Mos fajësoni motin për dhimbjen e mesit!

0-138.jpg

Njerëzit që ankohen për dhimbje kyçesh e mesi sapo prishet moti, deri tani janë ankuar më së koti. Shkencëtarët përfundimisht kanë vërtetuar se nuk ka asnjë lloj lidhjeje mes këtyre dy gjërave, madje moti i ftohtë i bën edhe më vigjilentë njerëzit për diskomfortet fizike që kanë.

Dy studime të reja australiane tregojnë se sapo del dielli, ata që deri para pak janë ankuar për kockat, e harrojnë në sekondë dhimbjen.

Në studim u përfshinë rreth 1000 vetë me dhimbje mesi dhe rreth 350 të tjerë me osteo-artrit të gjymtyrëve të poshtme. Gjithashtu u morën në konsideratë edhe opinionet e specialistëve të Byrosë Australiane të Meteorologjisë.

Kërkuesit krahasuan kushtet e motit në momentin e parë kur pacientët njoftuan për dhimbjet e tyre, me kushtet e motit një javë dhe një muaj përpara kësaj periudhe. Ata zbuluan se nuk ka asnjë lidhje mes dhimbjes së mesit apo gjymtyrëve me temperaturën e ajrit, lagështirën, presionin atmosferik, drejtimin e erës apo reshjet. Gjithsesi, u vu re se rritja e temperaturës rriste disi mundësitë për dhimbje mesi; rritje kjo e parëndësishme në aspektin klinik.

Profesor Chris Maher, nga “George Institute” në Sydney, tha: “Besimi se sapo nis të prishet moti, na shtohen dhimbjet e kockave, daton që nga koha e Romës së lashtë. Por sipas kërkimeve tona, kjo mund të jetë diçka që ka të bëjë me kujtesën dhe psikologjinë humane. Njerëzit janë qenie shumë të ndjeshme, ndaj është e lehtë të kuptosh se ne fiksojmë kryesisht momentet e dhimbjes që përkojnë me ditët me shi apo me ditët e ftohta”.

Dhimbjet e mesit prekin të paktën një të tretën e popullsisë botërore një herë gjatë jetës së tyre, ndërkohë që 10 % e meshkujve dhe 18 % e femrave mbi moshën 60-vjeçare vuajnë nga artrite të ndryshme.

Komentet
Loading...
Top