“Monstra” nis nga fillimi, mbetet akuza për terrorizëm – VIDEO

monstra.jpg

Filloi rigjykimi për rastin “Monstra”. Palët u pajtuan që procedura gjyqësore të vijojë në mungesë të dy të akuzuarve Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq. Organin e akuzës e përfaqësoi Naum Panovski, në opinion i njohur si Prokurori në rastin “Lagja e Trimave”. Panovski përsëriti aktakuzën e ish prokurores së rastit Gordana Geshkovskës. Megjithatë seanca e sotme u anulua për shkak se në aktakuzë nuk është përfshirë vepra e Sami Lutës. Avokatët mbrojtës presin ndryshimin e Prokurorit Panovski.

Nuk dihet nëse ky Prokurorë do të mbetet deri në fund. Mendoj se ky Prokuror është përkohësisht. Këtë e dëshmoi edhe fakti se lënda nuk ishte si duhet e përgatitur nga ana e Krimit të organizuar sepse u prezantua vetëm një aktakuzë, por jo edhe aktakuza e Sami Lutës i cili është bashkëngjitur më vonë me të akuzuarit tjerë – deklaroi avokati mbrojtës Naser Raufi 

Familjarët presin që deri në seancën e radhës, në rigjykim të përfshihet edhe Prokuroria Speciale Publike.

Shpresoj se deri në seancën e radhës organi i akuzës do të tërheqë këtë aktakuzë dhe akuzën e njëjtë do ta përfaqësojë Prokuroria Speciale e cila tashmë për disa muaj që punon në përgatitjen e saj – tha Bedri Ajdari, një familjar i të akuzuarve.

Gjykatësi i lëndës është caktuar Ognen Stavrov, ndërsa ndihmës i tij është Osman Shabani. Mbrojtja rigjykimin do ta nisë duke e kërkuar fillimisht veturën e dyshimtë Opel Omega, gjë që sipas tyre do ta vërtetojë gjendjen faktike. Rasti “Monstra” kthehet në rigjykim pas vendimit të Gjykatës Supreme më 24 nëntor të vitit kaluar më kërkesë të Prokurorisë Publike mbi dyshimet e hedhura ndaj akuzës për terrorizëm dhe mundësisë për rrethana të reja që mund të burojnë nga bisedat e përgjuara. Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012 me burg të përjetshëm u dënuan gjashtë persona: Alil Demiri, Haki Aizir, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq. Nga akuza ishte liruar Rami Sejdii. Vendimi për burg të përjetshëm kishte ngjallur protesta të dhunshme të cilat pasuan me dënime deri pesë vite burg. Seanca e radhës është caktuar për 14 mars.

Komentet
Top