Loading...

Miqtë presin me optimizëm “bombat” për vrasjen e Harun Aliut

0387.jpg

Paralajmërimet për “bombat” e Zaevit kanë ngjallur shpresën për zbardhjen e disa rasteve që në opinion ka kohë që diskutohen si raste mjaftë kundërthënëse. Njëra ndër to është edhe rasti i “Harun Aliut”.

Në një intervistë të tij, Harun Aliu kishte thënë se një ditë do të zbardhen të gjithë skenarët kundër tij dhe shqiptarëve. Por, këtë ai nuk mundi ta bënë publike. Dhe, ne sot i dimë vetëm versionet e Gjykatës, Ministrisë së brendshme dhe mediumeve. Institucione këto që pas shpalljes së 4 “bombave” të para të Zaevit kanë humbur edhe atë pak besueshmëri që kishin.

Redaksia e gazetës “Lajm” ka kontaktuar me vëllain e Harun Aliut për ta pyetur se si i komenton zërat për zbardhje eventuale të rastit të “Harun Aliut”, dhe çka pas zbardhjes. “Ne testin e maturisë e kemi dhënë që moti. Po presim, po ia lëmë kohës”, ka thënë për “Lajm” Llokmani Aliu vëllai i Harun Aliu.

Emri i tij ka nisur të përsëritet në opinion ditë e më shumë. Dyshimet mbi likuidimin e tij sikur nuk gjenin shumë prova, andaj opinioni shqiptar ka kthyer veshët ka Zaev, dhe sikur po pret që “bombat” e tij të zbardhin rastin në fjalë.

Meri Nikollova nga OJQ “Hajde” në profilin e saj të facebook-ut kishte pas shkruar se “bombat” për “Harun Aliu-n” dhe “Monstra-n” dhe do ta shohin se çka është populli dhe si këta pushtetarë të sotshëm do të ikin dhe do të kërkojnë azil.

Në adresën elektronike të gazetës “Lajm” 5 vite më pare kishte arritur email nga një ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me të cilin ai pretendon se e sqaron skenarin se si është ekzekutuar komandanti legjendar Harun Aliu, me shokët e tij. Në këtë email akuzohen funksionarë të lartë të BDI-së për involvim në vrasjen e Harun Aliut, mirëpo “Lajm” nuk do të publikojë emrat e tyre, për shkak se (ende) nuk posedojmë dëshmi materiale për diçka të tillë. Ish komandanti në fjalë (që na e ka dërguar emailin), thotë se informatat rreth asaj se si është ekzekutuar Harun Aliu me shokë, i ka marrë “nga protagonisti i vetëm i gjallë i kësaj ngjarje”, por emrin e tij nuk e ka përmendur. Ja si e përshkruan ai skenarin e likuidimit të Harun Aliut:

“Djemtë kanë qenë mysafir për pushim në shtëpinë e pa banuar të …. (përmendet emri i pronarit të shtëpisë) dhe tërë rrethimin e tyre e ka organizuar …. (përmendet emri i një funksionari të lartë të BDI-së), njeri i sigurimit të shtetit. Janë kapur dhe ekzekutuar prapa shtëpisë, janë futur në mikrobus dhe janë nxjerrë në rrugën Radushë- Nerasht gjoja se shkëmbyen zjarr me forcat sllave. Ky është realiteti”, shkruan komandanti në fjalë, duke shtuar se për krejt skenarin ka qenë i njoftuar kreu partiak i BDI-së.

Ish kreu i luftërave të fundit të shqiptarëve në Ballkan, Harun Aliu i njohur brenda ushtrive çlirimtare si “Komandant Kushtrimi” pas luftës së 2001-shit ishte bërë cak i disa sulmeve politike, qoftë nga shteti i Maqedonisë ashtu edhe nga ish bashkëluftëtarët e tij, deri në likuidimin fizik të tij më 12 maj të vitit 2014./Lajm

Komentet

Leave a Reply

Top