit. Ne kemi industri të cilat janë të pavarura. Ndryshimi ynë me kompanitë e tjera është se ne kemi diversitet të madh në të gjitha drejtimet. Kur nuk funksionon një, funksionon një tjetër. Së dyti, kompanitë e grupit performojnë të pavarura dhe pozitivisht.

Rasti Agrokor

Agrokor, së pari u rrit vetëm në Kroaci dhe u rrit brenda një industrie. Nuk ka të bëjë fare me ne. Ajo industri me të cilën Agrokor dështoi për ne është vetëm 10% e aktivitetit. Ne kemi industri të cilat janë të pavarura. Ndryshimi ynë me kompanitë e tjera është se ne kemi diversitet të madh në të gjitha drejtimet.

 

Ju vetë si i menaxhoni aktivitetet, sa e ndani pronësinë nga drejtimi?

Unë nuk jam aktiv në menaxhimin e grupit, jam vetëm një drejtues honorifik i grupit. Natyrisht që grupi drejtohet nga profesionistë, të huaj dhe shqiptarë, që merren përditë me këtë punë. Ndërhyj shumë pak. Po të krahasosh Samirin tani me përpara pesë vitesh, është si nata me ditën. Ndërhyj shumë pak, vetëm në vendimmarrje për investime që i kalojnë 10 milionë euro, ku kam të drejtën e vetos. Për të gjitha të tjerat, vendos grupi i profesionistëve.

Cilat janë planet për zgjerime të tjera në rajon dhe në Shqipëri?

Zgjerimi në rajon është një ndër prioritetet. Megjithëse po investojmë në Shqipëri, e vlerësojmë që kapacitet tona administrative dhe financiare janë më të mëdha sesa Shqipëria, ndaj kemi filluar të shohim rajonin me prioritet. Jemi në ditët e fundit të një blerjeje të madhe në Maqedoni, po në fushën e qendrave tregtare, zyrave, që do të jetë investim i madh. Presim trefishim të investimit në jug të Shqipërisë, në Palasë. Kemi filluar investime edhe jashtë, në Britaninë e Madhe dhe Vjenë, në real estate, me riparime dhe ndërtime godinash, por jemi në fazat e para.

Në Maqedoni e shitët një qendër tregtare, pse po hyni sërish?

E shita, por është koha për të blerë një tjetër…

Si duket tregu rajonal në krahasim me Shqipërinë?

Padyshim që tregu rajonal është më i mirë. Konsumatori është ndryshe. Ata i njohin marka si Nike dhe Adidas, apo dhe Sony, që në vitet 1960, ndërsa shqiptarët i kanë parë vonë, në 95-n. Natyrisht që tashmë i njohin markat, por nuk janë si rajoni.

Po në fushën financiare, a keni në plan të hyni, sepse është e vetmja që nuk jeni zgjeruar?

Në fushën financiare nuk kemi hyrë. Kemi vetëm një kompani që merret me shërbime financiare, Final. Presim oferta të mira në treg që mund të na joshin për të bërë investime.

Të gjitha bankat në shitje janë për shembull…

Po qe se do të vijë një ofertë e mirë, dhe jemi duke parë, natyrisht që mund ta mendojmë edhe investimin në këtë fushë.

Po në fushën e sigurimeve, sepse keni shfaqur tashmë interes?

Kemi një investim të vogël tek INSIG Jetë, ku kemi marrë një pjesë të aksioneve, besojmë që ajo ka një rritje natyrale organike se do të ecë.

Komentet
Top